Ministria e Financave publikon E-Mailet me grevistët: Insiston se do t'ua ndalojnë pagat
Ministria e Financave ka bërë publik komunikimin që e kanë pasur me anëtarët e këshillit grevist, në lidhje me pezullimin e pagave për punëtorët që po mbajnë grevë.
Në një komunikatë për media, zv/sekretari Enis Spahiu ka theksuar se nuk kanë qenë të informuar për grevën.
Megjithatë, në Emailen tjetër është përgjigjur Ali Sefaj, kryetar i këshillit grevist.
“Me lejoni edhe njëherë të ju njoftoj se grevën e përgjithshme e ka shpallur BSPK dhe ka njoftuar qeverinë me kohë, 7 ditë para mbajtjes se saj. Për grevën e përgjithshme njoftohet Qeveria dhe jo ministritë, agjencitë apo dikasteret e veçanta veç e veç”, thuhet në përgjigjen e Sefajt.
Kurse për paralajmërimin për mospagesat, Sefaj është mbështetur në nenet e Ligjit për Grevat.
“Sipas paragrafit 1 të nenit 13 të Ligjit për Greva : 1. Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”.
Ndërkohë, në fund ka theksuar se edhe nga ana e Qeverisë, “presioni dhe pengimi i grevës dënohet sipas legjislacionit me fuqi”.
E zv/sekretari ka insistuar se Ligji ka pësuar ndryshime, andaj iu lejohet ndërprerja e pagave.
“Po ju përgjigjem shqetësimeve që i keni ngritur në shkresën paraprake. Sipas nenit 8, paragrafi 1, i Ligjit për Greva përcaktohet qartë që njoftimi duhet t’i bëhet punëdhënësit. Në anën tjetër, sipas nenit 18, paragrafi 3.6, Ligjit për Organizimin e Administratës, parashihet së pozita e SP-së të vendos për administrimin e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore, të sistemit ministror, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, për nivelin nëpunësve administrativ dhe mbështetës, në nenin 79 të Ligjit për Zyrtarët Publik, për nëpunësit administrativ dhe mbështetës, parashihet qartë që punëdhënës në këtë marrëdhënie pune është udhëheqësi më i lartë administrativ i institucionit. Andaj, mendoj se njoftimi do të duhet t’i bëhej Sekretarëve/ZKA-ve. Kështu besoj greva do të ishte organizuar më mirë dhe ne i kishim kryer edhe përgjegjësitë tona”, thuhet në emalin e Spahiut.