“ShBA-ja s’mund ta përfaqësojë Kosovën”: A po i lëndon Kurti raportet me Amerikën? - NACIONALE

“ShBA-ja s’mund ta përfaqësojë Kosovën”: A po i lëndon Kurti raportet me Amerikën?

3 vjet më parë

nga Arta Avdiu

ShBA disa herë është shpreh e shqetësuar dhe e zhgënjyer me vendimet e Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Albin Kurtit. Ndërsa disa diplomatë amerikanë në Kosovë janë bërë tabelë qitjeje nga shumë përkrahës të Qeverisë Kurti, teksa kryeministri dje tha se “ShBA-ja nuk mund të përfaqësojë Kosovën”.

Për këtë deklaratë, z. Kurti u kritikua goxha nga opozitarë të ndryshëm, përfshirë ish-kryeministrat Avdullah Hoti e Ramush Haradinajn.

A po lëndohen raportet mes Kosovës dhe aleatit të saj qenësor, ShBA-së?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe ShBA-së i ka vlerësuar si të mira, duke theksuar se as ai s’mund ta përfaqësojë ShBA-në e as ambasadori amerikan e DASH-i s’mund ta përfaqësojnë Kosovën.

“Unë nuk e ndjej këtë, përkundrazi, unë kam takime të rregullta me ambasadorin amerikan për çdo javë dhe jemi vazhdimisht në kontakt e në komunikim dhe pothuajse gjithmonë pajtohemi, por jo gjithmonë, sepse unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as sekretari i shtetit apo departamenti i shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën. Ne udhëhiqemi nga idealet amerikane, mirëpo kjo është Kosovë dhe ne duhet ta mbrojmë shtetin tonë, popullin tonë, historinë tonë edhe më shumë sesa që e bën këtë kushdo tjetër. Pra, ne nuk mund të presim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë Kosovën në diskurs edhe më shumë sesa vet ne, përkundrazi ne duhet që për Kosovën të kërkojmë edhe më shumë sesa kushdo tjetër, edhe më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës” , tha Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se raportet mes Kosovës dhe ShBA-së janë dëmtuar rëndë, por janë të ndarë në atë nëse Kryeministri Kurti po ndryshon në këtë drejtim.

Aleati Kryesor

Analisti Halil Matoshi vlerëson se kërkesat e ShBA-së ndaj Kosovës janë të drejta.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Matoshi tha se Kryeministri Kurti ka dëmtuar rëndë raportet e Kosovës me ShBA-të, duke theksuar rëndësinë e Amerikës për vendin tonë.

"Duke pasur parasysh se shtetndërtimi i Kosovës është hibrid: vullneti e përpjekja jonë si dhe trupat e lufta e Perëndimit (ShBA) atëherë kërkesat e ShBA janë logjike. Nuk mund të këtë kërkesa amerikane që janë kundër Kosove. Interesat dhe siguria e Kosovës varet nga interesat dhe siguria Nacionale e ShBA-së. Kryeministri Kurti tashmë i ka dëmtuar rëndë interesat e Kosovës duke i sfiduar amerikanët. Por, duket se po e mëson lekcionin që kur tha së “nuk kisha mjaft informata”!? Marrdhëniet e Kosovës me ShBA datojnë që nga 1986 (Rezoluta e parë e Kongresit në mbrojtje të drejtave të njeriut në Kosovë) dhe në mirëmbajtjen e tyre ka pasur unitet të plotë në Kosovë. Rrezikimi i tyre nga kushdo është tradhti kombëtare”, tha Matoshi.

Ndërsa, politologu, Shkodran Ramadani thotë se partia në pushtet gjithmonë ka pasur raporte të keqija më ShBA-të.

“Krejt mosdurimi i Vetëvendosjes ndaj Amerikës kulmin e vet e arriti më 2020 kur raportet me ShBA-në u acaruan si asnjëherë më parë. Dikush mund ta interpretojë këtë tensionim si thjesht përplasje të Qeverisë Kurti me Administratën Trump, por nëse shikohet historikisht, Albin Kurti ka pasur të njëjtën qasje me Administratën Clinton, Administratën Bush, Administratën Obama, Administratën Trump dhe tash Administratën Biden, të cilës edhe i thotë që “nuk mund ta përfaqësojë Kosovës, sikurse që unë nuk mund ta përfaqësoj ShBA-në”. Në gjithë këto vite ka ndryshuar vetëm forma dhe ambalazhi, por jo edhe intensiteti dhe forca e sentimentit mosdurues ndaj Amerikës”, ka thënë Ramadani për gazetën Nacionale.

Ramadani më tutje tha se Kurti nuk i ka ndryshuar qëndrimet që kishte në opozitë për ShBA-të dhe se qeveria e tij paraqet rrezik për aleancën kryesore të Kosovës.

“Prandaj, nuk e di se ku e gjejnë bazën ata që thonë se “Albin Kurti dhe Vetëvendosja po e kuptojnë që kanë gabuar në të kaluarën dhe tash po e kuptojnë gabimin e tyre”. Pikësëpari, historiku dydekadësh i Albin Kurtit dhe VV-së në opozitë nuk mund të avullohet brenda natës në pushtet. Gjithë ai vëllim i aktiviteteve për vite ne radhë që targetojnë zyrtarët amerikanë dhe raportet me Amerikën nuk mund të abstrahohet. Pikësëdyti, sjellja e tyre e tanishme tregon që ky ndryshim është shumë më i vogël sesa që supozohet. Pikësëtreti, nuk ka sinjale bindëse se ai është duke u përmirësuar në raport me Amerikën. Në këtë kuptim, ai paraqet një rrezik për aleancën kryesore të Kosovës, të cilën klasa politike në tri dekadat e shkuara e ka ndërtuar me shumë mund, por me shumë suksese, shumë më të mëdha sesa që Albin Kurti dhe Vetëvendosja do të mund të arrijnë në jetën e tyre”, tha Ramadani.

ShBA

Ambasada e ShBA-ve në Kosovë, përmes një deklarate ka thënë se qëllimi kryesor i tyre është të mbështesin Kosovën dhe se kundërshtojnë përpjekjet për të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës.

Ky reagim erdhi pasi ambasada amerikane tregoi që nuk ka bërë qëllimshëm asnjë pëlqim të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ku fliste për çnjohjen e Kosovës nga disa shtete.

“Le të jemi të qartë: Pavarësia e Kosovës është fakt. Qëllimi ynë kryesor është që ta përkrahim Kosovën përderisa e merr vendin e vet me të drejtë në strukturat evropiane e euro-atlantike. Ne kundërshtojmë kategorikisht çfarëdo përpjekjeje për t'i vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.”, thuhet në deklaratën e ShBA-së.

Lajme të ngjashme