Shefi i “Wagner”-it thotë se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite - NACIONALE

Shefi i “Wagner”-it thotë se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i grupit privat ushtarak, “Wagner”, mercenarët e të cilit janë të angazhuar në luftimet në Ukrainë, ka parashikuar se lufta mund të zgjatë me vite.

Yevgeny Prigozhini tha në një intervistë të publikuar të premten vonë se mund të nevojiten 18 muaj deri në dy vjet që Rusia ta sigurojë plotësisht kontrollin në rajonin lindor ukrainas, Donbas. Ai shtoi se lufta mund të zgjatë tre vjet, nëse Moska vendos që të marrë territore më të gjera në lindje të Lumit Dniepër, raporton agjencia “Associated Press”.

Deklarata e milionerit që ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, shënoi një njohje të vështirësive me të cilat është ballafaquar Kremlini në luftë, edhe pse fillimisht pritej që operacioni të përfundonte brenda disa javëve.

Prigozhini tha se mercenarët e grupit të tij janë duke i vazhduar betejat e ashpra për kontrollimin e bastionit ukrainas, Bakhmut, në rajonin Donetsk. Ai pranoi se trupat ukrainase janë duke bërë rezistencë të ashpër.

Përderisa forcat ruse i kanë vazhduar sulmet në Donbas, Moska është përpjekur që t’i demoralizojë ukrainasit duke i lënë pa ngrohje dhe ujë në dimër.

Të premten, Rusia e kreu valën e 14-të të sulmeve masive ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës dhe ndaj llojeve të tjera të infrastrukturës. Objektet energjetike me tension të lartë u goditën në rajonet lindore, perëndimore e jugore, duke rezultuar në ndërprerje të rrymës në disa zona.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjeneral Valeri Zaluzhnyi, tha se forcat ruse hodhën 71 raketa me vetëdrejtim, 35 raketa S-300 dhe shtatë dronë “Shahed” mes natës së të enjtes dhe mesditës së të premtes, duke shtuar se sistemi i mbrojtjes kundërajrore ka rrëzuar 61 raketa me vetëdrejtim dhe pesë dronë.

Lajme të ngjashme