‘Shkenca’ e partisë me Xena e Bulliqa - NACIONALE

‘Shkenca’ e partisë me Xena e Bulliqa

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda e Kosovës i ra pas punës dhe banesa e OJQ-istit kundërthënës, Shkëlzen Gashi, u bastis pas dyshimeve për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Sidoqoftë, një hetim prokurorial zor se do ta zbardhë tablonë e vërtetë brenda Vetëvendosjes e njerëzve të asociuar me të. Nga 2015-a e gjer më sot, kjo parti ka qenë herë nxitëse e herë mbështetëse e raporteve ‘shkencore’ me të cilat mbështetëshin kauza e narrativa të saj. Nëse raporti joprofesional për demarkacionin kishte bërë që edhe Fondacioni gjerman ‘Friedrich-Ebert-Stiftung’ të turpërohej prej tij sa ta hiqte nga qarkullimi, libri i Shkëlzen Gashit pati tjetër fat. Ai gëzoi mbështetje bujare nga Qeveria dhe fushatë të paparë promocionale brenda-e-jashtë vendit. Michael Martensi e Enver Robelli organizuan promovime në Berlin e Zürich, kurse mik-pas-miku u gjetën edhe njerëz si Melanie McDonagh e Noel Malcolm që me recensione e bënë ‘mashallah’ librin. Por, ekspozita e fundit e ekspozoi Gashin si dikush që “nuk kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar”.

Col Mehmeti

30 mars 2026 – ‘Shkenca’ e njerëzve të Vetëvendosjes bie në pikë të hallit nëse matet t’i tejkalojë kufijtë e shtetit.

Sapo i nënshtrohen llupës së vëmendjes kritike, punimet e ‘studiuesve’ të tillë marrin në thua thuajse në secilin kusht shkencor.

Nga 2015-a e gjer më sot, në dy raste të shënuara kanë rënë hije të rënda mbi profesionalizmin e autorëve që kanë afri me Vetëvendosjen.

Çalaman për nga metodologjia e për ibret për nga numri i pasaktësive del edhe libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” i letërnxirë nga OJQ-isti, Shkëlzen Gashi.

Shumë kohë para ekspozitës skandaloze në qendër të kryeqytetit, libri e pa dritën në shtator të vitit 2024 si botim i organizatave joqeveritare ‘Admovere’ dhe ‘Integra’.

Si rrallëherë në lëmin e botimeve, kjo prurje u shoqërua me një fushatë të mirëorganizuar promocionale brenda e jashtë vendit.

Emra të njohur të gazetarisë i përveshën mëngët që prodhimi i Shkëlzen Gashit të paraqitej si ngjarje e rrallë.

“S’ka si Xeni”

Ende pa qarkulluar mirë para publikut vendës, promovuesit u turrën që librin ta shëtisnin jashtë vendit.

Në botën gjermanishtfolëse, Enver Robelli nga Tages Anzeiger u përkujdes që libri të promovohej në Zürich.

Të njëjtin nder e bëri edhe Michael Martensi i Frankfurter Allgemeine Zeitung në Berlin.

Ndonëse që nga titulli merrej vesh së bëhej fjalë për një përmbajtje me një gjuhë teknike që tjerrej përmes shifrave e të dhënave, të dy gazetarët bënë çmos që Gashi e libri i tij të parapriheshin nga vlerësime superlative.

Sipas Robellit, “kushdo që është i interesuar për të vërtetën e luftës së Kosovës, ky libër me dy kilogramë plot me fakte, është zgjidhja e duhur”.

Po kështu, edhe për Martensin, libri i Gashit ishte “vepër rreptësisht e hulumtuar” (në origjinalin gjerman aufwendig recherchierte Arbeit).

Hajmalia në vend të recensioneve

Përhajrimet nuk u mbyllën me kaq.

Miq të autorit gjetën hapësira e njerëz gjithandej për t’i dhënë librit shijen e një alamet publikimi.

Sapo përfundoi promocioni në Gjermani e Zvicër, fushatuesit mësynë drejt botës anglishtfolëse.

Atje rolin eulogjizues e mori përsipër gazetarja, Melanie McDonagh.

Në një vështrim të botuar në Catholic Herald, gazetarja britanike e duartrokiti librin se ai paska përmbushur qëllimin që t’u bëjë homazh “të gjitha viktimave të luftës në Kosovë”.

