Shoqëria që përfundoi me vrasje shkaku i një borxhi: “Nuk ia falim kurrë”
Në vitin 2017, në qytetin e Pejës ndodhi një vrasje për shkak të borxhit, që kapte vlerën prej 77 mijë eurosh. Kreshnik Haliti akuzohet për vrasjen e shokut të tij, Mentor Zekaj. Haliti ishte dënuar në vitin 2018 me 22 vjet burgim, por Apeli e ktheu rastin në rigjykim. Një tjetër seancë ishte planifikuar për sot, e cila u ndërpre. Gazeta Nacionale sjell detajet.
Kreshnik Haliti e Mentor Zekaj ishin miq të ngushtë. Por, për shkak të një problemi me borxh rreth 77 mijë euro, shoqëria e tyre përfundoi me fatalitet. Haliti më 6 mars 2017 dyshohet se e kishte vrarë me disa plumba Mentor Zekajn. Vrasja që tronditi Pejën dhe Kosovën, ende nuk është zbardhur plotësisht. Kreshnik Haliti ishte dënuar me 22 vjet burgim, por Gjykata e Apelit vendosi ta kthente rastin në rigjykim.
Seanca e planifikuar për sot u ndërpre. I akuzuari për shkak të problemeve me frymëmarrje u detyrua të merrte trajtim në Emergjencë. Me rekomandim të mjekut, seanca nuk vazhdoi. Për pasojë, u ndërpre edhe dëshmia e bashkëshortes së Mentor Zekajt, i cili mbeti i vrarë nga ky incident.
Pas përfundimit të seancës, për gazetën Nacionale kanë folur familjarët e Mentor Zekajt.
Fjalëpak ishte babai i të ndjerit. “Me vra njerin për xhelozi, edhe pse kanë qenë shokë, nuk kam fjalë”, u shpreh shkurt ai.
Vëllai i Mentor Zekajt që u vra më 2017, Dritoni, ka treguar në detaje se si ka ndodhur rasti. Driton Zekaj ka thënë se vëllai i tij kishte pasur miqësi tejet të afërt me tashmë dorasin, Kreshnik Halitin.
“I akuzuari ka pasë probleme me njerëz të tjerë, ka qenë i kërcënum, ka ardhë tek ne dhe ka lypë ndihmë. Në çdo festë familjare, në ahengje, vëllai këtë e ka thirrë. Ai kish qenë duke i kërku pare vëllait tem, duke i thënë se dojnë me ia mbytë familjen. Si shok i ngushtë, vëllai jem më thirri mua, tha a dalim t’ia japim se ish keq. I thashë atij e kemi kredinë me pagu për shtëpi, pasi e kemi pasë ble një shtëpi me kredi në bankë, vëllai rahmetlia më tha kom bo kontratë me shkrim me të. I thashë bo çka të dush, ama me më pyet mua nuk ia jep”, e nis rrëfimin Dritoni.
Këtu nisën problemet. Driton Zekaj tregon çfarë ndodhi pastaj.
“Kur erdh koha një javë para këtij rasti me pagu ratën e shtëpisë, ai ka pasë me ia kthy vëllait paret, po nuk ia kish dhanë hiç. Mas 3-4 dite e ka thirrë vëllain tem edhe i ka thanë hajde te banka t’i jap paret. Unë i kam pa edhe sms-at e vëllait që ka folë me këtë djalin që është në burg. Qat ditën e krimit më ka thirrë Mentori (vëllai i vrarë), më ka thënë rri shlirë se po mi jep paret, po shkoj me i marrë. Unë jetoj në Zvicër e nuk isha në rrjedha. Pas kësaj, thirrjen tjetër e kam pasë nga djali i mixhës, edhe më tha që Mentori ka bo ndeshje”, tregon në këtë rrëfim Driton Zekaj, vëllai i viktimës, përderisa në afërsi të Gjykatës, babai i tij nuk arrinte t’i mbante lotët.
Familja Zekaj kishte mbetur e habitur që krimin e kishte kryer një person, të cilit ata i kishin bërë konak disa herë.
“Sa ndihmën ia kemi dhanë na këtij djali, e ka vra vëllain pa i ba kurgjo. Sa bukën e kemi hangër bashkë. Nuk e ka mbytë me një plumb, po ka ba masakër në vëllain tem. E ka vra tinëzisht, qysh u kanë duke e vozit kerrin, ai ka gjujtë me dy plumba. Vëllai ka dalë disi nga vetura, ai e ka marrë kerrin edhe e ka ndjekë. Kur e ka nxanë, e ka godit edhe me dy plumba tjerë. Telefonin ia ka marrë me i zhdukë gjurmët. Fati i vëllait që ka folë me tjetër telefon, plus e ka pasë në xhep kontratën që e kishin pas' bë bashkë. Atë letër e ka edhe Prokuroria edhe Policia”, tregon Driton Zekaj.

Dritoni është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria. Mirëpo tash e sa kohë, pavarësisht se po udhëton nga Zvicra, procedurat po ia pamundësojnë dhënien e dëshmisë.
“Paret 'cash' ia ka dhanë, 77 mijë euro në dorë. Nuk ia fali kurrë, nuk kam pasë vëlla me hup unë. Ia kemi lanë drejtësisë, edhe 10 vjet nëse shkon kjo punë. Ne po dyshojmë që edhe avokati ynë, Gzim Kollçaku, nuk ka ardhë me qëllim në seancë, sepse është marrë vesh me Besnik Berishën”, përfundon rrëfimin Driton Zekaj.
Në seancën e sotme dëshmi ka dhënë bashkëshortja e viktimës Mentor Zekaj, Mirjeta.
Seanca e sotme u ndërpre për shkak se i akuzuari kishte probleme shëndetësore. Gjykimi do të vazhdojë me datë 31 maj, 17 dhe 20 qershor.