Si ia krahasoi Kurti të hyrat presidentes që ka “banim në varg” mbi gjysmë milionë euro me pagën e policëve? - NACIONALE

Si ia krahasoi Kurti të hyrat presidentes që ka “banim në varg” mbi gjysmë milionë euro me pagën e policëve?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pagën e atyre që e mbrojnë vendin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e krahasoi me atë të presidentit Vjosa Osmani. Këta të parët, sipas shefit të Qeverisë, këtë vit kanë marrë më shumë para se sa kryetarja e shtetit.

Kjo e fundit, me koeficientin 18, ka marrë një mijë e 890 euro në muaj. Ndërsa Njësia Speciale, me gjithë shtesa, i ka marrë rreth 2 mijë euro.

Kurti u kritikua tepër shumë për këtë deklaratë, dhe Njësisë Speciale s’ua përmendi vetëm pagat pas protestës, por edhe vlerën e pajisjeve që kanë, që sipas tij, arrin diku në 10 mijë euro.

30 mijë euro në vit dhe “banimi në varg”

Nuk dihen të hyrat e këtij viti të presidentes Osmani. Por në Agjencinë Kundër Korrupsionit, vjet ajo kishte deklaruar mbi 30 mijë euro të hyra.

Presidentja madje, ishte pasuruar edhe më shumë, në vitin 2023, bashkëshorti i saj kishte investuar në një “banim në varg” në Australi, që i kushtoi hiç më pak se mbi gjysmë milionë euro.

Të hyra edhe më të larta se Osmani, vitin e kaluar raportoi bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, plot 36 mijë e 966 euro.

Çka ndodhi?

Heronjtë e Bajnskës, me maska, syze e uniforma, rreth 50 prej tyre, dolën në protest para objektit të Qeverisë.

Kërkesa e tyre, ishte shumë e thjeshtëm, kushte më të mira pune. Ata kërkuan shtesa, kërkuan që pushteti “të mos luaj me ndjenjat e tyre”.

Sipas propozimit të Qeverisë Kurti, shtesat për rrezikshmëri për Njësinë Speciale Intervenuese janë vetëm 150 euro. Për njësinë e eksplozivëve të cilët po ashtu protestuan dje, është vetëm 120.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se dhjetë vite që kemi marr premtime për benefite që na takojnë, por deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar...Ne jemi unik, sepse kërkesat tona janë legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Prandaj, ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private…Prandaj, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator 2023. Pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherëa pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara” – deklaroi njëri prej pjesëtarëve të Njësisë, para gazetarëve.

Kurti për reagimin e tij mori kritika të shumta nga opozita, mediat, analistë.

Kritikave madje, iu bashkuan edhe qytetarët. Siç raportoi Nacionale, në shkrimin e tij në Facebook numërohen rreth tre mijë komente, me komentuesit që kritikuan Kurtin për një qëndrim të tillë.

Lajme të ngjashme