Shqiptari nga veriu: S’ka siguri, të shtënat e armëve po vazhdojnë edhe në këto momente
Situata në veri gjatë ditës së martë ka qenë e tensionuar, ku kohë pas kohe, janë dëgjuar shpërthime, ndërsa është raportuar edhe për të shtëna armësh.
Një qytetar nga Mitrovica e Veriut, i cili ka dashur të qëndrojë anonim, ka thënë për Nacionalen se tash e disa netë, pjesëtarë të komunitetit serbë po qëndrojnë nëpër rrugë, duke përmendur këtu videon e publikuar para pak ditësh.
“Qe 3-4 netë, nëpër rrugica qëndrojnë njerëz të komunitetit serbë, kah 3-4 persona minimum (mbrëmë ose parmbrëmë keni mujt me e pa videon e tre rrokaqiejve). Sot ku KQZ vendosi me polici me shku nëpër zyrës e tyre dhe me ushtru detyrën, nuk ka pasë gjasa me u afru afër zyrës, për shk kqë tërë kohën, në një distancë jo të largët prej zyrës, kanë qendruar persona të komunitetit serbë, të gatshëm mos me leju kërkon me hy.” – ka thënë ky qytetar.
Ky qytetar, i ka thënë Nacionales se edhe në momentet derisa po kontaktonte me neve, po dëgjoheshin të shtëna me armë.
“Ka pasur edhe të shtëna të kohë pas kohshme të armëve, të cilat po vazhdojnë edhe në këtë moment. Siguri nuk ka. Polici pothuajse hiç. Sidomos në pjesën e tre rrokaqiejve, përveç një veture të Carabinierve që patrollojnë, tjerë nuk ka. Sa për Eulex, në rast eskalimi të situatës, janë të parët që ikin.” – ka thënë ai.
Çfarë tha Sveçla pas shpërthimeve në veri?
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas disa shpërthimeve që kanë ndodhur sot në veri të vendit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sot Policia e Kosovës ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.
Ai ka treguar se këta zyrtarë dhe policia janë sulmuar nga grupe të organizuara me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare.
Sipas tij, sulmet e tilla kanë për qëllim bllokimin e procesit zgjedhor.
“Zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik. Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit. Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, ka shkruar ai.
Ministri i Brendshëm ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar individët e përshirë në këto rast.
“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush. Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, ka shkruara ai.
