S'ka asgjë as nga Avokati i Popullit, SBAShK-u vendos për vazhdim të grevës - NACIONALE

S'ka asgjë as nga Avokati i Popullit, SBAShK-u vendos për vazhdim të grevës

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Deklarimet për Nacionalen të Rrahman Jasharajt tashmë janë zyrtarizuar edhe nga komunikata e para pak çasteve e SBAShK-ut.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur për vazhdim të grevës.

Gjatë orëve të ditës, i pari i sindikalistëve arsimorë deklaroi se nuk ka asnjë sinjal pozitiv as pas takimit me Avokatin e Popullit, ani pse kishin pritur për një gjë të tillë.

“Nuk ka ndonjë sinjal pozitiv. Dje patëm një taki me Avokatin e Popullit, menduam se do të ketë ndonjë zhvillim. Ai kishte bërë angazhime që të jetë një ndërmjetësues mes palëve. Mesiguri ka biseduar edhe me Qeverinë, nga ato që i tha dje, u kuptua që Qeveria mbetet në të njëjtat qëndrime. Pra nuk është e gatshme të për të lëvizë asnjë milimetër, asnjë angazhim për të dalë nga kjo situatë”, tha ai për Nacionalen.

Ndërkaq, ndër tjerash në komunikatë thuhet se kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve kanë vlerësuar se shkresa respektive nuk solli asgjë të re.

"SBASHK-u vazhdon takimet e rregullta konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve për ta analizuar situatën aktuale dhe për t'u konsultuar se si do të veprohet më tutje, bazuar në zërin sindikal të grevistëve. Ata, pasi kanë bërë një analizë të situatës aktuale, edhe njëherë kanë kritikuar qëndrimin e gabuar të Qeverisë karshi kërkesave të tyre dhe vlerësojnë se Qeveria sikur nuk do që greva të përfundojë, ngase nuk ka bërë e nuk po bën asnjë angazhim serioz për realizimin e kërkesave të grevistëve, respektivisht negocimin e tyre. Përveç kësaj, Qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve", thuhet ndër të tjera në njoftim.

Të gatshëm për dialog

Kujtojmë gjithashtu se sot gjatë ditës, Jasharaj për Nacionalen theksoi se Këshilli Grevist i BSPK-së është i gatshëm të ulet e të diskutojë për të gjetur një rrugëdalje.

“Mund të diskutojmë, të dialogojmë. Ne kemi qenë të gatshëm të diskutojmë, ta ulim pak këtë shumën. Nuk e kemi biseduar saktë sa, sepse ai (kryeministri) na e preu, tha s’ka lëvizje nga pakoja dhe ne pastaj nuk e diskutuam kot. Sepse çfarëdo vlere që do ta thoshte anëtarësia, ajo nuk do të pranohej nga Qeveria. Qeveria ka vu pikë, kjo është pakoja, nuk lëvizim”, përfundoi ai.

Kujtojmë që greva e BSPK-së po vazhdon që nga 25 gushti i këtij viti, gjersa ka gati 3 javë që fëmijët nuk po vazhdojnë shkollën.

Kritikat ndaj presidentes

Në konferencën për media pas takimit të 3 shtatorit, Osmani kishte kërkuar konsiderimin e pakos së Qeverisë Kurti, duke theksuar se ajo ndihmon përtej rritjes në pagë, që po e kërkojnë këto sindikata.

Ndihma është shumë më e madhe, se sa ajo shifra prej 50 (euro), që mund ta ketë parë dikush. Zgjidhja do të gjindet vetëm pasi të miratohet projektligji për paga, ky projektligj, adreson dinjitetshëm çëstjen e pagave për mësimdhënësve”, kishte thënë presidentja.

Ajo kishte konfirmuar se do të angazhohet që projektligji për paga të kalojë sa më shpejtë.

"Zgjidhja mund të arrihet me dialog, assesi me kushtëzime...Asnjë politizim, nuk duhet të lejohet mbi interesin e fëmijëve të Kosovës, asnjë e drejt ligjore, nuk është mbi arsimin e fëmijëve", ka thënë Osmani.

Osmani e kishte vlerësuar si një hap pakon e preznatuar nga Kurti, duke thënë se tash radhën e kanë sindikatat për të bërë një hap.

Qeveria sot me prezantimin e pakos, ka bërë një hap për gjetjen e një zgjidhje dhe zbutjen e situatës. Tani është koha, që sindikatat të tregojnë vullnet të mirë, mësimdhënësit t’i hapin shkollat dhe të krijohet atmosferë e re në këtë dialog”, tha Osmani.

Presidentja tutje bëri thirrje që palët të ulen dhe t’i adresojnë kërkesat e tyre, e jo të japin “JO” absolute.

Palët të ulen, t’i adresojnë kërkesat. Unë e kuptoj që për shkak të krizës ekonomike, shporta familjare kushton më shumë, por këto masa duhet të shihen si masa të vullnetit të mirë, dhe si hap për zbutjen e krizës.Tani është koha që sindikatat të tregojnë vullnet, e jo të japin “JO” absolute”, ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme