I pabesë njëherë, i pabesë kurdoherë - NACIONALE

I pabesë njëherë, i pabesë kurdoherë

2 javë më parë

nga Col Mehmeti

Për 21 vjet ekzistencë, VV-ja është përbiruar herë tinëzisht e herë haptas te secila derë mediatike. Si ai lypsari që hiqet si i përvuajtur, këta banditë kanë kaluar prej faqeve të Epokës së Re, Botës Sot, Kosovës Sot, Expressit, Zërit e Kohës Ditore. Mirëbërësve kurrë nuk iu thanë as një ‘Faleminderit’, madje atyre ua ngulën thikat. Duhet të zhdavaritet iluzioni se regjimi i Kurtit e ka keq me këtë ose atë medium. Albinkurtizmi i urren të gjitha mediat njësoj, madje edhe ato që ia mbajnë ison protokolare. Prandaj, standardet profesionale nuk duhet të këmbehen kurrë edhe kur VV-ja duket se dikë e dorovit me ndere e përzemërsi. Albinkurtistët kanë nevojë për ‘mediume’ ku anonimët pa fytyrë e pa emër shajnë të gjallë e të vdekur, këdo që i del para partisë.

Col Mehmeti

Një nga shenjat e amnezisë kolektive ndër ne është një fakt fort i thjeshtë që duket si kuriozitet.

Vetëvendosja ka 21 vjet prejse u lajmërua në skenën e historisë.

21 vitet nuk ishin vetëm të ‘atyre’, por edhe të ‘këtyre’, sepse VV kishte gjatë gjithë kohës.

21 vjet janë rrum dy dekada dhe në jetën e përkufizuar sipas sociologjisë e demografisë përfshihet ardhja e një brezi të ri.

Bashkëjetesa me VV-në e qenien e saj të keqe – herë organizim gjysmëilegal, herë margjinal e herë violent – e ka çarmatosur shoqërinë nga secili skrupull moral, e ka topitur secilën ndjeshmëri dhe e ka indiferentizuar ndaj secilës ligësi.

Kemi jetuar dy dekada duke e natyralizuar një formacion rrufjanësh që nuk njohën asnjë kanon a normë njerëzillëku që dikur na naltësonin si shoqëri që e kapërcente tribunë.

Nuk ka mbetur asnjë staturë e vetme profesionale që të mos ketë kompromisuar diçka nga parimësia e vet përballë Vetëvendosjes.

Se njerëzit tundohen nga çmenduria e maniakizmi i dikujt që duket sikur ka zgjidhje për gjithçka, kjo nuk peshon fort si mëkat, aq më tepër në shoqëri të mbytura në një tranzicion të paskaj mendor.

Kur ky vend pas pak vitesh do të jetë kthyer në një distopi të shpopulluar para portave të Evropës, historia e tij nuk do të lexohet vetëm si triumf i një projekti fodull që doli i fituar.

Në epitafet gurvarrore të vdekjes së gjithçkaje të mbarë do të lexohet se ata që patën autoritet e lëshuan rojen, ata që ditën heshtën, dhe ata që patën fuqi nuk vepruan.

VV-ja dikur e nxirrte një gazetë katërfaqeshe e cila paradoksalisht nuk qe aspak klandestine megjithë përmbajtjet e saj shtetmohuese.

Nga mirësia për t’iu dhënë hapësirë disa të rinjve, gjithmonë me idenë rrezikzezë se fabrika e demokracisë ka nevojë për pak lëndë radikaliteti, VV-ja e gazeta e saj u përbiruan fillimisht në faqet e gazetës Epoka e Re.

Kur ky organizim e ndjeu veten disi më të fuqishëm, ‘Epokën…’ e shanë dhe e pështynë siç dinë të bëjnë bukëshkelësit e çdo epoke.

Nga mirësia e plot njerëzve që e donin demokracinë edhe kur këlthisnin zëra radikalë, fletushkës së VV-së iu nda hapësirë edhe brenda të përditshmeve të tjera.

VV-ja, që po përgatiste farmakun e zi të antiperëndimorizmit ndër shqiptarë, fitonte çdo ditë nga benevolenca e kujtdo që kishte një medium.

Qëndrimet skandaloze të VV-së që nxinin tekstet e asaj fletushke katërfaqëshe u botuan edhe te Bota Sot e të ndjerit Teki Dervishi, u botuan edhe në Express, tevona edhe në Kosova Sot, madje u botuan copa-copa edhe te Zëri.

Si nëpërka e kallëximeve popullore që sapo ngrohet e kafshon mirëbërësin, edhe Albin Kurti me të vetët e bënë të njejten.

Mediat që iu dhanë bujtina në kohë zori u bënë me gisht si armike; asokohe ata nuk kishin pushtetin e sotëm sa t’i quanin media të Beogradit.

VV-së i bënë ndere e sajdi edhe në Tiranë kudo mes socialistësh që atëbotë ishin opozitë përballë demokratëve

Manjati i Top Channel-it, Dritan Hoxha, e donte me shpirt ‘kosovarin interesant’ dhe nga 2008-a e vitet pasuese ky medium e pompoi VV-në me mbulueshmëri mediatike më të madhe sesa vetë organizimi që nuk kishte njerëz më shumë se një autobus.

VV-së i hapi derën ‘Kohës Ditore’ edhe kur kjo parti që po rritej e rritej po linte nam me transgresione të rënda.

Sapo nuk iu desh, vetë Kurti e foli me gojën e Liburn Aliut atë që nuk e thoshte vetë.

Kryeredaktorin e ‘Kohës’ e bëri me gisht si njeri të ShIK-ut.

Kur gjithnjë e më shumë po i avitej fronit të pushtetit, VV-së nuk iu desh të priste asnjë dakik para dyerve të zinxhirit medial ballkanik ‘BIRN’.

Si zojë shpíje, Jeta Xharra i mori brenda edhe kur këta vinin veçse si mashtrues e dallaverxhinj.

Në të gjitha këto raste pësimesh është sall një mësim.

VV-ja nuk ka pësuar asnjë të plasaritur pse kaloi prej faqeve të Epokës së Re, Botës Sot, Zërit, Expressit, Kohës Ditore e Kallxo.

Ajo kurrënjëherë nuk empatizoi me qytetërimin gazetaresk që parim ka pranimin e tjetrit dhe të ndryshmes.

Bukëshkelja e saj nuk solli asfarë keqardhje e as nuk e zgjoi pendesën për tradhtinë e njerëzores.

Humbësit e vetëm u bënë ata që i hapën derë, dhe sidomos ata që e rrudhën edhe profesionalizmin e vet vetëm e vetëm për t’i shërbyer secilit hall imediat të VV-së.

Lajme të ngjashme