Një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve: Partitë asnjë lëvizje për zgjedhjen e presidentit, Supremja po shqyrton ankesat - NACIONALE

Një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve: Partitë asnjë lëvizje për zgjedhjen e presidentit, Supremja po shqyrton ankesat

2 javë më parë

nga NACIONALE

Sot janë bërë një muaj nga që kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. As 30 ditë pas mbajtës së zgjedhjeve Kosova nuk ka certifikim të rezultateve zgjedhore. Kjo për shkak të ankesave të vazhdueshme të kandidatëve për deputet dhe subjekteve politike.

Derisa Gjykata Supreme po vazhdon shqyrtimin e 5 ankesave që janë dorëzuar, partitë politike nuk kanë bërë asnjë hap në drejtim të ndonjë kompromisi rreth zgjedhjes se presidentit të ri.

Deri tani askush prej partive politike nuk ka dhënë shenja të qarta se mund të lëshojnë pe rreth kësaj çështje.

Lëvizja Vetëvendosjes si parti fituese ka bërë me dije se vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes se Qeverisë do të nis bisedimet me partitë tjera për çështjen e presidentit.

Deputetja e zgjedhur e VV-së, Arbëria Nagavci, nuk ka dhënë ndonjë shenjë se kjo parti mund të bëjë ndonjë kompromis për këtë temë.

Sa i përket Qeverisë, ne i kemi votat e nevojshme. Prandaj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit pa humbur kohë duhet të vazhdojmë me procedurën për votimin e Qeverisë, ndërsa brenda afateve kushtetuese do të angazhohemi edhe për arritjen e konsensusit rreth zgjedhjes së presidentit/es”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, partitë tjera kanë bërë me dije se janë në pritje të lëvizjes së partitë fituese.

Duke e komentuar sjelljen e partisë fituese, zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, ka bërë me dije se Kosova ndodhet në krizë të thellë shoqërore, ekonomike, politike dhe institucionale.

Në profilin e tij në Facebook, Hamiti ka shkruar se Kosova po qeveriset me qeveri në detyrë e ushtrues të detyrës së presidentit.

Me Qeveri në detyrë jemi gjatë, pothuaj gjithë kohën, tash e një vit e gjysmë. Qeveri pa mbikëqyrje parlamentare, pa Kuvend funksional, përveç ndërkohëve të shkurtëra. Po ashtu, me ushtruese të detyrës së Presidentit jemi tash e sa muaj. Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, para një muaji, i kanë dhënë mundësinë Vetëvendosjes ta formojë sërish Qeverinë, siç po thonë edhe vetë. E patën edhe me zgjedhjet e dhjetorit. E formuan sa për ta kthyer në detyrë, që domethanë Qeveri pa mbikëqyrje parlamentare, mbasi e kishin bllokuar funksionimin kushtetues të institucioneve kryesore gjatë vitit 2025, mbas zgjedhjeve të shkurtit të atij viti. Albin Kurti me të vetët ishin edhe në Qeveri edhe deputetë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Pastaj, gjatë pranverës së sivjeme, nuk deshën marrëveshje me opozitën për zgjedhje të Presidentit, që çoi pashmangshëm në zgjedhjet e 7 qershorit dhe e ktheu Qeverinë në formatin e qeverisë kujdestare”, ka shkruar ai, duke e vazhduar kritiken ndaj Qeverisë.

Derisa partitë polemizojnë rreth konstitumit të institucioneve të reja, Gjykata Supreme ende është duke i shqyrtuar 5 ankesat e partive dhe kandidatëve për deputet që ka pranuar.

Në një përgjigje për RTK, kjo gjykatë ka bërë me dije vendimet për këto ankesa do të merren brenda afatit të paraparë me ligj.

Ju njoftojmë se ankesat administrative të paraqitura në Gjykatë Supreme, kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa-PZAP, janë duke u shqyrtuar. Vendimet do të merren Brenda afatit ligjor prej pesë ditësh, nga data e pranimit të ankesave”, ka vlerësuar gjykata.

KQZ ka publikuar, më 27.06.2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44 % të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 16.69 % të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74 % të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40 % të votave.

Lajme të ngjashme