Është ngushtuar rrethi, ose marrëveshje ose sanksione - NACIONALE

Është ngushtuar rrethi, ose marrëveshje ose sanksione

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Kurti më nuk është kryeministër i ri. Tash po futet në vitin e tretë të tij si kryeministër. Furia diplomatike amerikano evropiane është vënë në lëvizje. Ose marrëveshje ose sanksione.

Javët në vijim janë kritike. Dhe kjo nuk është një fjali që thuhet me lehtësi. Në bazë të bisedave që i kam zhvilluar në 24 orët e fundit, sapo të përfundojnë edhe Krishtlindjet Ortodoske, që janë me 13 janar, makineria e rëndë e diplomacisë ndërkombëtare do të vihet në lëvizje.

Tashmë askush nuk e fsheh, se i ashtuquajturi plani Franko – Gjerman, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, versioni i dytë i tij, ai që është botuar kohë më parë nga Evropa e Lirë, është pothuajse edhe plani final që do t’u ofrohet Serbisë dhe Kosovës për ta nënshkruar.

Nuk ka ndonjë ndryshim esencial. Ai është plani dhe këtë palët e dinë”, ka thënë një burim i Nacionalës, i informuar me zhvillimet e fundit.

Çfarë përmban ai plan?


Në përgjithësi sipas atij plani parashihet që Kosova dhe Serbia raportet e tyre t’i ndërtojnë në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që flet për raporte në mes të shteteve. Pra, Serbia nuk do ta pranojë Kosovën në mënyrë direkte, por raportet me Kosovën do t’i zhvillojë në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që janë raporte në mes të shteteve.

Tjetër çfarë ka aty?

Kosova dhe Serbia nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në arenën ndërkombëtare. Serbia nuk lobon kundër Kosovës, nuk e pengon atë që të bëhet anëtare e organizmave ndërkombëtare. Mirëpo këtu pastaj vjen edhe roli negativ i Rusisë, që mëgjithatë është i paparashikueshëm.

Pas nënshkrimit të këtij plani, ka mundësi reale që pesëshja mosnjohëse e Bashkimit Evropian ta pranojë Kosovën shtet të pavarur. Një gjë e tillë do ta pastronte përfundimisht të ardhmën evropiane të Kosovës.

Në anën tjetër sipas këtij plani Kishës serbe në Kosovë do t’i jepej një nivel i lartë i autonomisë, por që është më pak se ekstraterrorialiteti. Kurse palët marrin obligim që t’i implementojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel. Prej të gjtiha këtyre marrëveshjeve, Serbia është fajtore për mosimplementimin e shumicës prej tyre, kurse Kosova është përgjegjësi për mosfillimin e hartimit të statutit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Kryeministri Kurti dhe vartësit e tij, kur flasin për temën e Asociacionit, edhe mëtutje vazhdojnë të sillën sikur të jenë duke diskutuar me burrat shqiptarë në ndonjë odë të Kosovës, sado që aleatëve tonë kryesorë, në krye me SHBA’të, është duke iu sosur durimi.

Nuk është punë e muajve, është punë e javëve. Presioni do të jetë i madh dhe do të vijë prej diplomatëve të fuqishëm ndërkombëtarë”, tha një burim tjetër.

Sipas të njëjtit burim, Kurti gjatë këtyre dy tre muajve do ta vulosë fatin e tij. Ose do të tregohet konstruktivm, do ta pranojë Asociacionin dhe do ta nënshkruaj marrëveshjen, ose do të izolohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Aktualisht vetëm britanikët janë deri dikund të durueshëm më të”, tha një burim.

Ndoshta është taktikë e shteteve të Quint’it, që t’i luajnë disa role, sepse edhe Quin’i ka takime të rregullta, mirëpo ambasadorët tjerë, përfshirë gjermanët, nuk janë aspak të lumtur me qasjen e Kurtit”.

Që nga java tjetër Kosova dhe Serbia do të vizitohen shumë shpesh nga diplomatë të huaj. Ata do ta rrisin presionin dhe do t’i rrisin kërkesat.

Sanksionet për palët e papërgjegjshme në dialog janë në tavolinë.

Lajme të ngjashme