Shteti gati për raundin e dytë të zgjedhjeve: KQZ-ja shpërndan materialin zgjedhor, Prokuroria angazhon dhjetëra prokurorë - NACIONALE

Shteti gati për raundin e dytë të zgjedhjeve: KQZ-ja shpërndan materialin zgjedhor, Prokuroria angazhon dhjetëra prokurorë

3 javë më parë

nga NACIONALE

Institucionet e Kosovës i kanë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave. Për të siguruar që ky proces të jetë sipas standardeve të kërkuara, KQZ-ja sot ka nisur procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, kurse Prokuroria e Shtetit ka angazhuar rreth 80 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

Një ditë para mbajtjes së balotazhit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore, përfshirë edhe fletëvotimet. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se materialet janë dërguar në Qendrat Komunale të Numërimit në 18 komunat, ku të dielën do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash.

Ai ka bërë me dije se të dielën herët në mëngjes fletëvotimet do të shpërndahen nëpër Qendrat e Votimit, të cilat do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

Edhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Përmes një komunikate për media, prokuroria ka treguar se për këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial.

Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 80 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, është thënë në komunikatën për media.

Të dielën, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 525 Qendra të Votimit, me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 qendra me 1,628 vendvotime për votimin e rregullt dhe 18 qendra, nga një për çdo komunë ku mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve, me 20 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

KQZ ka shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund.

Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave do të mbahet në këto 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Lajme të ngjashme