“Sikur nuk po i besoni Qeverisë Kurti…”: Escobar sqaron deklaratën rreth zbatimit të Asociacionit - NACIONALE

“Sikur nuk po i besoni Qeverisë Kurti…”: Escobar sqaron deklaratën rreth zbatimit të Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mbrëmë e sot qëndroi në Kosovë, ku zhvilloi takime me liderët e partive politike dhe ata shtetërore. Gjatë kësaj kohe, emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë edhe një intervistë për Radiotelevizionin 21. Çka tha ai dhe si e sqaroi një deklaratë që u komentua shumë?

Nesër pritet që të jetë një ditë e madhe sa i përket bisedimeve Kosovë-Serbi, me takimet që nisin në orën 10:00 e ku do të marrin pjesë kryeministri Kurti, presidenti Vuçiq, kryediplomati evropian Josep Borell dhe emisari Miroslav Lajçak.

Në media u raportua në këtë takim, Escobar do të ketë rolin e “vëzhguesit”.

Çka pritet nga takimi?

Emisari Escobar e bëri të qartë se të dyja palët janë pajtuar për 11 pikët fillestare të planit, derisa tani palët pritet të pajtohen për “Aneksin e Zbatimit”.

Megjithatë, ai theksoi se nesër mund të mos ketë nënshkrim të marrëveshjes.

“Rezultate do të kemi, por dëshiroj të tërheq vërejtjen se ndoshta nuk do të kemi marrëveshje finale. Do të punojmë drejt përfundimit të Aneksit, por pres shumë përparim.” – ka thënë ai.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit e përmendi edhe një herë Asociacionin, duke rikujtuar se “Kosova duhet ta pranojë detyrimin ligjor” për ta respektuar këtë marrëveshje.

“Nuk do t’i quaja kompromise. Gjëja më e rëndësishme që shpresoj Kosova do të sinjalizojë është se qeveria e Kosovës e pranon detyrimin e saj ligjor për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kjo është e rëndësishme. Për Serbinë ka shumë kërkesa të tjera nga të gjitha ato përfiton Kosova. Pra, dëshiroj të shoh pranim të detyrimeve dhe Aneksi do të ofrojë mundësi se si të ecet përpara për të gjitha to.” – tha ai.

“…sikur nuk po i besoni qeverisë Kurti në këtë moment”

Kjo në fakt i është thënë Escobarit nga gazetari që i intervistoi, derisa po e pyeste në lidhje me një deklaratë të dhënë mbrëmë ku mes tjerash, ai tha: “Asociacioni do të ndodhë. Është çështja se cila qeveri e Kosovës do ta zbatojë atë”.

Emisari amerikan sqaroi deklaratën e tij, duke thënë se kjo ishte përgjigja kur u pyet rreth asaj që mund të ndodhë nëse kryeministri Kurti nuk e pranon atë.

“Por, në fakt, është obligim të cilin e ka marrë jo një njeri apo një parti, por një organ ndërkombëtar që është qeveria e Kosovës. Pra, shtrohet pyetja se kush do të jetë në krye kur të ndodhë? Sigurisht që pres që do të jetë kjo qeveri sepse na duhet progres menjëherë, por fakti është se për ne ju jeni anëtarë të komunitetit euroatlantik – nuk jeni pjesë të strukturave formale – por nënshkrimi juaj, nënshkrimi i liderëve tuaj të mëhershëm është i vlefshëm për ne, do të duhej të vlejë për ne dhe do të duhej të jetë i vlefshëm edhe për ju. Pra, çështja është se si të arrijmë aty duke e ditur se ky është fakt që do të ketë një Asociacion.” – ka thënë ai.

Ohri...

Ndryshe nesër pritet të ketë një takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në qytetin e Ohrit. Dje, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell në prag të takimit të së shtunës, u bëri thirrje palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen edhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ashtu siç u pajtuan për propozimin evropian.

“Këtë të shtunë, do të thërras një takim të nivelit të lartë të Dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo kohë është ndryshe nga takimet e mëparshme. Jo vetëm sepse do të takoj Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në rajon, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në vend që të takohem në sallat e njohura të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel. Por edhe sepse diskutimin tonë do ta fokusojmë në Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes së fundit të BE-së që do të rezultojë në normalizimin e gjerë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja së bashku, në thelb, do të rezultojnë në normalizimin e jetës së njerëzve në rajon dhe do të hapin rrugën përkatëse të Kosovës dhe Serbisë drejt anëtarësimit në BE.” – ka thënë ai.

Mes tjerash, kryediplomati ka përmendur edhe tensionet në veri të vendit gjatë fundit të vitit 2022, duke alarmuar se u shmang një "konflikt i plotë" mes dy vendeve.

“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u mor nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit. në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm.” – ka shkruar ai tutje.

Ndërkohë, pak më parë mediat kanë raportuar se kryeministri Kurti tashmë ka arritur në hotelin ku do të qëndrojë në Ohër, ndërsa nesër në mëngjes e presin takimet e rëndësishme.

Lajme të ngjashme