’Masakrat në Kosovë’ është një lexim tmerrues. Por ndonjëherë duhet ta detyrojmë veten ta mendojmë Kainin duke e vrarë Abelin. Ky libër është i papërballueshëm dhe i nevojshëm”, shkroi mes të tjerash McDonagh.

Siç mëson NACIONALE nga burime të veta, Melanie McDonagh u bë sebep që edhe Malcolmit t’i merrej një recension-hajmali për librin.

Duke shfrytëzuar miqësinë e saj me akademikun britanik, ky i fundit çuditërisht u tregua fort bujar në vlerësime e fjalë të mëdha, duke sugjeruar madje që libri i Gashit të lexohej nga juristë, diplomatë e politikanë.

Kjo është një vepër tejet mbresëlënëse dhe jashtëzakonisht e rëndësishme”, shkroi në hajmalinë e tij akademiku britanik që është kërkues pranë All Souls College të Universitetit të Oksfordit.

Lexo edhe: Ish-këshilltari i Kurtit e riboton librin me hajmalinë e Malcolmit

A i meritoi Xeni gjithë këto begenisje?

E gjithë kjo aventurë disajavore në Gjermani, Zvicër e Britani të Madhe kaloi me vlerësime maksimale për autorin dhe librin ‘Masakrat…’

Pas kaloi kjo furi entuziaste, një mori pyetjesh prisnin varg.

A ishte ky libër dy kilogramë me fakte, siç e begenisi Robelli?

A ishte ky libër shembull i një ustallëku shkencor, siç e shpalli Martensi?

A e kishte hak leximin kjo përmbledhje 800 e kusur faqeshe, siç sugjeroi McDonaghi?

Po Malcolmi a godiste në shenjë kur u magjeps prej librit si vepër e mahnitshme shkencore?

Praktika e gjertanishme e receptimit të librave nuk është aspak e mbarë.

Cilido titull i ri pasohet me recensione (review) mbivlerësuese që janë kryesisht të njohur e miq të autorit.

Pjesa tjetër e receptimit përbëhet nga njoftime të thata e protokollare nga media online. Reagimi nga publiku, si pasojë, është gati inekzistent.

Abdullahu: “Studim joserioz me pasaktësi e paplotësi”

Në të vërtetë, libri ishte fare pak punë shkencore e autorit.

Kjo monografi fillim-e-mbarim ishte një kompilim ose përmbledhje raportesh të shkruara nga te tjerë dhe jo intervistim te mbijetuarish a dëshmitarësh të masakrave.

Sipas një studenti të angazhuar përkohësisht në OJQ-në ‘Admovere’, larg nga përvijimi i një metodologjie të saktë, puna për librin përfshinte vetëm mbledhje materialesh të qasshme në Google.

Duke qenë libër me format tregjuhësh, brenda 824 faqeve janë shtrirë 83 tekste për 83 masakra që përfshijnë harkun kohor prej 28 shkurtit 1998 deri më 23 korrik 1999.

Kur iu nënshtrua një qëmtimi me syrin profesional, libri i publicistit Gashi qëlloi të ishte me behane e cene jo të vogla si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga metodologjia.

Në një recension depërtues, botuar më 4 maj në Shtojcën për Kulturë të gazetës ‘Koha Ditore’, ligjëruesi i historisë në Universitetin e Prishtinës Durim Abdullahu stivoi një varg shkarjesh.

Sipas recensionit të Abdullahut, libri në fjalë ka “riprodhuar të dhënat e disa librave dhe artikujve, që nga përpjekja për t’i sintetizuar kanë përfunduar në një kompilim tekstesh të ndryshme të marra nga libra të tjerë.”

Njashtu, sipas Abdullahut, në librin “Masakrat…” nuk janë identifikuar fare një mori masakrash të kryera ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë. Të tilla, sipas tij, janë masakrat në fshatin Dobratin, Keqekollë, Balloc, Miroc, etj.

Libri ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ nuk mund t’u bëjë homazh viktimave dhe as të shërbejë si burim edukativ dhe informues sepse ka shumë pasaktësi dhe paplotësi, nuk paraqet ndonjë studim serioz dhe të thelluar por vetëm një vepër të kompiluar nga disa pak libra të tjerë, pa teorizime, pa metodologji, pa bibliografi dhe pa krahasime burimesh”, pati shkruar Abdullahu.

