Sulmet ndaj Erdoganit, ngatërrimi 400 vjeçar, profesorët: Gjërat që na çuditën te promovimi i Gylenit në Prishtinë - NACIONALE

Sulmet ndaj Erdoganit, ngatërrimi 400 vjeçar, profesorët: Gjërat që na çuditën te promovimi i Gylenit në Prishtinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Promovimi i librit që himnizon jetën e një personi të akuzuar për vdekjen e qindra njerëzve në një vend mik të Kosovës dhe sulmet ndaj liderit të këtij vendi mik, përbëjnë çudi të mjaftueshme. Por, gjatë këtij eventi ka pasur edhe shumë çudi të tjera.

Në tentim-puçin e vitit 2016 në Turqi gjetën vdekjen mbi 300 njerëz dhe u plagosën mbi 2 mijë të tjerë. Për këtë ngjarje të rëndë për popullin mik të Kosovës, autoritetet turke akuzojnë pikërisht Fetullah Gylenin.

mesin e panelistëve që promovonin librin krahas autorit Jon Pahl, ishte ish-kandidati i Vetëvendosjes për deputet, z. Mazllum Baraliu.

ÇUDIA I

Baraliu më herët ka udhëhequr me Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), derisa njihet si një ndër njohësit më me nam në vend të çështjeve juridike.

Në fjalën e tij për librin, ai thotë se ka vënë re “pasionin shkencor” të Gylenit, të cilit me anë të këtij libri i sqarohet figura.

“Duke e lexuar librin për Gylenin, gjëja e parë që të lë përshtypje është pasioni shkencor për të prezantuar me sukses një botim kaq të rëndësishëm. Nevoja për këtë vepër ka qenë nevojë që sa kohë. Për protagonist janë shfaqur shumë mendime pro dhe kontra, dhe ky libër e sqaron figurën e tij.”

ÇUDIA II

Fadil Maloku mund të njihet për shumë e shumë qëndrime kontraverse, por prania e tij në promovimin e librit për Fetullah Gylenin megjithatë shpreh një çudi të madhe.

Edhe profesori i globalizimit në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës pati vetëm fjalë të mira për njeriun e akuzuar për terrorizëm.

Ai madje, nuk ngurroi ta krahasonte z. Gylen me luftëtarin e madh afro-amerikan për të drejta civile, Martin Luther King.

“Fetullah Gyleni, ashtu sikurse edhe reformatori karizmatik Martin Luter Kingu i madh që krishterizmit arriti t’i dhurojë jo pushtetin e dhunës, as fuqinë e urrejtjes, e as argumentin e konfrontimit dhe inspirimit për luftëra shkatërrimtare ndërfetare, por, i dhuroi pushtetin e dijes, natyrën e humanizmit dhe kulturën e filantropizmit islam”, tha mes tjerash z. Maloku.

Në fakt, autori i librit kishte folur për Martin Lutherin, priftin reformator gjerman që kishte çuar në Reformacionin Protestant, por jo për Martin Luter Kingun siç e ngatërroi profesori Maloku.

“... unë gjithnjë kam adaptuar parimet e reformatorit protestant të shekullit 16, Martin Lutherit”, ka thënë autori për librin e tij.

Pra, kemi të bëjmë me një ngatërrim katërqind-vjeçar.

ÇUDIA III

Një çudi tjetër – sipas kutit tonë – ishte pjesëmarrja e profesorit të filozofisë politike, z. Blerim Latifi.

Ky i fundit ka pasur shumë konfrontime dhe polemika të ndryshme me mbështetës të liderit autoritar turk, Rexhep Taip Erdogan, por besohet që kureshtja më shumë sesa riforcimi i këtij konfrontimi ta ketë shtyrë drejt pjesëmarrjes.

Kujtojmë që z. Blerim Latifi ishte këshilltar i presidentit Hashim Thaçi dhe kryekuvendarit Kadri Veseli. I pari ndër të dy, ishte akuzuar nga opozita e atëhershme (VV) për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, e të cilët Turqia i akuzonte se kishin qenë të përfshirë në lëvizjen e Gylenit.

ÇUDIA IV

Zyrtarë të Policisë së Kosovës janë parë në ambientet e hotelit Emerald ku po mbahej promovimi në fjalë.

Nuk dihet nëse këta zyrtarë policorë ishin thirrur nga organizatorët apo e kishin parë të udhës që të merrnin pjesë për shkak të ndonjë informacioni tjetër.

Njëri zyrtar policor i tha gazetarit të Nacionales se nuk ishte i pranishëm në event “që ta arrestonte ndokënd” por për arsye “sigurie”.

Deri tash, Policia nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar për arsyen e pranisë së tyre në promovim.

ÇUDIA V

Autori i këtij libri të titulluar “Fetullah Gulen, një jetë në shërbim” është John Pahl.

Ai është profesior i asociuar i historisë religjioze të Amerikës.

Sipas tij, qëllimi kryesor i Fetullah Gylenit dhe lëvizjes së tij ishte paqja, derisa regjimin e Erdoganit në Turqi e quan regjim të korruptuar. Ai pati fjalë të rënda për Erdoganin edhe pas debatit që e pasoi promovimin në fjalë. Ndër tjerash, e lidhi figurën e Erdoganit me “islamin politik”.

I pyetur pse e kishte shkruar një libër të tillë, ai tha se e kishte bërë që të “dëshmonte të vërtetën”.

Mes personave tjerë që pamë në promovim ishte edhe pasardhësi i vetëshpallur i Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina.

Lajme të ngjashme