Mbahet funeral masiv për 112 të vrarët nga sulmi izraelit në Gaza më 2023
Të martën në pjesën qendrore të Gazës u mbajt një funeral masiv për 112 njerëz, përfshirë 40 fëmijë, që ishin vrarë në vitin 2023 në njërin nga sulmet më vdekjeprurëse izraelite në luftën e Gazës.
Trupat e tyre nuk mund të tërhiqeshin deri tani për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite, të cilat janë pakësuar, por nuk janë ndërprerë, që nga armëpushimi i tetorit, raporton gazeta “The Guardian”.
Qindra njerëz u mblodhën përreth më shumë se 100 arkivoleve të mbështjella me flamuj palestinezë dhe të vendosur në radhë në Deir al-Balah. Pjesëmarrësit u lutën për viktimat para se t’i bartnin trupat rrugëve buzë rrënojave e ndërtesave të shkatërruara për t’i varrosur.
Këto viktima ishin në mesin e më shumë se 300 njerëzve të vrarë më 22 nëntor të vitit 2023, kur aeroplanët luftarakë izraelitë shkatërruan një bllok banesor në qytetin Gaza. Trupat e vetëm rreth 40 personave ishte e mundshme të tërhiqeshin nga njerëzit në vendin e ngjarjes. Ata kishin kërkuar me duar e me mjete të thjeshta në rrënoja.

Fundjavën e kaluar, mbrojtja civile e gazës gërmoi në rrënojat e bllokut të shkatërruar banesor dhe i gjeti mbetjet e 112 viktimave të tjera, përfshirë gra e fëmijë. Mbrojtja Civile tha se 157 persona ende janë të zhdukur pas sulmit.
Armëpushimi i shpallur në tetor – i cili nuk i ka ndalur bombardimet izraelite në Gaza – u ka mundësuar ekipeve emergjente që të gërmojnë nën rrënoja, ku mijëra mbetje ende nuk janë nxjerrë në mbarë enklavën.
Të paktën 7.400 njerëz janë raportuar nga të afërmit si të varrosur nën rrënoja, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” Zaher al-Waheidi, drejtor i departamentit të të dhënave në Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza. Ai shtoi se numri i vërtetë është ndoshta me mijëra më i lartë, sepse nga disa sulme janë vrarë familje të tëra, duke mos lënë të afërm për t’i raportuar ata si të zhdukur.