Si do të ‘ballafaqohet’ Qeveria e ardhshme me këto tri dokumente?
Nëse lexuesit intrigohen nga fjalia me të zezë “…nuk ka të bëjë fare me qëndrimet e Uashingtonit” dhe nëse pyesni me të drejtë: po atëherë, pse është kërkesë – edhe e Uashingtonit – që Asociacioni të themelohet…?
Një historik i shkurtër:
Më 27 shkurt 2023 kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, arritën Marrëveshjen e Brukselit – që shpesh e dëgjojmë t’i thuhet edhe ‘Marrëvezhja Bazë’ – dhe e cila përmban 11 nene.
Një muaj më vonë, më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiq, arritën pajtim edhe për atë që njihet si Aneksi i zbatimit (ose qysh haset shpesh në diskutrin publik si “Marrëveshja e Ohrit”).
Në tetor të vitit 2023, Bashkimi Evropian ia dorëzoi Kosovës dhe Serbisë, një draft-statut që e quajti ‘modern’ për formimin e Asociacionit.
Për të gjitha këto tri dokumente, kryeministri Albin Kurti, në fillim kishte një kërkesë që përkonte me ‘rendin hierarkik të gjërave’ – që nënkuptonte – gjërave t’u shkohej me radhë, ose më shkurt: jo Asociacioni i pari.
Por këtu, ‘çonte krye’ pika pesë e Ankesit të zbatimit (Planit të zbatimit), e cila thotë:
“Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së”.
Kjo pikë, i referohej nenit shtatë të Marrëveshjes Bazë, që vijon si më poshtë:
(Neni 7)
Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Kërkesës së vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare (ShBA dhe BE), Kurti do t’i përgjigjej me modifikimin e arsyetimit për rendin hierarkik të gjërave, me një shembull më konkret: mos e shqyeni paketën.
Rritjes së presionit ndërkombëtar për dërgimin e draftit të Asociacionit për verifikim në Gjykatën Kushtetuese, Kurti krejt kah fundi, iu përgjigj duke e cilësuar si ‘non-paper’.
Mes këtyre zhvillimeve, drafti i Asociacionit ‘e lidhi fatin’ e Kosovës edhe me (mos)anëtarësim në Këshillin e Evropës, për çka Nacionale kishte publikuar ekskluzivisht Letrën e Zotimit, ku Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, kishin dërguar letër ku zotoheshin ‘besnikërisht për themelimin e Asociacionit’.
Fushata elektorale në Kosovë, sa po diskutohet kjo temë?
Në studio televizive, është një nga pyetjet që ngritet shpesh: Cilado parti që vjen në pushtet, VV sërish, ose nëse opozita formon Qeverinë e ardhshme, si do t’ia bëjnë me këto dokumente?
Për Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në fakt, Draft-Statuti i Asociacionit, është Draft-Kushtetute për komunitetin serb në Kosovë.
“Zoti Kurti, ka pranuar në parim një draft-statut që nuk ka të bëj fare me procesin historik të negociatave për atë çështje. Nuk ka të bëj fare me qëndrimet e Uashingtonit dhe nuk ka të bëj fare me Asociacionin e komunave serbe, por është një lloj draft-Kushtetute, që do të themelojë së pari autonominë”, thotë Kujtim Shala në emisionin ‘Rubikon’.
Nëse lexuesit intrigohen nga fjalia me të zezë “…nuk ka të bëjë fare me qëndrimet e Uashingtonit” dhe nëse pyesni me të drejtë: po atëherë, pse është kërkesë – edhe e Uashingtonit – që Asociacioni të themelohet, rikthejmë në kujtesë një opinion të publikuar nga këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, z.Derek Chollet dhe tashmë, ish-i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, publikuar ekskluzivisht më 30 janar 2023, me titull: “Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, veç tjerash thuhej:
“…Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje"
“…Çka nuk do të ishte Asociacioni? Nuk do t’ia shtonte Qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ”
Megjithë këtë opinion të rëndësishëm të dyshes amerikane, që kryeministri Albin Kurti do t’i referohej shpesh, kur fliste për themelimin e Asociacionit, ka një episod interesant që e tregon këshilltari i Qeverisë Kurti (por edhe këshilltar i shumë qeverive të Kosovës ndër vite) z.Marc Weller.
Autori i librit ‘Shtetësia e kontestuar’ (ku trajton rastin e Kosovës, rrugën e saj për liri dhe pavarësi, por i përqendruar kryesisht në procesin negociator), tani këshilltar i kryeministrit Kurti, do ta rrëfente një episod interesant të negociatave për Aneksin e Ohrit:
“...Për shembull, Aneksi i Marrëveshjes Bazë pësoi ndryshime fondamentale në dëm të Kosovës vetëm disa orë para se të nisnin negociatat e Ohrit në mars, në një përpjekje evidente që të akomodohej Serbia”.
“…Delegacioni i Kosovës kishte planifikuar të udhëtonte për në Ohër më 17 mars. Nga ora 21:00 të mbrëmjes, natën para nisjes, pra vonë pas mbylljes së orarit të punës, vetëm një kopje e Projektaneksit të reviduar i ishte dorëzuar Qeverisë së Kosovës.
“…Sidoqoftë, pra vonë natën, pak para nisjes, një version krejtësisht i ri i Aneksit ishte dorëzuar, tash me 18 në vend të 8 paragrafësh dhe në tri faqe në vend të faqes së vetme të versionit paraprak”.
Kritikët do të kërkonin përgjigje nga z.Kurti lidhur me disa prej paragrafëve të analizës dhe rrëfimit të z.Weller, si për shembull në pyetjen se pse delegacioni i Kosovës pranoi negociatat e Ohrit, me gjithë zhvillimet, si disa që pasqyron vetë z.Weller (paragrafet më lart).
Përgjigja nuk u dha kurrë deri tash.
“Marrëveshja e Brukselit trajton materie kushtetuese që nuk kanë asnjë lidhje me rendin kushtetues të Kosovës. Draft-Statuti i Asociacionit në të vërtetë është draft-Kushtetutë që projekton autonominë territoriale për serbët e Kosovës me rikthimin e pushtetit formal të Serbisë në së paku katër fusha dhe që në tërësinë e tij duket si document që skicon Kosovës në një organizim federal ose konfederal.
Në takimin e djeshëm të së paku dy përfaqësuesve të dy shteteve shumë të rëndësishme, e kemi diskutuar. Draft-statuti nuk është miratuar, por vetëm është pranuar në parim. Ai ka thënë se ka bërë disa vërejtje, por nuk e kemi parë asnjëherë. Ne ju kemi dhënë një dokument me vërejtjet tona disa shteteve mike dhe që lidhen me këtë dokument. Mendimin ua kemi dhënë me shkrim, ndërkaq qëndrimi jonë politik është se ai dokument nuk mund të pranohet për LDK-në. Edhe përfaqësuesit e vendeve mike, po thonë se nuk është i mirë, pra meqë nuk është i mirë duhet të bëhet një document tjetër.
Propozimi jonë është të hartojë dokumentin e ri në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës dhe të ecim më tutje”, thotë Kujtim Shala i LDK-së.