Shumica dërmuese e mësuesve dalin kundër propozimit të pushtetit, greva vazhdon - NACIONALE

Shumica dërmuese e mësuesve dalin kundër propozimit të pushtetit, greva vazhdon

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mësimdhënësit kanë dalë kundër propozimit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, për të zëvendësuar grevën me mos vendosjen e notave për nxënësit.

Mbi 600 mësimdhënës kanë votuar kundër një propozimi të tillë, ndërkaq vetëm rreth 30 kanë qenë për.

"Qysh sonte jemi të gatshëm të takohemi. Nganjëherë duket sikur Qeveria nuk ka interes ta ndalë grevën. Të ftosh takim, e ta nisësh me akuza, është sikur mos me dashtë me gjetë zgjidhjen”, ka thënë përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, pas këtij takimi që u mbajt online.

Këtë takim e kanë ndjekur në versionin online edhe anëtarët e tjerët të Komisionit për Arsim, përfshirë deputetët nga Vetëvendosje.

Takimi i paradites

Një takim tjetër mes sindikalistëve, deputetëve dhe dy ministrave të Qeverisë Kurti II, Hekuran Murati e Arbërie Nagavci u mbajt sot në Komisionin parlamentar për Arsim. As këtu, nuk pati marrëveshje.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj mungoi në këtë takim, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, si zakonisht, u lut që mos t’u mohohet nxënësve e drejta për arsim, por pa thënë diçka të re.

Ministri Hekuran Murati, i njohur në krejt këtë situatë edhe si kërcënuesi i sindikalistëve, provokoi këta të fundit. Ai e pyeti sindikalistin Ymer Ymeri, se cilës parti i takon.

Përplasjet e Qeverisë me sindikalistët nuk janë të reja. Diçka tjetër e re që u pa në këtë mbledhje, deputeti i VV-së Eman Rrahmani mori pjesë, ani pse nuk është anëtar i komisionit.

Ky i fundit madje, ka përkrahur kërkesat e sindikatës duke i quajtur “të drejta” dhe që duhen “mbështetur”.

As Kuvendi s’ofron zgjidhje

Për dy ditë, të zgjedhurit e popullit në Kuvend debatuan për mundësinë e gjetjes së një zgjidhje për ngërçin e krijuar në arsim dhe procesin mësimor, që do të duhej të fillonte para 23 ditësh.

Pati një debat të gjerë fillimisht, deri kur Partia Demokratike e Kosovës të enjten prezantoi një rezolutë.

Kjo rezolutë, për të cilën foli shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, u hodh në votim të premten. Megjithatë, nuk gjeti mbështetje.

Me 39 vota kundër, 22 për dhe 6 abstenime, ky dokument nuk ka kaluar në Kuvend.

22 deputet kanë qenë për rezolutën, 39 kundër dhe 6 abstenime. Kështu që konstatoj se nuk kalon kjo rezolutë e Grupit Parlamentar të PDK-së”, ka thënë kryetari i Kuvendi, Glauk Konjufca.

Rezoluta, e cila është prezantuar dje para deputetëve, tregonte hapat që duhet t`i ndërmarr qeveria për ndërprerjen e grevës në arsim.

Ajo parashihte që të zhvillohen negociatat mes Qeverisë dhe Këshillit të Grevistëve të BSPK-së deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.

Kërkojmë nga Qeveria që në një afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, kishte thënë deputeti Tahiri në seancën e të enjtes.

Lajme të ngjashme