“Shumica i besojnë gjykatës” – A u demantua sot përfundimisht sondazhi i kryetares së Speciales? - NACIONALE

“Shumica i besojnë gjykatës” – A u demantua sot përfundimisht sondazhi i kryetares së Speciales?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mijëra qytetarë nga vise të ndryshme të Kosovës kishin marrë rrugë sot për në kryeqytet. Prishtina u bë vendtakim i një mase të madhe njerëzisht, të cilët marshuan duke kërkuar drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Hagës.

Të gjithë me pankarta në duar “Liria ka emër”, “Historia nuk mund të rishkruhet”, “Drejtësi, jo politikë”, kërkuan që procesi gjyqësor në Hagë të trajtohet sipas ligjeve.

Ky marsh u vlerësua si një nga organizimet me pjesëmarrjen më të madhe në Kosovën e plasluftës.

Edhe pse nuk dihet një numër i saktë, turma e njerëzve ishte duke nisur nga sheshi “Skënderbeu” e të paktën deri te ai “Nëna Terezë”.

Pjesëmarrja masive në këtë marsh sidoqoftë, duket se demanton një deklaratë të cilën e kishte dhënë kryetarja e Gjykatës Speciale muaj më parë. Ajo kishte deklaruar se bazuar në sondazhet që ata i kanë bërë, shumica e kosovarëve i besojnë kësaj gjykate.

No description available.

“Në fakt, sondazhi ynë rreth opinionit publik vitin e kaluar tregoi se pavarësisht atyre që vokalisht kundërshtojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, shumica e njerëzve besojnë se gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedimet do të jenë të drejta dhe se do të bëjmë çfarë të mundemi për të mbrojtur dëshmitarët”, kishte thënë ajo për Albanian Post.

Nuk dihet nëse shifrat e kryetares së Speciales ende janë të njëjta, megjithatë pamjet e sotme nga protesta e thonë krejtësisht të kundërtën.

Kush nga pushteti ishte në protestë?

Vetëvendosje pardje i dha mbështetje në mënyrë publike kësaj iniciative.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! Mbështet Marshin për Drejtësi që do të mbahet këtë të diele më 2 prill prej orës 14:00 në Sheshin Zahir Pajaziti.” – thoshte kjo parti politike.

Megjithatë, as 48 orë më pas, pak figura të kësaj partie politike janë parë në mesin e dhjetëra mijëra pjesëmarrësve të marshit.

Praninë e tij e ka dëshmuar me anë të një fotografie, ish-kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri. Derisa, gazetarët e Nacionales e kanë parë në marsh edhe deputetin Jahja Kokaj.

Megjithatë, nuk është parë askund kryeministri i vendit Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca apo ndonjë figurë tjetër e rëndësishme e partisë më të madhe në vend.

I pyetur në lidhje me Marshin për Drejtësi të enjten, kryeministri i Kosovës tha se nuk kishte dëgjuar asnjëherë për këtë iniciativë por se do të analizonte se kush ishin organizatorët.

Kujtojmë se shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, është mes të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë.

Çfarë u deklarua në protestë?

Këtë marsh tejet të madh po del se e ndiqnin live edhe vetë liderët e UÇK-së që janë në Hagë.

“Në këto momente ata janë duke na përcjellur drejtpërdrejt nga Haga çlirimtarët tanë. Bashkimi jonë është ajo që i duhet Kosovës. Vetëm kështu ja kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën, dhe ta kërkojmë të drejtën”, tha Krasniqi.

No description available.

Kryetari i PDK-së, Krasniqi, kujtoi sfidat që ka kaluar ndër vite Kosova.

“Si popull e si komb kemi bërë marsh të gjatë historik. Prej kërkesave legjitime për barazi e liri. Deri te lufta e lavdishme e UÇK-së. Dhe këtë marshim të popullit na e kujton edhe ky bashkim i yni sot. 42 vjet më parë, po më 2 prill, rrugët e Prishtinës ishin mbushur që kërkonin Kosovën republikë si përgjigje ndaj shtypjes dhe popullit tonë. 24 vjet më parë po më 2 prill, rrugët e Prishtinës u mbushën me burra e gra, pleq e fëmijë, këtë herë të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve të Policisë e ushtrisë së Serbisë”, ka thënë ai.

“Po, ne po kërkojmë drejtësi. Sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë para drejtësisë. Kërkojmë drejtësi, sepse drejtësia është virtyti që e vulos të vërtetën e popullit tonë”, theksoi ai.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini, ka folur para masës së madhe në protestën për krerët e UÇK-së në Hagë.

Ai ka folur i emocionuar, teksa ka çuar edhe një mesazh për ata që kanë dilema për luftën e UÇK-së.

“Mashallah me dalë me fol para kësaj mase kaq të madhe. Mashallah e keni bërë më të bukur Prishtinën me iu tregu atyne që nuk po marrin vesh se Liria ka emër. Ky popull është hala i fortë. Sikur që jemi edhe na të fortë. Ju jeni ata që na keni shpëtu”, tha Qerkini, raporton Nacionale.

“I kemi 11 mijë viktima. Vetëm ju e dini çka do të thotë me i shpëtu krejt ato familje prej tmerrit. Në vend që sot të flasim për zhvillimin të flasim për llogaridhënien e atyre që kanë bërë këtë krim kanë bërë këtë masakër, ne përkujtojmë jo vetëm se po na e kana po pse është drejtësi dikund në botë se pa drejtësi po na mbahen në Hagë pa pikë faji”, tha Qerkini.

Ai përmendi me emër të gjithë pjesëtarët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja.

“Hashim Thaçi, profesorin Jakup Krasniqi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin. Rexhep Selimin. Të gjithë ata që janë padrejtësisht në Hagë”, tha ai.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të fillojë nesër nga ora 09:00.

Lajme të ngjashme