Shumë mjekë të papunë në Odën e Mjekëve, Ministri Vitia thotë se do të hapet konkursi për specializim
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka apeluar që mjekët që janë jashtë vendit dhe veprojnë atje, të kthehen dhe të punësohen në Kosovë, në inistitucionet publike.
“Si e tillë nuk e di apelin që e ka bërë por është bërë një apel nga Ministria e Shëndetësisë që kolegët tanë që janë të punësuar jashtë apo që kanë një provojë që të kthehen të kontribuojnë, të punësohen në institucionet tona publike. Për ato flitet gjithmonë për mjek specialist, këta të cilët janë të papunë, me përjashtim të 10-12 të cilët janë specialistë të lëmive të cilat vërtet janë lëmi të ngopura në punësim, të tjerët janë mjek të përgjithshëm që në të vërtet do të duhej që të punësoheshin në shtëpi të shëndetit, por ne për zvogëlimin e numrit të këtyre dhe mbajtjen e diturive në vazhdimësi të mjekëve të rinj ne kemi propozuar që të fillohet me sistemin që e ka gjithë Evropa, që të punësohen edhe mjekë në klinikë dhe reparte të ndryshme në nivel sekondar dhe terciar”, thotë ai.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë është bërë ai kaosi i madh me specializant, pasi një pjesë e tyre kanë shkuar.
Sipas tij, vitin e kaluar nga 211 mjekë të ri të cilët janë larguar, 27 për qind e tyre kanë qenë specializant, do të thotë se 40 prej tyre vetëm se kanë ecur për shkak të kushteve të cilat nuk u janë ofruar, e sipas tij këto janë kushtet të cilat janë të pa pranueshme për një gjeneratë të re që është shumë ma kërkuese se gjeneratat tona .
“Interesat personale brenda Ministrisë së Shëndetësisë me vite të tëra tash të grupacioneve të ndryshme kanë bërë që të bëhet luftë e madhe kundër Odave edhe shpesh me goditje të ulëta sa i përket specializimeve. Ne këtë udhëzim administrativ që ende është në fuqi e kemi kontestuar dhe kemi kërkuar një opinion ligjor nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë e cila ka thënë që ky udhëzim është në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe ish-ministrat kanë vazhduar më të sepse kanë qenë interesat më shumë personale se sa për të bërë kuadro të reja”, thotë më tej Sejdiu.
Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se do të hapet konkursi për sepcializim.
Ai për Ekonomia Online ka thënë se është udhëzimi administrativ për shkollim specialistik për të cilin thotë se ka kërkuar nga grupi punues të ta katalizoj dhe të marrin natyrisht.
“Është udhëzimi administrativ për shkollim specialistik i cili unë kam kërkuar nga grupi punues të ta katalizoj dhe të marrim natyrisht ky udhëzim duhet të ketë të gjitha vërejtjet të cilat kanë ekzistuar më herët për hapjen e specializimeve. Besoj që shumë shpejtë në mos për dhjetë ditë ose dy javë ky udhëzim administrativ do të jetë në tavolinën time dhe posa të nënshkruhet udhëzimi administrativ ku do të adresohen të gjitha ato vërejtjet e problemet e identifikuara më herët që mos të na përsëriten prapë, menjëherë do të hapet edhe konkursi për specializim”, tha Vitia.
