Ish-këshilltari i Kurtit e riboton librin me hajmalinë e Malcolmit - NACIONALE

Ish-këshilltari i Kurtit e riboton librin me hajmalinë e Malcolmit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Fushata promocionale për librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, i letërnxirë nga pena e Shkëlzen Gashit, ka hyrë në fazën e dytë. Një recension i rishporositur, ku akademiku britanik Noel Malcolm i bën mashallah librit, është bërë sebep që të ribotohet. Me siglën e dy organizatave joqeveritare ‘Admovere’ dhe ‘Integra’, libri fillimisht mori përhajrime nga miq e dashamirë të autorit – madje Ministria e Punëve të Jashtme nga qesja e saj para pak jave ndau 15 mijë euro për 500 ekzamplarë të botimit. Sidoqoftë, kur iu nënshtrua një vështrimi depërtues, libri në fjalë doli se kishte huqje, behane e pasaktësi të shumta. Si i tillë, ai zor që e ka hak namin aktual.

3 qershor 2025 – Një recension i akademikut britanik Sir Noel Malcolm është bërë sebep që publicisti Shkëlzen Gashi ta ribotojë librin e tij “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.

Këtë sihariq e ka bashkëndarë vetë Gashi nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij në ‘Facebook.’

“Vlerësimi i Sir Noel Malcolmit për librin ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’, tash edhe në kopertinë’, ka shkruar ai duke e tokshoqëruar edhe me një fotoshkrepje të pjesës së prapme të kopertinës.

Në të, autori i librit “Kosova: një histori e shkurtër” është treguar tejet bujar me vlerësime e fjalë të mëdha, madje duke sugjeruar që të lexohet nga juristë, diplomatë e politikanë.

“Kjo është një vepër tejet mbresëlënëse dhe jashtëzakonisht e rëndësishme”, janë fjalët e para në hajmalinë recensë të akademikut britanik i cili është kërkues në All Souls College të Universitetit të Oksfordit.

Me siglën e dy organizatave joqeveritare “Admovere” dhe “Integra’, libri e pa dritën e botimit në fillim të shtatorit të vitit të kaluar.

Duke qenë libër me format tregjuhësh, brenda 824 faqeve janë shtrirë 83 tekste për 83 masakra që përfshijnë harkun kohor prej 28 shkurtit 1998 deri më 23 korrik 1999.

I shoqëruar me një fushatë të gjërë promocionale brenda dhe jashtë vendit, vlerësimet për librin-kompilim kanë qenë kryesisht eulogjike.

Por, i nënshtruar një qëmtimi me syrin profesional, libri i publicistit Gashi qëlloi të ishte me behane e cene jo të vogla si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga metodologjia.

Në një recension depërtues, botuar më 4 maj në Shtojcën për Kulturë të gazetës ‘Koha Ditore’, ligjëruesi i historisë në Universitetin e Prishtinës Durim Abdullahu kishte stivuar një varg shkarjesh.

Sipas recensionit të Abdullahut, libri në fjalë ka “riprodhuar të dhënat e disa librave dhe artikujve, që nga përpjekja për t’i sintetizuar kanë përfunduar në një kompilim tekstesh të ndryshme të marra nga libra të tjerë.”

Njashtu, sipas Abdullahut, në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” nuk janë identifikuar fare një mori masakrash të kryera ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë. Të tilla, sipas tij, janë masakrat në fshatin Dobratin, Keqekollë, Balloc, Miroc, etj.

“Libri ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ nuk mund t’u bëjë homazh viktimave dhe as të shërbejë si burim edukativ dhe informues sepse ka shumë pasaktësi dhe paplotësi, nuk paraqet ndonjë studim serioz dhe të thelluar por vetëm një vepër të kompiluar nga disa pak libra të tjerë, pa teorizime, pa metodologji, pa bibliografi dhe pa krahasime burimesh”, pati shkruar Abdullahu.

“Sidoqoftë, përtej publicitetit që i është bërë këtij libri dhe shitjeve apo shpërndarjes që mund të ketë ai, në literaturën aq të gjerë të botimeve për luftën në Kosovë, ai do të stivoset mes plot librash të tjerë të konceptuar keq, të shkruar dhe të kuruar dobët, si dhe joserioz.”

Libri i Gashit u vu në projektorin e kritikave kur në fillim të majit të sivjetmë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bleu 500 ekzamplarë të tij nëpërmjet një tenderi që kushtoi 14,999 euro.

Me sa duket, recensioni kritik i Abdullahut dhe rënia e projektorit të vëmendjes publike e preku në sedër autorin e librit kundërthënës.

Siç mësohet tërthorazi nga disa burime të Nacionales, falë miqësive e ndërhyrjeve mik pas miku, është arritur që nga akademiku britanik të shkëputet një recension i shkurtër ku flitet në shkallën sipërore për librin.

Ish-drejtor i organizatës joqeveritare “Admovere”, publicisti Shkëlzen Gashi ka shërbyer si këshilltar në qeverinë Kurti 1.

Ai fitoi namin e njërit prej këshilltarëve më ditëshkurtër në historinë e pasluftës, pasi shefi i tij e shkarkoi një muaj pasi e emëroi në këtë detyrë.

Sipas jetëshkrimit të tij, që sot e gjithë ditën gjendet i afishuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, Shkëlzen Gashi ka lindur në Prishtinë më 1981.

Pedigreja e tij përfshin studimet për shkenca politike në Universitetin e Prishtinës si dhe një master për demokraci e të drejta të njeriut në një program të përbashkët mes Universitetit të Bolonjës dhe Sarajevës.

Përveçse pjesëtar i shoqërisë civile, ai është autor i disa qitapeve në shqip, mes të cilëve edhe “Adem Demaçi – biografi e pautorizuar” si dhe disa studimeve e raporteve për kurrikulat shkollore në Kosovë. /Nacionale/


Lajme të ngjashme