Si ia besoi shteti 'shërbimin sekret' një të dënuari për pranim të paautorizuar të mallit?
Kosova nga sot e tutje do të jetë me inspektor të ri të AKI-së. Këtë përgjegjësi mbi supe do ta mbajë Kujtim Shala.
Lajmin për inspektorin e ri të përgjithshëm e konfirmoi edhe Presidenca, përmes një komunikate zyrtare.
Përmes këtij njoftimi gjithashtu u mësua se pararendësi i Shalës, Burim Ramadani kishte dhënë dorëheqje.
Dorëheqja e këtij të fundit ishte raportuar në media vetëm pak orë para se të publikohej nga zyrja numër një e vendit tonë.
Nacionale tentoi të flasë me Ramadanin, por me këtë të fundit që ishte i paqasshëm.
"Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë.
Ata kanë falënderuar z. Ramadani për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale.
Pas konsultimeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, z. Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës", thuhej mes tjerash në komunikatë.
Kush është Kujtim Shala?
Emër që mund t'ju asociojë me dikë tjetër, por që nuk është ai i LDK-së. Shala, deri më tani ka qenë i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Megjithatë, duket se atje nuk ka lënë një pasqyrë të mirë prapa vetes. Kjo për shkak, siç shihet në një dokument të siguruar nga Nacionale, ai ka qenë edhe i suspenduar.
Madje, për një periudhë gjegjëse ka pranuar vetëm një pjesë të pagës, konform dispozitave ligjore dhe dënimit që e kishte marrë.
Sa ka qenë në FSK, Shala ishte dënuar nga autoritetet, për shkak se kishte pranuar mall të paautorizuar.
Kështu shihet edhe në arsyetimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë.
"1.Z. Kujtim Shala i lindur me 27.03.1980 me nr.letërnjoftimi ********** dhe Adresë të banimit, Barilevë Prishtinë në cilësinë e shërbyesit civil me koeficient të pagës A-3 dhe titull të pozitës Zyrtar i lartë i TI-së në FSK - KFT, pezullohet nga detyra e punës dhe i ndalohet 1/3 e rrogës, për një periudhë dy muaj, pas plotfuqishmërisë së vendimit", thuhej ndër të tjerash në vendimin respektiv.


Stërbesimi
Nuk dihet pse krerët më të lartë shtetërorë ia kanë besuar një pozitë kaq të rëndësishme një të dënuari të mëparshëm.
Për t'ua qartësuar lexuesve, kjo pozitë, Inspektor i Përgjithshëm i AKI-së, është një nga pikat kyçe të sistemit sekret, andaj edhe është parë si "çudi" në vete ky angazhim.
Gjithsesi, mbetet të shihet se cili do të jetë arsyetimi i zyrtarëve për këtë angazhim, ndërsa kujtojmë se Shala edhe më tutje nuk është deklaruar rreth emërimit.
