Shkon shkresa në presidencën e Kosovës, Osmanit i kërkohet t’i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri (Dokument)
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka dorëzuar shkresë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes së cilës i kërkohet që të shpallë zgjedhjet në veri të vendit, pas dorëheqjes së kryetarëve në katër komuna atje.
Në shkresën të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, presidentes i kërkohet që t’i shpallë zgjedhjet pas dorëheqjes së kryetarëve në komunën e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Zunik Potokut dhe Leposaviqit.

KQZ-ja gati
Para disa ditësh, presidentja Osmani zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin.
Në këtë takim Osmani dhe Radoniqi diskutuan për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit, pas dorëheqjes së kryetarëve.
“Në këtë takim, Presidentja ka theksuar se janë duke u ndërmarrë hapat e nevojshëm për shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Ajo tha se së shpejti subjektet politike do të ftohen për konsultime përpara se të caktohet data e zgjedhjeve, brenda afatit ligjor”, thuhej në njoftimin e presidencës.
Në fund, thuhet se presidentja u informua nga Radniqi se KQZ i posedon kapacitetet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit.
Çka ndodhi në veri?
Lista Serbe mabjti një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- kishte thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbe erdhi pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.