Sidoqoftë, përtej publicitetit që i është bërë këtij libri dhe shitjeve apo shpërndarjes që mund të ketë ai, në literaturën aq të gjerë të botimeve për luftën në Kosovë, ai do të stivoset mes plot librash të tjerë të konceptuar keq, të shkruar dhe të kuruar dobët, si dhe joserioz.”

Pse përshkrimi për Masakrën e Dubravës rëndon më shumë se të tjerët?

Megjithëse u pikasën pasaktësi të rënda në disa raste, keqparaqitja e masakrës së Dubravës (19-23 maj 1999) ishte ajo që te Shkëlzen Gashi zbuloi një autor brengosshëm joprofesionist.

Qyshkur lajmi për plojën brenda kazamatit të Dubravës mori dhénë, edhe raportuesit e huaj ishin vënë përballë sprovash jo të lehta.

Kjo për arsye se versioni zyrtar u etablua fuqishëm.

Asokohe, autoritetet jugosllave me të madhe po përhapnin narrativën sesi të vrarët në Dubravë ishin veçse pasojë e bombave të NATO-s.

Që të neutralizohej reagimi për të vrarët, autoritetet jugosllave, duke filluar nga organet e burgut e deri te SUP-i e Ministria e Punëve të Jashtme, u arsyetuan se në mesin e të vrarëve kishte pasur “persona të armatosur”.

Inferimi i këtyre formulimeve ishte krijimi i mbresës sikur ploja kishte ardhur si pasojë e një rebelimi të organizuar në mesin e afër 1 mijë të burgosurve në tre pavijonet e burgut të Dubravës.

Në të vërtetë, këtij pretendimi paksa iu shemb dhéu nën këmbë në raportin e Human Rights Watch (HRW) të vitit 2001.

Edhe pas lufte, autoritetet e burgut vazhdonin me pohimin se shumë nga të burgosurit kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë edhe së paku 11 komandantë.

Por përfaqësues të HRW-së, pasi kryen hulumtime disa muaj më vonë, nuk ishin në gjendje të vërtetonin nëse pretendimi qeveritar ishte i vërtetë për më shumë se dy persona të intervistuar.

Çuditërisht, formulimi “persona të armatosur” u akreditua si i vërtetë nga autori Gashi, madje pa referuar fare as gjetjet e HRW-së.

OJQ-isti prishtinas nuk u dertua as për numrin e saktë të të vrarëve.

Në një artikull me titull “Kosova nën Jugosllavi (1945-1999) sipas librave shkollorë të historisë në Kosovë dhe Serbi”, të botuar më 2020 në një përmbledhje të redaktuar nga Gorana Ognjenovići dhe ‎Jasna Jozelići, Gashi e kishte dhënë një shifër prej 112 shqiptarësh të vrarë.

Por, në libër, e prej tij edhe në ekspozitë, këtë shifër e minusoi për gjashtë vetë më pak të vrarë.

Kandiq: “Shkëlzen Gashi nuk di, nuk kupton, nuk është hulumtues”

E gjithë kjo keqparaqitje e plojës së Dubravës u përgënjeshtrua paq prej vetë Natasha Kandiqit nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Sipas aktivistes serbe, Gashi i kishte keqshfrytëzuar të dhënat nga regjistri i kësaj organizate, duke thënë se “ai nuk i kupton faktet”.

Shkëlzen Gashi nuk kupton. Ai nuk e kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar atë çka ne kemi shënuar se disa prej të vrarëve ishin anëtarë të UÇK-së. Por, kjo do të të thotë që ata kanë qenë anëtarë të UÇK-së para se të arrestoheshin; sepse disa prej tyre ishin të dënuar, akuzuar, dhe pas kësaj atyre u ka ndryshuar statusi. Por, për historinë, dijen dhe të vërtetën është shumë e rëndësishme...dhe, që të gjithë ata janë viktima të krimeve të luftës. Më vjen keq, por Shkëlzen Gashi këtë nuk e kupton. Ata janë vrarë si të burgosur, nga gardianë të armatosur,” kishte thënë Kandiq për NACIONALE-n.

