(S)jemi një: Qysh u zhvillua diskutimi mes Kosovës e Shqipërisë pas përkthimit të serialit nga Top Channel?
Transmetimi i serialit kosovar “Rrushe” i titruar në gjuhën standarde ka shkaktuar një rrufe reagimesh në Kosovë dhe Shqipëri. Përkthimi shqip-shqip ka shkaktuar një debat të nxehtë në mediat shqipare e kosovare. Në diskutimin për titrimin e shout kosovar kanë reaguar edhe shumë figura publike e poltike në vend. Nga pakujdesia e të kombi kosovar ishin vetëm disa nga temat e diskutuara. Çka ndodhi dje?
Pakujdesi
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhzoi ka komentuar titrimin e serialit kosovar “Rrushe” nga televizioni shqiptar Top Channel.
Në Frontal T7, Minxhozi përkthimin e serialit kosovar e ka cilësuar si një pakujdesi jodashakeqe që ka mundur të evitohet.
“Merremi vesh patjetër. Një debat do të thoja.. nuk është një shqetësim real. Ne mes vete merremi vesh cdo ditë e më mirë. Mund ta quaj një pakujdesi jo dashakeqe, për cfarë është shfaqur, por e panevojshme. Dicka e eveitueshme, por besoj që është e paqëllimshme, por pjesë e një kanali televiziv që ka popullaritet në Kosovë”, ka thënë Minxhozi.
Tutje, ai tha se edhe vet është habitur kur ka dëgjuar për përkthimin, por thotë se janë gjëra të cilave s’duhet kushtuar shumë vëmendje.,
“Kur ma thanë, edhe unë shpreha një habi. Por janë gabime që s’duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje”, ka shtuar tutje Minxhozi.
Avancim
Edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar për përkthimin shqip- shqip nga Top Channel për serialin nga Kosova.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Pacolli I ka dalur në mbrojtje Top Medias.
“Më befasoi një artikull në Indeksonline… “Top Chanal i vendos titra ne shqip filmit nga Kosova” i cili flet për kundërshtimet e disa kritikëve kosovarë ndaj Top Chanal qe ka nëntitruar në shqip filmin “Rushe”. Me falni ju kritik per nderhyrjen por, unë mendoj se Top Chanal edhe në këtë rast avancon me ide në sektorin televiziv, për të transmetuar programe edhe për ata që nuk degjojnë. Mos harroni se shumica e atyre qe kanë probleme me dëgjimin në Shqipëri e kuptojnë më mirë dialiktin e toskërishtës. Diçka e ngjashme ndodh kudo në televizionet shoqërive të zhvilluara”, ka shkruar Pacolli.
Kombi kosovar
E pa reaguar nuk e ka lënë edhe analisti Halil Matoshi.
Matoshi ka thënë se kombi kosovar është e vetmja mburojë nga kulturocidi ndaj gegëve shqiptarë.
“Kombi kosovar âsht e vetmja mburojë nga kulturocidi i vazhdueshëm ndaj Gegëve shqiptarë!
Shqitarët kosovarë nji jetë kanë menu se përkasin në kombin unik shqiptar - në kombin e gjuhës shqipe - dhe tash u shokuen ma në fund që n’Tiranë bâhen hesap si Rendi i Dytë i qytetarisë në komb.
Sa na kanë sha e pshty “maloqt” që kurrë nuk i ranë n’fije standardit ‘72, neve, disa mrojtësve të shpirtit Gegë dhe idesë së kombit sovran kosovar, jo atij të konceptit etnik primordal (simas definicionit stalinist) po atina të solidarsisë qytetare, konceptit politik të kombit.
E tash???” – ka shkruar ndër tjera Matoshi.
Fushata kundër Shqipërisë
Por, ndryshe ka menduar analisti tjetër kosovar, Blerim Latifi.
Ai ka thënë se debati në prag të sezonës verore për titrimin e serialit “Rrushe” është fillimi i një fushate kundër turizimit shqiptar.
“Po afrohet sezona profitabile e pushimeve verore, prandaj është koha me dalë me sha Shqipninë, me dalë me folë keq për Shqipninë, me thanë "ata t'Shqipnisë nuk na duan, na përbuzin, na urrejnë, ata janë t'poshter e na jemi ma t'mirë se ata", e blla blla blla.
Krejt kjo e ka një shkak: luftën e agjencive turistike për tërheqjen e pushuesve kosovarë. Hajde ta krijojmë në publikun kosovar një klimë kundër Shqipnisë, në mënyrë që turistët kosovarë në vend të bregdetit shqiptar të zgjedhin ndonjë tjetër, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Turqi, qoftë gjetiu. Ky tregimi për serialin kosovar të titruar në ekranin e Top Channel është veç fillimi i kësaj fushate”, ka shkruar ai.


