Shefi i BE-së në Beograd: Formimi i Asociacionit çështje urgjente, do të insistojmë
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd Emanuele Giaufret, ka folur në lidhje me planin e ashtuquajtur franko-gjerman, e me theks të veçantë për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, në një intervistë dhënë gazetës serbe Kurir.
Në lidhje me formimin e Asociacionit ai ka thënë se është çështje urgjente, e se do të insistojnë, që kjo të ndodhë.
"Të gjitha marrëveshjet e mëparshme nga dialogu mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme, dhe kjo natyrisht përfshin themelimin e Asociacionin e Komunave Serbe dhe ne do të vazhdojmë të insistojmë në këtë çështje urgjente”, tha Giaufret.
Tutje ai ka theksuar se duhet një punë e përbashkët, nga të gjithë që marrëveshjet e nënshkruara ndër vite, të implementohen.
“Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të zbatuar të gjitha marrëveshjet,” tha Giaufret.