Si e humbi foshnjën si pasojë e gazit lotsjellës në demonstrata? – Rrëfimi i rrallë i Luljeta Pula-Beqirit
Një ditë më parë u publikua Intervista e Buzhalës, njëherit e para nën formatin e bashkëpunimit mes Nacionales dhe Radio Televizionit 21.
Nga e hëna që lamë pas, e çdo të hënë tjetër në orën 21:30, do të mund ta ndiqni emisionin "Intervista e Buzhalës", prodhim i Gazetës Nacionale.
Për ata që s'e përcollën gjatë premierës, kujtojmë se në këtë episod të parë, kishim mysafire. Një grua. Një heroinë prej vërteti. Ajo që madje edhe kishte humbur një foshnje në muajin e shtatë të shtatëzënisë gjatë demonstratave të vitit 1981. Bëhet fjalë për Luljeta Pula-Beqirin.
Për gjeneratat më të vjetra është emër që thotë shumë. Pula-Beqiri ka qenë profesoreshë në fakultetin xehetaro-metalurgjik, ndërsa ka qenë një nga pjesëmarrësit e thuajse secilës demonstratë, që nga ajo e vitit 1981.
Megjithatë, ashtu siç e tha edhe autori përgjatë emisionit, shteti i Kosovës nuk arriti t'i sigurojë të paktën një ulëse në ndonjërën prej radhëve gjatë shpalljes së Pavarësisë.
"Në 81’-shin nuk ka demonstratë ku nuk kam marrë pjesë. Nuk kam qenë organizatore e tyre. Nuk kam qenë organizatore as më 1968, por kam qenë një pjesëmarrëse aktive, e thjeshtë e tyre. Jetë që ia kam kushtuar Kosovës. Nuk e kam jetuar jetën time. Nuk e kam jetuar jetën për fëmijët e mi. Kam jetuar jetën me Kosovën dhe për Kosovën. Në vitin 1981 kam qenë profesoreshë në fakultetin xehetaro-metalurgjik është quajtur atëherë, tash fakulteti i gjeo-shkencave dhe teknologjisë. Unë jam Prof.Dr i Teknologjisë Kimike, Inxhiniere e Teknologjisë Kimike. Profesoreshë e rregullt, pra ordinare e fakultetit të gjeo-shkencave dhe teknologjisë. Atëherë nuk ka qenë aspak e lehtë pjesëmarrja në ato demonstrata të vitit 1981, sepse unë kam marrë pjesë si profesoreshë dhe ajo nuk ka mundur të kalojë pa u vërejtur", tha fillimisht ajo.
Tutje, Luljeta Pula-Beqiri tregoi përvojën e saj të hidhur se si deshën ta përjashtojnë nga fakulteti, kurse më vonë edhe ndjekjen ndaj saj nga anëtarë të UDB-së jugosllave.
"Fillimisht dua të them që nuk dua të tingëllojë si lavd, por nuk kujtoj një intelektual t’i ketë mbështetur hapur demonstratat e vitit 81’-shit. Ndoshta nuk kam qenë e vetmja, por unë nuk kujtoj dikë tjetër që me 5 prill 1981 në fakultet kam kundërshtuar hapur vlerësimin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të ish-Jugosllavisë për Kundër Revolucion. E kam kundërshtu atë, kam bë pyetje kush i ka ftu policinë speciale me i rrah fëmijët tanë në konvikte dhe menjëherë është mbledh mbrojtja territoriale ku më pas kanë kërkuar largimin tim nga procesi mësimor. Megjithatë, nuk më larguan nga procesi mësimor. Por, filluan ndjekjet e hapura të UDB-së jugosllave në çdo hap timin".
Më poshtë edhe pjesa e zgjeruar këtu, kurse lart gjeni episodin e plotë. Shikim të këndshëm.

