S’ka marrëveshje, ka takime të tjera: Krejt çka u tha pas negociatave triorëshe Kurti - Abdixhiku
Tri orë negociata, megjithatë, nuk kanë mjaftuar që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të arrijnë një marrëveshje politike, ndërsa kanë mbetur edhe dy ditë deri në mbajtjen e seancës konstituive. Megjithatë, palët janë pajtuar që diskutimet të vazhdojnë.
Në një deklaratë para mediave, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u shpreh se ka “vullnet e zell për të punuar bashkë”. Më pas, ai përmendi edhe Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, parti që kanë refuzuar takimet me Kurtin.
“Ka shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen, kjo është optimiste për të dy subjektet tona, një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe qytetarët në përgjithësi.
Nuk mund të themi se takimet me LDK-në janë ndonjë lajm tashmë në Kosovë, normale që ndodhin, takimet mes subjekteve politike nuk duhej të ishin lajm. Pavarësisht a jemi në opozitë a qeverisje duhet të takohemi, komunikojmë, bashkëpunojmë për atë që pajtohemi.
Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë është që nuk arrita të takohem sërish me kryetarin e ri të AAK-së, Ardian Gjini, përkundër përpjekjeve tona, mendojmë që është e paarsyeshme që mos të takohemi e bisedojmë.
Në anën tjetër, për dallim prej kryetarit të AAK-së që u vetëpërjashtua para se të fillojë procesi, e kemi një situatë tjetër jo të lehtë për shkak se kryetari i PDK-së u përjashtua në fillim të procesit, zhvilluam vetëm një takim, nuk u bë e mundur. Vullneti dhe gatishmëria do të jenë gjithmonë aty, në një kohë të përshtatshme, kudo që zgjedhin ata, jam gati për t’u takuar. Nuk besoj që ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka gjëra për të cilat pajtohemi”, u shpreh ai.
Kurti tutje deklaroi se, nëse nuk ka marrëveshje politike, “zgjedhjet mund të shkaktohen”, duke shtuar se komunikimi me LDK-në do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.
“Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje, marrëveshje politike nuk kemi, diskutuam për qasje të ndryshme, mundësitë që kemi përpara, kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë.
Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk kemi marrëveshje, përkundër mosdëshirës, ato mund të shkaktohen. Jemi të vetëdijshëm edhe VV edhe LDK. Do të përpiqemi, do të vazhdojmë komunikimin. Meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar, do të mundohemi që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike nesër, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të Kuvendit”, ka thënë ai.
“Vullnetin e mirë” e përmendi edhe Abdixhiku në fjalën e tij para mediave, ku u shpreh se kanë kërkuar që të procedohet me konstituimin e Kuvendit të Kosovës nëse deri atë ditë “nuk ndodhë asgjë”.
“Ishte një takim i mirë, i mbarë, ku u trajtuan çështje të ndryshme programore, politike, të ardhmen strategjike. Do të përpiqemi në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore. LDK qëndron brenda parimeve të bëra tashmë publike.
Do të vazhdojnë takimet me këtë vullnet të mirë, nëse s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar janë zgjedhjet e reja. Prandaj marrim pjesë në takime. Në këtë përpjekje tonën, do të insistojmë që të ruhet demokracia, dhe nëse LDK-ja mund të arrijë partneritet të ndihet e përfaqësuar.
Nëse deri më datë 6 gusht nuk ndodhë asgjë, kemi kërkuar të procedohet tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse LDK nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit. Për çështje të tjera, kemi afat kohë shtesë, sa më herët, më mirë që bëjmë zgjidhje, sepse Kosova ka shumë përpara”, tha ai.
Tutje, kryetari i LDK-së, që para pak ditësh i mbijetoi shkarkimit, u pyet edhe për deputetët e pakënaqur në partinë e tij dhe nëse i ka votat e tyre.
“Për marrëveshje të mirë, LDK i ka të gjitha votat, për marrëveshje jo të mirë s’e ka as votën e kryetarit.
Kërkoj falje që s’mund të jap më shumë detaje. Po të kishim pajtueshmëri të plotë do ta shpallnim këtë marrëveshje, por jemi ende në proces e tutje, mund të kemi takime në ditët në vijim, mund të presim konstituimin e Kuvendit.”
Çështja e presidentit
Kurti deklaroi se në takimin me Abdixhikun nuk u fol për emrin e presidentit, ani pse aty pjesëmarrëse ishte edhe kandidatja e LDK-së për presidente, Vjosa Osmani.
Ai u shpreh se duhet të jetë një figurë “që ua ngroh zemrat të gjithëve”, dhe jo që përfshihet në polemika ditore.
“VV konsideron se presidenti ose presidentja si shprehje e unitetit të popullit, si një figurë që duhet të ngrohë zemrat e të gjithë qytetarëve në kuptimin e vlerave dhe meritave profesionale, një personalitet që do të kishte shumë karakter të mirëpritur nga popullsia. Nuk do të paraqiste polin e katërt të pushtetit, do të duhej të ishte jashtë partive politike, dhe të mos ishte i përfshirë në polemika ditore le të themi.
Pra, ne jemi të interesuar e të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në se vendi ka nevojë për progres, por sa i përket pozitës së presidentit qëndrimi ynë është se nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës, ta shohim se çfarë do të sjellë komunikimi i ardhshëm. Nuk mund të sjell emër konkret, sepse do të duhej të ishte konsensual, të mos ishte i VV-së.
Nuk kemi folur për emra të presidentes ose presidentit, kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e VV-së me LDK-në dhe meqenëse kemi pasur situata të rivalitetit në Kuvend, nuk është kollaj që për këto pak orë para fillimit të seancës, t’i tejkalojmë të gjitha gjërat”, tha Kurti.
Ndërkohë, për këtë çështje, Abdixhiku tha:
“President konsensual është secili që i merr 80 vota. Kemi pasë dakordancë të plotë, që marrëveshjet në tavolinë nuk e përmbysin rezultatin zgjedhor, s’kemi asnjë ide të kontestojmë rezultatin zgjedhor”.