Përveç shtrembërimit historik, sipas Kandiqit, Gashi disfiguroi edhe të dhënat themelore nga ‘Libri i Kujtimit’, duke mos i kuptuar as nocionet themore mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Ushtar (i listuar) nuk do të thotë shqiptar i armatosur, sepse shumë njerëz të shënuar si pjesëtarë të UÇK-së. Ata nuk e kanë humbur jetën në dyluftim, ata u vranë në situata me civilë të tjerë të paarmatosur. Pra, ai në atë moment nuk ishte në rolin e dyluftuesit, këtu është dallimi. Por Shkëlzen Gashi nuk mund ta kuptojë këtë, sepse nuk është hulumtues”, kishte shtuar Kandiq.

Raporti i 2015-s për demarkacionin

Rasti i Shkëlzen Gashit nuk e përmbyll kronikën e ‘shkencës’ së Vetëvendosjes.

Një episod po kaq i palavdishëm ngjau 11 vjet më parë kur Kosova mbahej peng i një kauze partiake e që sot ngjan e pakuptimtë dhe e harruar.

Duke manipuluar postemocionalisht me trauma kolektive, procesi deri atëherë normal i shënjimit të kufirit me Malin e Zi u shtrembërua nga opozita e asokohshme sikur “falje e tokave”.

Të nxitur nga Vetëvendosja dhe AAK, tetë studiues nga Kosova ishin bërë bashkëautorë të një raporti 95-faqësh me titullin “Demarkacioni Kosovë – Mali i Zi (Aspekte Ndërkombëtare, Gjeografike, Politike dhe Historike)”.

I botuar më 2015, ky studim ishte mundësuar financiarisht edhe nga ‘Fondacioni Friedrich Ebert’.

Por, përmbajtja skandaloze duket se i kishte vënë në siklet sponzorët gjermanë sa studimin në fjalë ta hiqnin fare nga faqja e tyre.

Sot e kësaj dite dega e këtij Fondacioni në Prishtinë i ka zhdukur gjurmët e këtij publikimi nga arkiva e vet online, dhe të vetmet kopje mund të gjenden në biblioteka të vendeve perëndimore.

Përmbajtja e raportit del të jetë e përshkuar nga joprofesionalizmi, gjuha joshkencore dhe mëtimet shpesh qesharake.

E gjithë kjo kishte ngjarë pavarësisht se pjesë e ekipit hulumtues ishin plot njerëz që mbanin grada profesorë e doktorë.

Ky studim ishte nënshkruar nga këta autorë: Prof. Dr. Zejnullah Gruda, Prof. Dr. Muharrem Cërabregu, Prof. Dr. Riza Smaka, Prof. Dr. Shpejtim Bulliqi, Prof. Dr. Muhamet Sadiku, Prof. Dr. Zymer Neziri dhe Sylë Osmanaj.

Kulmi i përmbajtjes skandaloze, mes të tjerash, ishte në faqen 28 ku autorët merrnin përsipër të mbronin me gjithfarë ‘argumentesh’ një vijë tjetër kufitare nga ajo që ishte shënjuar nga Komisioni i drejtuar nga profesori Murat Meha.

Kësisoj, një paragraf i shkurtër (dhe jo një kapitull siç do të duhej) i ishte kushtuar asaj që në studimet antropologjike e etnografike quhet ‘transhumancë’ – një term ky që përshkruan lëvizjen stinore të bashkësive blegtorale nga bjeshka në fushë dhe anasjelltas.

Me një shqipe anepërtej me gabime drejtshkrimore, ky paragraf nuk përmbushte asnjë kriter të vetëm shkollaresk.

Autorët, me gjithë mend, kishin introduktuar terme si “ngjitja” dhe “zhdjergia” e bagëtive, të cilat, sipas tyre, duhej të peshoheshin me rastin e përcaktimit të kufijve shtetërorë mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Lexo edhe: Fondacioni gjerman ishte turpëruar nga ‘shkenca’ e Vetëvendosjes

Referenca kundër UÇK-së (Kurti)

Përveç raporteve skandaloze nga ‘shkenca’, figura kyçe të pushtetit të përfunduan si referenca të gatshme për të gjitha ata akademikë e gazetarë të huaj me disponim negativ ndaj UÇK-së.

Nga maji i vitit 1998 e deri në gusht 2012, intervista, artikuj personalë apo kontribute shkencore zunë vend midis librave, revistave e zhurnaleve të shkencave sociale.

