Si u mbyll Kolegji “Mehmet Akif” në Tiranë? - Tetë pikëpyetjet e një vendimi qeverie nga eksperti i arsimit - NACIONALE

Si u mbyll Kolegji “Mehmet Akif” në Tiranë? - Tetë pikëpyetjet e një vendimi qeverie nga eksperti i arsimit

1 javë më parë

nga Miranda Shala

Mbyllja e kolegjit turk “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë, ka ngritur shumë pikëpyetje, në veçanti rreth asaj nëse një vendim i tillë është i ligjshëm apo jo.

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka vendosur mbylljen e Kolegjit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë, një ndër shkollat e vlerësuara si më të mirat ndër vite. Ky vendim ka shkaktuar një debat të fortë për shkak të një paqartësie mbi arsyet e mbylljes së shkollës.

Për të folur lidhur me këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar ekspertin e arsimit në Shqipëri, profesorin Ndriçim Mehmeti.

Pas vendimit të sotëm të paparalajmëruar, profesor Mehmeti ka ngritur disa pikëpyetje, duke e shikuar kalimin e disa hapave paraprakë që duhej të ndërmerreshin përpara mbylljes së shkollës, si të paargumentuar.

Mehmeti thotë se në vendimin për mbylljen e shkollës sheh një mungesë të theksuar transparence, pasi i njëjti vendim qartëson mbylljen por jo edhe arsyet, duke vënë në pikëpyetje edhe ligjshmërinë e këtij vendimi të marrë.

“Është një vendim i ftohtë, i paprecedentë, në hapje të vitit shkollor dhe që gjen mbështetje ligjore disi të dyshimtë,” është shprehur ai, duke shtuar se Vendimi i Këshillit të Ministrave thotë se mbështetet në nenin 42 dhe 70 të ligjit 69/2012, i ndryshuar "Për arsimin parauniveristar në Republikën e Shqipërisë".

Por çfarë thonë nenet 42 dhe 70?

Bazuar në nenet e lartpërmendura, profesor Mehmeti thotë se ka paqartësi shumë të mëdha dhe kundërshti të dispozitave ligjore.

“Duke i parë këto nene ku mbështetet Vendimi i Këshillit të Ministrave, duket se ka paqartësi shumë të mëdha dhe kundërshti të dispozitave ligjore. Neni 42 flet për shkolla që hapen e mbyllen nga Këshilli i Ministrave, ndërsa neni 70 për shkolla të cilat, janë objekt i punës së ministrisë së Arsimit. Gjithsesi, po të shikojmë me kujdes dispozita e Nenit 70 të ligjit 69/2012, të cilit i referohet Vendimi i Këshillit të Ministrave, për mbylljen e shkollës "Mehmet Akif", nuk dimë nëse shkolla e sipërpërmendur, ka pasur:

1. Shkelje ligjore dhe cilat janë.

2. A është aplikuar masa e paralajmërimit, dënimit me gjobë, parashikuar nga Neni 70?

3. Cila është shkelja e rëndë ligjore, parashikuar nga Neni 70, që ka bërë institucioni arsimor privat?

4. A është marrë masa më e rëndë që parashikohet në rastet e shkeljes së rëndë të ligjit që është pezullimi i licencës?

5. Referuar pikës 3 të Nenit 70 licencën e heq ministri i Arsimit apo Këshilli i Ministrave?

6. Pse është kaluar në masën ekstreme të heqjes së licencës?

7. Si është e mundur që në më pak se dy javë nga fillimi i shkollës, merret një vendim kaq ekstrem, të cilin vetë ligji e përcakton si shkallën më të fundit të ndëshkimit ndaj një institucioni privat me traditë 26 vjeçare?

8. Kush nga shkollat do të përfitoj nga mbyllja e kësaj shkolle, për të rritur numrin nxënësve?

Më lartë janë 8 pikëpyetjet e ekspertit shqiptar të arsimit, për të cilat thotë se publiku duhet të marrë përgjigje.

E duke përmendur qindra prindër që kanë investuar gjithçka tek shkolla e mbyllur, nxënës që kanë ndjekur një program të ndryshëm me shkollat e tjera e po ashtu edhe dhjetëra mësues dhe personel ndihmës që do të “hidhen në rrugë” pa asnjë shpjegim – Mehmeti pyet se, “a është e drejtë mbyllja e kësaj shkolle?

“Kërkohet shumë pak, nga një vend që pretendon të shkojë në BE dhe është vend anëtar i NATO-s: Transparencë dhe vetëm transparencë,” ka thënë ai për Nacionale.

Kolegji turk, “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë është hapur në vitin 1993, i vlerësuar në mesin e 10 shkollave më të mira për vite radhazi, ai sot është mbyllur pa ndonjë arsye të qartë nga qeveria shqiptare.

Por, duke qenë se kolegji është pjesë e fondacionit “Gulistan” të Fethullah Gulen, i cilësuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan si organizator i grushtshtetit të vitit 2016 në Turqi, prej kohësh qeveria shqiptare ka qenë nën presion për mbylljen e tij dhe institucioneve të tjera arsimore të lidhura me Gulenin. E, siç po shihet, këtë herë, qeveria Rama ka vendosur të bindet ndaj Erdoganit duke realizuar kërkesën e tij, pavarësisht se ekspertët arsimorë vendimin e marrë e cilësojnë të padrejtë e të paligjshëm.

Lajme të ngjashme