ShBA i kërkon Serbisë t'i largojë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën
Koordinatori për komunikime strategjikë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby i ka bërë thirrje Serbisë që ta largojë ushtrinë nga kufiri.
Kështu raportohet të ketë deklaruar ai në një bisdë me gazetarë, ku ka thënë se “do ta monitorojnë dislokimin e madh serb gjatë kufirin me Kosovën”.
“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet.” – ka thënë ai sipas REL-it.
Po ashtu, ai është shprehur se kjo dhunë që po ndodhë është shqetësuese.
“Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar.” – është shprehur ai.
Blinken i përmend masat
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq sipas mediumit serb opozitar, “Nova.rs”, ka deklaruar që ka pasur një bisedë me sekretarin amerikan, Antony Blinken kur janë pajtuar për nevojën e deeskalimit të situatës.
“U pajtuam që ka nevojë për deeskalim, për një rol më të madh të KFOR-it, dhe se Serbia definitivisht mbështet një rol më të madh të KFOR-it dhe do të donim të ishte ekskluzivisht në veriun e Kosovës.” – ka thënë ai.
Po ashtu, Vuçiq ka bërë të ditur se Blinken i ka folur për masa, por se pretendoi se ky i ka “kundërshtuar ato”.
“Blinken foli edhe për disa masa, thash që jam kundër kësaj.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, Milan Radojiçiq i cili deri sot ishte nënkryetar i Listës Serbe, ka qenë pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në një letër të bërë publike tashmë, Radojiçiq e pranoi se ishte pjesë e grupit terrorist që hynë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic kosovar. Tutje, avokati Petronijeviqi e ka lexuar edhe një letër të Radojiçiqit, e cila ishte e mbushur me propagandë.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror." - lexohet në letër, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Radojiçiqit sot iu bastisën pronat luksoze nga Policia e Kosovës, në një aksion që filloi qysh në mëngjes.
"Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojciq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie” por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multi milionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë." - ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndryshe, në një akt terrorist, një formacion prej 30 personave të armatosur rëndë sulmuan sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjska të dielën. Nga ky sulm, një polic i Kosovës mbeti i vrarë e dy të tjerë të plagosur.
Autoritetet e Kosovës njoftuan vdekjen e tre terroristëve të dielën, më pas më 25 shtator u konfirmua se ishte zbuluar trupi i një sulmuesi të katërt. Gjashtë persona janë arrestuar po ashtu.
Ndërkohë, Policia e Kosovës përgjatë gati një javë tashmë zhvilloi aksione për neutralizimin e këtij grupi.
Aktualisht, gjendja në veri është e qetë pas sulmit terrorist të së dielës nga persona të armatosur rëndë.

