“Sinjal i fuqishëm për shtetet mos-njohëse”: A duhet të regjistrohet në OKB marrëveshja Kurti-Vuçiq?
Marrëveshja e Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë është obligative për të dy palët, ndonëse nuk është nënshkruar nga Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq. Palët janë pajtuar që dokumenti të hyjë në fuqi me publikimin e tij nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrell.
Megjithatë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare kanë bërë me dije se do të ishte mirë që kjo marrëveshje të dërgohej për regjistrim në OKB.
Regjistrimi i marrëveshjes në Sekretariatin e OKB-së, sipas tyre, do ta fuqizonte ujdinë dhe do të dërgonte mesazhe të rëndësishme te shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Deri me tani institucionet e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë sinjale se do të kërkojnë një gjë të tillë.
Gazeta Nacionale ka kërkuar sqarime nga BE-së për këtë çështje, por zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Profesori amerikan Edward P. Joseph, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova duhet të kërkoj nga ndërmjetësi që sa më shpejtë marrëveshjen ta dërgojë në OKB.
“Po, BE-ja duhet menjëherë – pa shtyrje a arsyetim – ta regjistrojë Marrëveshjen e Brukselit-Ohrit në OKB. Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, bashkë me zyrtarët tjerë të Kosovës dhe liderët partiakë duhet t’i bëjnë thirrje BE-së që ta regjistrojë marrëveshjen në OKB, menjëherë”, ka thënë ai.
Edhe profesori i të drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, ka bërë me dije se nëse shtetet dëshirojnë që të thirren në ato marrëveshje pranë organeve të OKB-së, ato duhet të regjistrohen te Sekretari i Përgjithshëm.
“Marrëveshjet ndërkombëtare, parimisht, nuk kërkohen që të regjistrohen në OKB për të përcaktuar vlefshmërinë e tyre. Megjithatë, sipas Kartës së OKB-së, shtetet nëse dëshirojnë që të thirren në ato marrëveshje pranë organeve të OKB-së ato duhet të regjistrohen në këtë organizate tek Sekretari i Përgjithshëm”, ka thënë Rrecaj për gazetën Nacionale.
Megjithatë, ai ka thënë se organet e OKB-së po i pranojnë marrëveshjet ndërkombëtare edhe nëse ato nuk regjistrohen në sekretariat.
“Sidoqoftë, në praktikë organet e OKB-së madje edhe GJND kanë interpretuar dhe i janë thirrur edhe marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat nuk kanë qenë të regjistruara në OKB. Domethënë OKB dhe organet e saja gjithnjë e më shumë po i pranojnë edhe marrëveshjet të cilat nuk figurojnë në regjistrin e saj për diskutime dhe interpretime në situata të caktuara”, ka thënë Rrecaj për Nacionalen.
Gjashtë efektet e regjistrimit të marrëveshjes
Në një intervistë për gazetën Nacionale, profesori amerikan Edward P. Joseph ka treguar në detaje efekte që do t`i arrinte regjistrimi i marrëveshjes.
Ai ka vlerësuar se një veprim i tillë do të arrinte gjashtë objektiva të rëndësishme.
“E para, e vendos që marrëveshja është ‘ligjërisht obliguese.’ Ka shumë sfida për zbatimin qysh tash, pa pyetjen e statusit legal të marrëveshjes. Në konferencën për media të mbajtur nga Gabriel Escobar, kishte dy pyetje direkte në lidhje me atë se a ishte marrëveshja ligjërisht obliguese, nga një gazetar/e serb/e dhe një shqiptar/e. Në artikull, unë shpjegoj pse komentuesit e kanë gabim kur insistojnë që Marrëveshaj duhet të nënshkruhet në mënyrë që të jetë ligjërisht e obligueshme. Nënshkrimi nuk kërkohet. Aktualisht, kemi deklarata gojore nga Borrelli dhe Escobari që marrëveshja është ligjërisht e obligueshme. Epo, nëse është kështu, atëherë nuk duhet të ketë hezitim që të regjistrohet marrëveshja në OKB. Regjistrimi në OKB është akti që do të përforcojë fjalët e BE-së dhe ShBA-ve.”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo do t`i detyronte Kosovën dhe Serbinë që të jenë me serioze në zbatimin e marrëveshjes.
“E dyta, duke e regjistruar Marrëveshjen, BE-ja do të dërgojë sinjal krucial te Beogradi dhe Prishtina se nuk do të ketë asnjë përfitim nga sfidimi i statusit të marrëveshjes apo nga shtrembërimi i kushteve. Presidenti Vuçqi ka nënkuptuar se me qëllim ka shmangur obligimet nga marrëveshja duke refuzuar që ta nënshkruajë. Ai po ashtu e ka lidhur mos-nënshkrimin me “vijën e kuqe” serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB. Regjistrimi në OKB do të ishte një përkujtues i rëndësishëm edhe për Vuçiqin e edhe për Kurtin se në fakt, ata, kanë pranuar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, është shprehur ai.
Profesori amerikan ka treguar për ndikimet që ky veprim do t`i kishte tek vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
“E treta, regjistrimi në OKB është një sinjal i fuqishëm për Rusinë dhe Kinën në lidhje me statusin dhe seriozitetin e marrëveshjes. Marrë parasysh pozicionin e Rusisë dhe të Kinës kundër pavarësisë së Kosovës dhe interpretimin e tyre të Rezolutës 1244, regjistrimi në OKB është me rëndësi. E katërta, regjistrimi është një sinjal i fuqishëm për shtetet mos-njohëse. Siç e kam theksuar, formalitetet vlejnë kur vjen puna te shtetet mos-njohëse. Sa më formale të duket njohja de fakto e Serbisë, aq më i fortë argumenti që këto shtete ta ndryshojnë pozicionin e tyre”, ka vlerësuar ai.
Më tej, Joseph ka vlerësuar se regjistrimin e kësaj marrëveshje në OKB nuk do të mund ta kundërshtonte askush.
“E pesta, regjistrimi në OKB është sinjal i rëndësishëm simbolik për Kosovën, që aspiron anëtarësim në OKB, NATO dhe BE. E gjashta, asnjë shtet, përfshirë Serbinë, Rusinë apo Kinën, nuk mund të ankohet për regjistrimin në OKB. Në këtë artikull, unë e citoj rezolutën e Asamblesë Gjenerale të OKB-së dhe dokumentet e ndërlidhura që tregojnë se vet thirrjen e OKB-së që marrëveshjet të regjistrohen “sa më parë të jetë e mundur”, pavarësisht nëse përfshijnë shtetet jo-anëtare të OKB-së, organizatat ndërkombëtare si BE-ja, apo edhe nëse janë në status provizional”, ka thënë ai.

