PDK edhe zyrtarisht i del kundër Propozimit Evropian
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, në të cilën është diskutuar për situatën e fundit politike në vend dhe Propozimin Evropian. Kryetari i kësaj partie ka deklaruar se vetëm një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e fokusuar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mundëson paqe të qëndrueshme dhe progres konkret në integrimet euroatlantike të Republikës së Kosovës.
Sipas kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, kjo marrëveshje është e pamjaftueshme dhe nuk i përmbush synimet shtetërore të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Nga një marrëveshje me njohje reciproke në themel të saj, fatkeqësisht sot kryeministri Kurti i ka sjellë vendit një marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në thelb të saj.” - ka thënë Krasniqi.
Këshilli Drejtues pa asnjë votë kundër miratoi deklaratën e propozuar nga kryetari Memli Krasniqi lidhur me situatën aktuale politike dhe marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Duke u ndalur në Propozimin Evropian, Krasniqi tha se ajo është e pamjaftueshme dhe nuk mund të përmbushë qëllimet shtetërore të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ai vlerësoi se marrëveshja e pranuar nga kryeministri Kurti është një marrëveshje e përkohshme me Asociacionin në qendër, ndërsa një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse e përqëndruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ajo që mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Kosovës.
Deklarata e plotë e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës:
1. Partia Demokratike e Kosovës në vazhdimësi e ka mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka inkurajuar edhe Qeverinë aktuale që të angazhohet seriozisht në këtë proces, me qëllim të arritjes së qëllimeve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të cilat është punuar për shumë vite me radhë.
2. Marrëveshja e propozuar aktualisht dhe e pranuar tashmë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është e pamjaftueshme dhe nuk arrin qëllimet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
3. Partia Demokratike e Kosovës beson se vetëm një marrëveshje finale dhe gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme dhe e garantuar ndërkombëtarisht, e përqëndruar në njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mundëson paqe të qëndrueshme dhe avancim konkret të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.
4. Më tutje, ne besojmë se marrëveshja duhet të ruaj karakterin unitar të shtetit tonë, brenda rregullimit aktual kushtetues, si dhe të krijojë mundësitë reale për njohjen formale të shtetësisë së Kosovës nga ana e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO, fillimisht përmes pjesëmarrjes në “Partneritet për Paqe”, si dhe marrjen e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE, pa u larguar nga respektimi i marrëveshjeve të arritura më parë.
5. Situata aktuale është pasojë e qasjes së papërgjegjshme të Kryeministrit Albin Kurti dhe gabimeve të njëpasnjëshme në procesin e dialogut dhe në raport me partnerët ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.
6. Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtetformuese, gjithmonë e ka vendosur dhe do ta vendosë interesin shtetëror para interesit partiak.
7. Ne do të vazhdojmë komunikimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, për të shtyrë përpara aspiratën tonë të përbashkët për një shtet të konsoliduar në arenën ndërkombëtare dhe të integruar në familjen euro-atlantike.
Kujtojmë se takimi i Ohrit me 18 mars me kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, me pjesëmarrjen e përfaqësuesit të lartë Josep Borrell dhe emisarit Miroslav Lajcak.
Në takim pritet të diskutohet për planin e zbatimit të propozimit evropian dhe të përcaktohen afatet e veprimeve që do të ndërmerren. Dy krerët ishin pajtuar më 27 shkurt për përmbajtjen e propozimit evropian, dhe në takimin e shtunën pritet të merren masa konkrete për zbatimin e tij.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kishte takuar mbrëmë liderët e partive opozitare në Kosovë. Në këtë takim nga opozita ishin të pranishëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe AAK-ja e përfaqësuar nga Ardian Gjini.