Si 23-vjeçar, Albin Kurti ishte intervistuar nga Howard Clark që asokohe ishte pjesë e organizatës anti-luftë ‘War Resisters’ International’.

Në librin që doli menjëherë pas luftës me titull “Civil Resistance in Kosovo”, nga shtëpia botuese londineze ‘Pluto Press’, Kurti u shfaq hapur si partizan i idesë që shqiptarët të mos i bashkoheshin UÇK-së, por të ndiqnin rrugën e jodhunës.

Kurti më tha në nëntor: ‘Ti e di se unë kurrë nuk do të kap armët, ndaj po përpiqem të bëj atë çfarë mundem politikisht’” (fq. 248).

Përtej intervistës së cituar disi shkurtimisht në libër, Clark e kishte bërë edhe një incizim ku Kurti fliste me ândje për përcaktimin e tij kundër luftës së armatosur.

Me flokët kaçurrelë sipas modës ‘Marley twists’, Kurti 23-vjeçar ishte i prerë kundër çfarëdo përfshirje të tij në radhët e UÇK-së.

Në kapërcyell të shekullit të njëzetë dhe fillimit të shekullit njëzet e një, nuk mund të ketë luftë klasike me një linjë frontale midis dy forcash ushtarake. Nuk ka luftë të tillë. E patë Bosnjen dhe luftën e lemerishme me plot njerëz të pafajshëm që u vranë”, thoshte ‘përfaqësuesi’ i Unionit Studentor.

Dhe vijonte më tej: “Unë kurrë nuk do t'i rrok armët. Mendoj se më e mira zgjidhje, siç e kam thënë më parë, mes dorëzimit dhe luftës është lëvizja e padhunshme. Unë besoj në jodhunë sepse dua ta shmang dhunën. Gjëja tjetër është se unë besoj në filozofinë e jodhunës, besoj në përkushtimin për jodhunë, dhe disiplinën e jodhunës. E di që ka plot lëvizje të jodhunës gjithandej botës që ia kanë dalë mbanë me qasjen e jodhunës. Mund t’ia dalim edhe ne”.

Lexo edhe: ‘Akademizmi’ anti-UÇK i pushtetit: intervista, shkrime e artikuj shkencorë

Referenca kundër UÇK-së (Gërvalla)

Më 2001, aktivistja e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla ishte zëri më aktiv në shtypin gjerman që e shpërfytyronte haptas luftën e UÇK-së në Kosovë dhe valën e kryengritjeve shqiptare në Luginë të Preshevës dhe Maqedoni.

Në artikullin e saj namkeq “Wohin gehört Kosova?” (Kujt i përket Kosova), të botuar në revistën gjermane “OST-WEST. Europäische Perspektive”, ajo krijonte imazhin sikur ushtarët e UÇK-së ishin trazovaqët e vetëm në Ballkan që po e rrezikonin paqen.

Nga marazi, ajo i quante kryengritësit shqiptarë në Maqedoni e Luginë të Preshevës “këta barbarë…” (diesen Barbaren).

Ajo çfarë po bëjnë tani ekstremistët në kufijtë e Kosovës, në Serbinë jugore, dhe në Maqedoni, është rikthim te strategjia e moçme: provokim me dhunë për të fituar vëmendje e njohje”, shkruante Gërvalla.

Referenca kundër UÇK-së (Basha)

Më 2012, Dimal Basha ishte bashkëpunëtor i ngushtë i studiueses nga Maqedonia, Jana Arsovska, e cila punon si profesoreshë e asociuar e Socilogjsë në John Jay College of Criminal Justice në New York.

Në bashkëautorësi, ata i dhanë jetë artikullit “Globalizing the Western Balkans: Transnational Crime, Fundamental Islam and Unholy Alliances”.

Ai u botua në formatin online të revistës akademike ‘Études caribéennes’ si botim i Universitaires des Antilles.

Në zemër të artikullit në fjalë, Basha dhe kolegia e tij maqedone i mëshonin pohimeve se “UÇK u financua nga para të drogës dhe trafikantëve të drogës”, se “trafikantë të drogës dërguan njerëz të armatosur të luftojnë përkrah tyre”, dhe se “konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminalo-politike të Kosovës në emër të ndërtimit të shtetit”. /Nacionale/

Lajme të ngjashme