PSD "pagëzon" rrugën e ryshfetit Dollc-Gjakovë si rruga e Dajës së Vetëvendosjes - NACIONALE

PSD "pagëzon" rrugën e ryshfetit Dollc-Gjakovë si rruga e Dajës së Vetëvendosjes

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Daja është figurë e rëndësishme familjare në kodeksin kulturor të Kosovës. Sidomos për nipin, të cilit i obligohet respekti e nderi ndaj dajës, pavarësisht moshës. Së fundmi, rëndësia e dajës u pa edhe në hulumtimin ekskluziv të Gazetës Nacionale, ku shpërfaqeshin lidhjet korruptive të dajallarëve të këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt.

Dajtë e Ramqajt, u përgjuan teksa kërkonin 30 mijë euro ryshfet, për ta kryer një punë në Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga krahu më ‘besnik’ i Albin Kurtit, Liburn Aliu.

Halil Jaha, ndryshe i njohur në koloaret e pushtetit aktual si daja i Vetëvendosjes, është simbolika më përfaqësuese e rëndësisë së lidhjeve farefisnore.

Për Partinë Social Demokrate, daja i Vetëvendosjes është më shumë se lidhje farefisnore. Është emër nepotist i kapitalizmit grabitqar.

Dhe si i tillë, për PSD-në, që është parti opozitare joparlamentare, Jaha e meriton një rrugë në emër të tij. E rruga të cilën e emërtoi PSD sot gjatë ditës në një aksion simbolik, është vetë rruga për të cilën u kërkua ryshfeti, ajo në Dollc të Gjakovës.

“Problem aq sa vetë fenomeni është shpjegimi i tij. Përqendrimi i vëmendjes ka qenë tek afërsia familjare me njerëzit e pushtetit, dhe sidomos kërkesa për ta gjetur me çdo kusht zyrtarin e korruptuar”, ka shkruar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në Facebook.

Madje, i pari i socialdemokratëve ka thënë se përveç lidhjes së gjakut, afera e “jaranave të Liburnit” është operacion strukturor që tregon ndikimin e bizneseve të mëdha në institucionet e shtetit.

“Kjo përhumbje te daja, tezja ose zyrtari i korruptuar ka lënë jashtë vëmendjes operacionin strukturor: ndikimi i bizneseve të mëdha në institucionet e shtetit. Një klasë e tërë pasunarësh është majmur me miliona nga lejet, licencat e tenderët publik. Akumulimi i tyre është grabitje e pastër e pasurisë publike. Paratë dëgjuam se po përmenden midis kompanive private, puna është kryer në shtet”, shkroi tutje Molliqaj.

Kush është daja i Vetëvendosjes?

Kujtojmë që në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës është skandalizuar opinioni me anë të përgjimeve që dëshmojnë korrupsionin në Ministrinë e Infrastrukturës. Por, kryepersonazh i këtij skandali është shefi i punëtorit të përgjuar, që ka emrin Halil Jahaj. Kush është Jahaj?

Vite më parë, Jahaj është quajtur “Daja i Vetëvendosjes” nga aktivisti i shquar i Vetëvendosjes, Pajtim Demaj. Se çka nënkuptohej posaçërisht me një epitet të tillë, është e vështirë të kuptohet, por megjithatë mund ta marrim si një cilësor honorifik.

Në fotografinë e publikuar nga Demaj, “daja” shihet teksa pushon pas një loje basketbolli, gjatë fushatës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Se “daja” është i afërt me VV-në, tregon edhe një fakt tjetër. Jahaj ka qenë financues i Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës e nderuan me titullin e nderit “daja”.

Financimin që e bëri Jahaj, e ka njoftuar edhe vetë partia e kryeministrit Albin Kurti. Në njërën nga pasqyrat financiare të publikuara nga VV, “daja” shihet të ketë financuar këtë parti në vitin 2021, kur partia e Kurtit fitoi gjysmën e votave të elektoratit.

Në anën tjetër, dihet edhe se “daja i Vetëvendosjes” është dajë i këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt.

Kompania Infratek, e zënë duke kërkuar ryshfet 30 mijë euro nga një kompani ndërtimore, është në pronë të tij, edhe pse gruaja e tij është zyrtarisht në krye. Ai është pronar edhe i kompanisë Alpha I.

Kujtojmë që Halil Jahaj, edhe më tej nuk e ka folur asnjë fjalë për çështjen dhe se edhe më tej nuk ka ndodhur asnjë shkarkim në lidhje me rastin, derisa Prokuroria e ka konfirmuar se ka nisur hetimet për këtë çështje.

Lajme të ngjashme