Shkarkohet kryeshefi, shkarkohet bordi, emërohet bordi i ri, kthehet kryeshefi: Llugë në “Trepçë”
Vetëm për dy ditë, zhvillime të jashtëzakonshme ka pasur në ndërmarrjen “Trepça”. Bordi dje e shkarkoi kryeshefin, më pas në mbledhjen e Qeverisë u shkarkua bordi e u emërua bordi i ri. Bord i ri i cili sot e ktheu kryeshefin e vjetër në detyrë. Nacionale sjell detaje.
Enis Abdurrahmani për 24 orë është shkarkuar, e është kthyer sërish në pozitën e U.D Kryeshefit të Ndërmarrjes Trepça. Krejt kjo si pasojë e një lëmshi të krijuar me bordin e kësaj ndërmarrjeje.
Ditën e djeshme Bordi i Trepçës mori vendim ta shkarkojë Enis Abdurrahmanin nga pozita e kryeshefit.
Në vendimin të cilin e ka siguruar Nacionale aty thuhej se Abdurrahmani nuk ka qenë bashkëpunues me bordin, gjatë kohës së tij ka pasur rënie të prodhimit të xehes, ka krijuar përçarje mes të punësuarve, i ka kërcënuar punëtorët me largim nga puna e gjetje të tjera nga bordi.
“Interferimi dhe presioni në dëm të anëtarëve të bordit në komunikim me Ministrinë, duke prejidukuar vendimet e qeverisë për ndryshim, riformatim e shkarkim të bordit. Shtyrja e zbatimit të vendimit të bordit për hapjen e konkursit. Morespektimi i kërkesës së bordit për ndryshim në raportime dhe evitim të gabimeve në raportim. Neglizhim i kërkesave të bordit mbikëqyrës”, thuhet në këtë dokument që ishte marrë si vendim dje.


Në vendin e tij si ushtrues detyre bordi i kaluar e kishte emëruar Enes Muzaqin. Megjithatë, as ky nuk e pati gjatë në këtë pozicion.
Kjo pasi në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës, ekzekutivi vendosi për shkarkimin e bordit që mori këto vendime, dhe e emëroi një bord të përkohshëm.
“Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” është emëruar me vendim të Qeverisë më 2 shkurt 2022. Më 20 shtator 2023 kanë dhënë dorëheqje dy nga anëtarët e Bordit mbikëqyrës ndërsa kanë mbetur vetëm tre anëtarë, pra Bordi aktualisht është jo funksional”- ka thënë Rizvanolli në mbledhjen e Qeverisë.
Sipas Rizvanollit, njësia për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike, ka gjetur se Bordi mbikëqyrës, përkatësisht komisioni i auditimit i ndërmarrjes kanë kryer disa veprime ose mosveprime.
“Në kuadër të funksionit të vetë monitorues, njësia për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike, ka gjetur se Bordi mbikëqyrës, përkatësisht komisioni i auditimit i ndërmarrjes kanë kryer këto veprime ose mosveprime: nuk kanë miratuar strategji zhvillimore të ndërmarrjes, nuk kanë miratuar rregullore për kompensimin e punëtoreve në përputhje me realizimin e planit të prodhimit dhe të të hyrave, ka vendosur të shpallë konkurs për xehtarë pa kërkesë paraprake të menaxhmentit”- shpjegoi ministrja.
Bordi i ri që u votua përbëhet nga: Rrezarta Pllana-Kryesuese, Alban Kransiqi anëtar, Merita Beqiri Gashi anëtar dhe Dragisha Kërstoviq anëtar.
E ky bord sot u mblodh për herën e parë. Qysh në start, bordi i ri i anuloi të gjitha vendimet që ishin marrë një ditë më parë nga bordi i vjetër që u shkarkua nga qeveria. Në mesin e këtyre vendimeve, ishte edhe kthimi i Enis Abdurrahmanit në pozitën e Kryeshefit të ndërmarrjes.
“Me datën 28.09.2023 është mbajtur mbledhja e parë e jashtëzakonshme e Bordit të përkohshëm Mbikëqyrës të Trepça Sh.A. Në këtë mbledhje janë shfuqizuar vendimet jo ligjore të ish- Bordit Mbikëqyrës, për arsye se nuk kanë pasur kuorum të mbajnë mbledhjen pasi që kanë qenë vetëm 1/3 e anëtarëve dhe e dyta janë të shkarkuar nga të qenurit anëtar të Bordi Mbikëqyrës dhe të gjitha vendimet në mbledhjen e datës 27.09.2023 janë jo ligjore”, thuhet në postimin e ndërmarrjes Trepça.
“Sipas Ligjit për Procedurën e përgjithshëm Administrative Ligji Nr. 05/L -031 neni 52 cek shumë qartë se Një akt administrativ është i paligjshëm nëse: - Organi publik që e nxjerr ka vepruar pa pasur kompetencë Në këtë rast nuk kanë pasur kompetencë, dhe nuk kanë pasur kuorum për të mbajtur mbledhje pasi që të njëjtit kanë qenë të shkarkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës pra kanë mbajtur mbledhje përkundër faktit që të njëjtit janë shkarkuar, dhe të gjitha vendimet janë jo ligjore”, përfundon postimi.
Sindikata e Punëtorëve të Trepçës kohëve të fundit ka pasur kritika tejet të ashpra për kryeshefin Abdurrahmani. Kjo pasi i njëjti i kishte kërcënuar punëtorët që nëse mbajnë grevë, rrezikojnë të përjashtohen nga puna. Paraprakisht, atyre ua kishte ndalur një mëditje shkaku i grevës.
E greva e punëtorëve kishte ardhur si pasojë e vonesave të pagave.
