Një shqetësim i Kurtit: Pse nëntë deputetë të VV-së 'u vizatuan' si spektatorë në një sallë gjyqi?
Nëntë deputetë të Vetëvendosjes gjatë ditës së djeshme gjetën kohë që të shkonin si spektatorë në një seancë gjyqësore. Për çka ishte kjo seancë dhe pse është kaq e rëndësishme për kryeministrin Albin Kurti?
Deputetët e partisë në pushtet kanë pasur mungesa edhe në seancat e Kuvendit të Kosovës, vendit ku punojnë. Për një gjë të tillë, ata janë kritikuar madje edhe nga shefi i tyre, Albin Kurti.
“Zhvillimi i shtetit të demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ,” - kishte thënë mes tjerash Kurti në një mbledhje të partisë së tij.

Por, nëntë deputetë të tij gjetën kohë që të merrnin pjesë edhe fizikisht në një seancë gjyqësore për një rast të kontestuar të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Aty ishin Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Adnan Rrustemi, Enver Haliti, Luan Aliu, Salih Zyba, Jeta Statovci, Enver Dugolli dhe Arjeta Rexhepi.
Ishte deputetja Kurti ajo që njoftoi publikun për këtë pjesëmarrje, duke thënë se kishin shkuar për rastin e NPB-së “ku pritej të mbroheshin 17 mijë metra katrorë pronë publike.”
Megjithëse do të ishte e kuptueshme pjesëmarrja e ndonjë deputeti nga Prishtina që potencialisht ka qenë i përfshirë në këtë proces, është e pakuptueshme prania e shumicës së deputetëve.
Depueti Enver Dugolli, ta zëmë, është nga fshati Nekoc i komunës së Drenasit. Arjeta Fejza është nga Mitrovica. E kështu me radhë. Ata kanë qenë të përfshirë nëpër tema të ndryshme kombëtare, por jo edhe në çështje komunale – madje as nëpër komunat e tyre.
Po të kishin vërtet interes për temën, mund të informoheshin nga kolegët asambleistë që ndodheshin aty.
Ahhh, Kurti
Para se të tregojmë specifikisht se për çka është ky rast, duhet të përmendim shefin e nëntë deputetëve dhe shefin e Qeverisë Kurti II, Albin Kurtin.
Qysh ishte duke u marrë me tema të mëdha si dialogu, inflacioni, zhvillimi ‘i hovshëm’ ekonomik etj. ai ‘kërceu’ në këtë temë specifike. Më 8 shtator kryeministri do të rishpërndante një video nga “Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Prishtinë” e në të cilën do të shkruante mbi këtë problem.

Ai do të kërkonte madje nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të caktonte masën e sigurisë për mbrojtjen e 17 mijë metrave katrorë në Prishtinë. Më tej, ai ankohej se kjo Gjykatë që po heshtte përballë kërkesës së asambleistëve të Vetëvendosjes kishte vendosur vetëm për tri ditë për një ankesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për “tarifat e energjisë elektrike”.
“Pra, 30 ditë deri tani, për shqyrtim të kërkesës për mbrojtje të pronës publike. E 3 ditë për një çështje të afektuar nga kriza globale e energjisë elektrike.” – shkruante kryeministri.
Asamblistët e Vetëvendosjes, mes të cilëve edhe ish asistenti i z. Kurti Arianit Beqiri, kishin ngritur padi ndaj NPB-ës dhe tri kompanive për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e përbashkët të objektit banesor afarist”.
Vetë Beqiri e kishte etiketuar këtë rast si “masakër financiare e pronësor të bërë nga NPB-ja që ishte lejuar nga aksionarët e ekzekutivit të kaluar.”
Megjithëse epilogu i këtij rasti nuk dihet, dhe është në duart e drejtësisë së vendit, ajo që dihet është mesazhi politik që përçohej me praninë e nëntë deputetëve të VV-së në sallën ku po mbahej seanca.
Aktivisti i PSD-së, Bardh Ahmeti, komentoi një gjë të tillë me këto fjalë: “Robotët në shërbim të partisë. Shumicën e deputetëve në këtë sallë nuk i njeh askush. Këta kurrë nuk e kanë marrë fjalën në Kuvend, ose në rastin më të mirë kur flasin, nuk dijnë as me i lexu fjalimet si puna e Tinka Kurtit. Kështu duken deputetët e përkryer për një lider autoritar si Kurti. Injorantë, të nënshkruar në shërbim të tij. Mjafton që lideri me i ndërsy, e këta bëjnë presion në Gjykatë.”
Ai më tej u shpreh se verdikti për rastin tashmë ishte dhënë edhe në Gjykatën Themelore edhe në Gjykatën e Apelit.

