ShBA-ja do ta cilësojë “Wagner”-in organizatë kriminale transnacionale
Shtetet e Bashkuara do ta fusin grupin rus të mercenarëve, “Wagner”, në listën e organizatave kriminale transnacionale. Besohet se mijëra mercenarë të këtij grupi janë duke luftuar në favor të forcave ruse në Ukrainë.
Shtëpia e Bardhë tha se javën e ardhshme do të vendosë sanksione të reja ndaj këtij grupi dhe ndaj rrjetit që e përkrah atë, raporton televizioni BBC.
“Është duke kryer mizori dhe abuzim të të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe në vende të tjera”- tha të premten zëdhënësi për siguri kombëtare i ShBA-së, John Kirby. Ai shtoi se në Ukrainë ndodhen rreth 50 mijë mercenarë të këtij grupi.
Futja e “Wagner”-it në listën e organizatave kriminale transnacionale do t’i mundësojë qeverisë amerikane që të zbatojë sanksione më të gjera ndaj grupit paramilitar, i cili ka vepruar edhe në Siri, Libi, në Republikën Qendrore Afrikane e në vende të tjera.
Sipas zyrtarit amerikan, rreth 80 për qind e trupave të “Wagner”-it që janë dërguar në Ukrainë, janë marrë nga burgjet. Ai shtoi se grupi është bërë rival i ushtrisë ruse dhe se ShBA-ja beson se ka tensione në rritje mes zyrtarëve rusë e themeluesit të këtij grupi, Eyvgeny Prigozhin.
Kirby tha se në fotografitë e inteligjencës amerikane shihen vagonë të Rusisë duke hyrë në Korenë Veriore, ku dyshohet se janë ngarkuar me raketa për t’i përdorur më vonë nga pjesëtarët e “Wagner”-it.
“Ne do të punojmë në mënyrë të vendosur për t’i identifikuar, penguar, shpërfaqur dhe shënjestruar ata që po i asistojnë Wagner-it”- tha Kirby.
Shtetet e Bashkuara besojnë se transferimi i armëve nga Koreja e Veriut është në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Të dhënat e inteligjencës tashmë i janë dërguar panelit të Këshillit të Sigurimit që e ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të sanksioneve.

