“Shans historik”, Amerika e BE-ja i çojnë mesazhe Kosovës për planin franko-gjerman e Asociacionin - NACIONALE

“Shans historik”, Amerika e BE-ja i çojnë mesazhe Kosovës për planin franko-gjerman e Asociacionin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë në një linjë. Superfuqia amerikane dhe institucioni më i lartë evropian e kanë përshëndetur dhe mirëpritur planin franko-gjerman, që tashmë është pranuar tërësisht nga ana e Kosovës. Amerika e bëri të qartë qëndrimin e saj përmes një telefonate, ndërsa BE-ja ia kushtoi tri paragrafe Kosovës, në përfundimet e saja në kuadër të Samitit të BE-së.

Në bisedën telefonike mes Derek Cholletit, këshilltar i sekretarit amerikan dhe Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, u përmend plani franko-gjerman. Për këtë gjë, njoftoi vetë Chollet, në një cicërim në Tëitter.

“Biseduam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne mirëpresim vendimin e Kosovës për të pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Tani na duhet zbatimi për të siguruar përfitime të konsiderueshme për të dyja vendet." – është shprehur ai.

Për planin franko-gjerman foli edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, duke thënë se ShBA-ja e e përkrah plotësisht hapat e ardhshëm të propozimit të Bashkimit Evropian.

“Ne do të mbështesim plotësisht hapat e ardhshëm për propozimin e BE-së. Ky progres është i rëndësishëm për Kosovën pasi ne mbështesim integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike dhe ndërkombëtare.” – shkroi ai në Tëitter.

Ndërsa dy ditë më parë, Bashkimi Evropian nxori përfundimet e saj nga Samiti ku u mblodhën saktësisht 27 liderët e BE-së.

Në pjesën e titulluar “tjera çështje”, diskutohet për Kosovën dhe Serbinë, më saktësisht në lidhje me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Aty, pra në dokumentin e Këshillit Evropian, nënvizohet nevoja urgjente për progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në dritën e tensioneve të fundit në veri të Kosovës, Këshilli Evropian nënvizon nevojën urgjente për përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë.” – vlerësohet në dokumentin e BE-së të publikuar me 9 shkurt.

Sikurse ShBA-ja, edhe Bashkimi Evropian vlerësoi se mriëpret propozimin e fundit evropian, duke theksuar se është një shans historik.

“Këshilli Evropian mirëpret propozimin e fundit evropian për të vendosur marrëdhëniet midis të dyja palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një shans historik që duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët, duke përfshirë edhe realizimin e perspektivës së tyre evropiane.” – theksohet tutje.

Në paragrafin e tretë dhe të fundit, Këshilli Evropian u kërkon palëve të zbatojnë plotësisht marrëveshjet paraprake, duke përfshirë edhe Asociacionin.

“Këshilli Evropian u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, obligimet për të cilat janë zotuar në kuadër të dialogut, duke përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.” – përfundon pjesa e dokumentit mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, ShBA-ja dhe BE-ja janë në një mendje edhe rreth Asociacionit, duke kërkuar që ai të themelohet. Në një deklaratë të fundit, Peter Stano, zëdhënës i BE-së, vlerësoi se është urgjente të themelohet Asociacioni.

“Ai tha se përsërit “urgjencën që për BE-në ka lëvizja përpara e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, një prej të cilave është edhe ajo për Asociacionin.”” – transmetonte REL.

Ndërsa Gabriel Escobar vlerësoi ditë më parë se Asociacioni një ditë do të zbatohet, pasi ajo nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por obligim i Kosovës.

“Sido që të shkojë përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të keni një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Prandaj them gjithmonë se do të zbatohet në një moment. Pranon apo jo obligimin ligjor qeveria aktuale në Kosovë nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, është një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të them se do të ndodhë, do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit. Nuk ka asgjë për ta bërë këtë.” - ka deklaruar Escobar.

Lajme të ngjashme