Shkyçja e bizneseve nga rrjeti elektrik, Kurti as edhe një fjalë: “Fatura publike mund të shkojë mbi 200 milionë euro” - NACIONALE

Shkyçja e bizneseve nga rrjeti elektrik, Kurti as edhe një fjalë: “Fatura publike mund të shkojë mbi 200 milionë euro”

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Edhe biznesmenë me rezyme mbështetësish të Vetëvendosjes dje e gjetën veten në indinjatë të thellë pas shkyçjes nga rrjeti elektrik, duke shkruar që punëtorë të kompanisë së tyre “...të shkojnë para dyerve të qeverisë të kërkojnë punë me kushte të njëjta”. Me urdhëresë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë vetëm dje mbi 450 kompani u shkyçën nga rrjeti si pasojë e nisjes së zbatimit të të ashtuquajturit “treg i lirë” i energjisë, vendim ky i zbatuar me zellin e një urgjence të plotë pa u krijuar kushtet elementare të një tregu të lirë në rend të parë. Alarmet janë ngritur për rrezikimin e së paku 22 mijë vendeve të punës, reduktim të prodhimit, humbje të konkurrueshmërisë së tyre në treg, mbyllje të reparteve prodhuese e deri te mbyllja apo falimentimi i plotë i fabrikave. Por, pushteti ndaj krejt kësaj s’ka gjetur të thotë asnjë fjalë. Plot 24 orë që kur u konkluaduan shkyçjet, Albin Kurti s’është bërë i gjallë, as me fjalët e tij të para dy muajve se “unë jam me juve” dhe “do të ketë ndihmesa”. Artane Rizvanolli, deputete që ushtron edhe post ministreje në detyrë, javë më parë ka thënë se tashmë “është veç punë zbatimi”.

Çështja është ende pa vendim të formës së prerë nga gjykatat, ndërsa Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale i dhanë të drejtë “totalisht” bizneseve të afektuara, ndërsa ato të Shkallës së Dytë “totalisht” ZRRE-së. Që nga dje, ZRRE urdhëroi KEDS-in të nis shkyçjen e të gjithë bizneseve – 1 mijë e 300 prej tyre – të cilët s’kanë lidhur kontrata me furnizues të licensuar: por jo edhe Elektroserverin për pjesën e veriut të Kosovës: moszbatimi i të cilit vendim për atë pjesë do të përbënte edhe shkelje kushtetuese.

Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve Vendor tha se, në fund të fundit, të gjitha kompanitë që kanë padi individuale në Gjykata do t’i fitojnë rastet – dhe se për këtë s’ka dyshim, “por dëmi do të tejkalojë 110 milionë euro”.

Mbajeni mend këtë kalkulim! Nëse tregu i lirë nuk pezullohet tani, nesër do të paguajmë më shtrenjt – të gjithë nga taksa tona. S’ka kompani që s’do ta fitojë rastin në gjykatë. E di edhe vet ZRrE, e dinë edhe nga qeveria edhe të gjithë e dijnë: vetëm nga çmimi i energjisë, dëmi tejkalon 110 milion €.

Kur t’i shtojmë fitimin e munguar dhe dëmet e tjera, fatura publike mund të shkojë mbi 200 milion €. Ky dëm po krijohet nga ZRrE. Nesër, kur rastet të fitohen, a do t’i marrim prapë paratë e taksapaguesve për t’i kthyer këto dëme? Pra, për ata që nuk e përkrahin shtyrjen: a është më mirë 50 milion € sot, apo mbi 200 milion € nesër? Në të dy skenarët paguan qytetari”, shkroi ai.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Bordit të ZRRE-së dhe pezullimin e vendimit të tyre si dhe kërkesë deputetit Albin Kurti dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, “që të mos heshtin”.

Të mos heshtin, të veprojnë për të mbrojtur Republikën dhe ekonominë para se të bëhet vonë”, thanë ata përmes një komunikate për shtyp.

Ndërprerja e energjisë për prodhuesit godet rëndë prodhimin vendor, minon besimin e investitorëve, dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cënon mirëqnien e qytetarëve. Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona, nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme”, thuhet në komunikatën e tyre.

Lajme të ngjashme