Skandale, ikje të anestiozologëve e pa ministër, ku është premtimi i Kurtit për shëndetësinë? - NACIONALE

Skandale, ikje të anestiozologëve e pa ministër, ku është premtimi i Kurtit për shëndetësinë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pritjet për Kurtin ishin tejet të mëdha. Ashtu si edhe pritjet për rinovimin sadopak të shëndetësisë. Megjithatë, nga ajo që kemi parë deri më tani, vështirë të thuhet se mund të ketë diçka më tepër edhe në fund të mandatit, kur kanë mbetur vetëm dy muaj më tepër se dy vjet.

Kryeministri, figurat kyçe të partisë e aktivistët mund të arsyetohen, por do të presim edhe për dy vite të tjera, me shpresën se pastaj shefi i ekzekutivit nuk do të na përsërisë shembullin e baltës dhe duarve të përlyera.

Skandali i fundit

Se gjërat nuk po shkojnë mirë në shëndetësi, e dëshmon edhe skandali më i fundit, për të cilin raportoi sonte Indeksonline, e të cilin e transmetoi edhe Nacionale.

Siç shkruan mediumi respektiv, raportohet se një foshnje e pajetë në Pejë, është vendosur në lavatriçe, për t'u nxjerr më pas copa-copa.

Hetimet veçse kanë filluar, ndërsa përkundër kërkesave të stafit që rasti të mbetet në "sirtar", prindërit e foshnjës kanë njoftuar policinë.

Rastin tashmë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Prokurori i krimeve të rënda ka dal në vendin e ngjarjes, rasti është në fazën e hetimit. Po i presim edhe raportet nga Inspektorati Shëndetësor”, tha ai për Nacionalen.

Telashe

Fatkeqësia shtohet kur kuptohet se menaxhimi nuk është problemi i vetëm. Nacionale, tash e sa muaj ka raportuar vazhdimisht për munesë të stafit, që pastaj me siguri se edhe neglizhenca bëhet faktor.

Mungesa më e madhe shihet te anesteziologët e infermierët. QKUK tash e disa muaj po ballafaqohet me mungesën e dukshme të anesteziologëve.

Ky institucion shëndetësor ka dyfish më pak anesteziologë se sa do të duhej të kishte në kushte normale. Për momentin në Qendrën Klinike Universitare punojnë 47 anesteziologë për 40 njësi klinike.

E për të funksionuar normalisht puna në QKUK do të duhej të kishte së paku 120 anesteziologë. E, kujtojmë faktin se një mjeku i duhen pesë vjet për t’u specializuar në anesteziologji.

E nuk janë vetëm anesteziologët ata që mungojnë në QKUK. Nacionale javë më parë ka publikuar një shkrim ku vihet në pah mungesa edhe e infermierëve.

Veç për nëntë muaj, Kosovën e lëshuan mbi 600 infermierë e staf mbështetës. Këto statistika po shihen dramatike për zyrtarët e Odës së Infermierëve kosovar.

E thirrjet e tyre karshi institucioneve për këtë alarm, ata thonë se nuk po i dëgjon askush.

Ministri

Kujtojmë gjithashtu se sot është dita e 74 që nga largimi i Rifat Latifit, njeriut që erdhi nga Amerika për të tentuar diç më shumë në mjekësinë kosovare.

Gazetarja e shëndetësisë, Saranda Ramaj, çdo ditë e përkujton faktin se nuk kemi ministër, teksa ashtu siç e thamë edhe më lart, sot u regjistrua edhe dita numër 74.

Premtimi

Vështirë të gjendet premtimi i Kurtit, të paktën jo në realitet. Përgjatë fushatave zgjedhore, sa ishte në cilësinë e opozitarit, ai premtonte vazhdimisht se këtë sektor, pra shëndetësinë do ta rregullonte për një mandat.

Por, deri më tani, nuk është se ka bërë ndonjë veprim që do të çonte atje, përveç atij për udhëheqje të një komisioni, që në fakt i parapriu dorëheqjes së Latifit.

Lajme të ngjashme