Shqiptarët të padëshiruar – as në Agjenci të Sigurisë nuk i pranojnë - NACIONALE

Shqiptarët të padëshiruar – as në Agjenci të Sigurisë nuk i pranojnë

11 muaj më parë

nga Col Mehmeti

10 korrik 2025 – Shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

Bashkimi Demokratik për Integrim edhe këtë të enjte ka vazhduar me ngritjen e alarmit për punësimet e reja.

Duke e ilustruar me rastin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, në të cilën është punësuar vetëm një shqiptar, kjo parti ka tërhequr vërejtjen se po goditet barazia dhe karakteri multietnik i shtetit.

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin më të thellë për përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, ku rasti më i fundit është Agjencia e Sigurisë Kombëtare, ku nga 41 të punësuar, vetëm një është shqiptar. Ky diskriminim i hapur nuk është më thjesht shqetësim politik, është një goditje ndaj barazisë dhe karakterit multietnik të shtetit”, thuhet në reagim.

“Të gjitha të dhënat e bëra publike këto ditë për punësimet dhe avancimet në institucione janë të vërteta dhe të konfirmuara zyrtarisht nga vetë institucionet e shtetit. Prandaj, as shpifjet, as defokusimi nuk mund ta mbulojnë të vërtetën që tashmë është e qartë për të gjithë: shqiptarët po përjashtohen!”

Kjo parti ka akuzuar partitë shqiptare në pushtet që “ia mbajnë ison VMRO-DPMNE, heshtin ose jetojnë në një univers paralel, duke refuzuar të përballen me realitetin.”

“Kjo qasje naive dhe aventuriere, përveçse nuk prodhon asgjë për shqiptarët, tregon qartë se janë të kapur dhe të pajtuar me logjikën përjashtuese të mentorve të tyre politikë. BDI rikujton se integrimi i shqiptarëve në çdo nivel institucional nuk është privilegj, por e drejtë kushtetuese, e cila nuk mund të negociohet as të injorohet. Shqiptarët nuk do të heshtin dhe as nuk do të dorëzohen”, përfundon reagimi.

Përndryshe, BDI, si partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, kohëve të fundit ka njoftuar për raste nga institucionet shtetërore ku në konkurset publike janë përjashtuar vijimësisht shqiptarët. /Nacionale/




Lajme të ngjashme