"Shtet deri në fund": VV-ja i gëzohet pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari, përmes një komunikatë për medie, ka njoftuar se i është pezulluar certifikata e biznesit “Klan Kosovës”. E gjitha ka nisur pas një kallëzimi penal që MINT ka bërë në Departamentin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës. Ky lajm e ka gëzuar kampin e pushtetit.
Shumë deputetë, aktivistë e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë reaguar pas njoftimit të MINT-it, duke e duatrokitur virtualisht vendimin. Disa deputetë reaguan me shkrime personale, ndërsa disa deputetë të tjerë e shpërndanë njoftimi ne MINT-it, ku tregohej se ka dorëzuar një kallëzim penal në lidhje me këtë çështje.
I pari që reagoi, ishte deputeti i VV-së nga qyteti i Ferizajt, Dimal Basha. Në profilin e tij, ai shkroi se Kosova do të bëhet.
“Ministria e Industrisë e Republikës së Kosovës sot:
▪️inicon kallëzim penal ndaj Klan Kosova,
▪️inicin kallëzim penal ndaj zyrtarëve në ARBK që e kanë fsheh se ka qenë si investim i huaj nga Serbia, si dhe
▪️pezullon certifikatën e biznesit Klan Kosova!
Kosova do bëhet, vetëm duhet kohë dhe vendosmëri!” – shkroi ai.
Përveç Bashës, status ka shkruar edhe një deputete pak e njohur e VV-së, me emrin Mirlind Tishukaj-Sadiku. Në një postim në profilin e saj, deputetja e VV-së ka shpërndarë tri fotografi, në mesin e të cilave edhe shkresa e Ministrisë së Industrisë, e cila mori vendimin për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.
Ajo ka shkruar dy fjali, por që janë goxha këmbuese. E para, e potencon nevojën për “shtet deri në fund”, ndërsa e dyta, është një kumt për mbështetjen e saj personale për kryeministrin Albin Kurti.
“Shtet deri në fund!!
Me kryeministrin Albin Kurti!!” – shkroi ajo.
Ndërsa statusin e Ministrisë së Industrisë e kanë shpërndarë disa deputetë, përfshirë Fitore Pacolli, Arjeta Fejza, Yllza Hoti, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Fatmire Kollçaku e të tjerë. Natyrisht, postimin e MINT e kanë shpërndarë edhe aktivistë e zyrtarë të tjerë të VV-së, përfshirë Arlind Manxhuka, Valon Hoti e Behar Jashari, që është kryetar i Rinisë së LVV-së.
Çka vendosi Ministria?
Në njoftimin e Ministrisë, kuptohet se MINT ka ushtruar një kallëzim penal për shkak të dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare të zyrtarëve përgjegjës në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.” – thuhet që në hyrje të komunikatës së Ministrisë.
Duke u thirrur në aktet ligjore, MINT ka treguar se e ka pezulluar certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” SHPK, deri në një vendim tjetër.
“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.” – thuhet tutje në komunikatë.
Ministria është thirur edhe në një raportim të një medie të afër me pushtetin, e cila dje raportoi në lidhje me pronësinë e televizioni Klan Kosova.
“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë.” – thuhet aty tutje.
Gazeta Nacionale është duke tentuar të vë kontakt me personat përgjegjës në televizionin Klan Kosova. Po sa ta kemi një qëndrim zyrtar nga ky televizion, atëherë i njëjti qëndrim do të bëhet publik për lexuesit tanë.
Kujtojmë që televizioni Klan Kosova është një nga televizionet më të mëdha të Kosovës dhe në publik njihet se është pronë e Shkëlqim Devollit, biznismen nga Peja. Ndryshe, para disa ditëve, Adriatik Kelmendi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit gjeneral të Klan Kosovës.


