Serwer për marrëveshjen: Serbia po merr vetëqeverisjen, nuk ka reciprocitet - NACIONALE

Serwer për marrëveshjen: Serbia po merr vetëqeverisjen, nuk ka reciprocitet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Profesori amerikan Daniel Serwer e ka publikuar sot një artikull në të cilin komenton Propozimin Evropian dhe Aneksin e Zbatimit për të cilin u morën vesh dje kryeministri ynë Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq. Çka thotë Serwer?

Artikulli në fjalë titullohet: “Tymi dhe pasqyret bëjnë konfuzion, jo paqe”.

Sipas tij, Propozimi dhe Aneksi përmbajnë dy probleme shumë të mëdha: 1. Fokusohen te procesi, jo te substanca; 2. Serbia përsëri ka refuzuar që ta nënshkruajë.

Por, për çfarë arsyesh nënshkrimi përbën problem?

Sipas njohësve të së drejtës ndërkombëtare, një marrëveshje ndërkombëtare nuk e ka domosdoshmëri nënshkrimin që të konsiderohet si ligjërisht e detyrueshme.

Por, Serwer megjithatë shpreh qëndrim tjetër.

“Zyrtarët e BE-së dhe ShBA-ve do t’ju bëjnë të besoni se nuk ka rëndësi. Por, ka. Sipas ligjit ndërkombëtar, marrëveshjet e nënshkruara obligojnë shtetet. Të panënshkruarat jo. Serbia mund të ikë nga të gjitha marrëveshjet me Kosovën, meqë janë të panënshkruara. Në fakt, nuk i ka implementuar shumë prej tyre. E as Kosova. Nënshkrimet do të përbënin dallim të madh. Kjo është arsyeja pse Vuçiqi po reziston,” – shkroi ai.

Sipas Serverit, ajo që mungon në Propozim dhe Aneks është reciprociteti. Serbia sipas tij merr “vetë-qeverisjen” për qytetarët e saj në Kosovë por shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore nuk marrin asgjë.

Po ashtu, ai thotë se ngacmimi i serbëve që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës nuk përmendet fare.

Serwer në pikën 4 të asaj që mungon përmend edhe se si nuk përmendet fare çështja e njohjes, e nuk ka as ndonjë shenjë të njohjes nga pesë shtetet mos-njohëse të BE-së.”

“Një marrëveshje e fokusuar te procesi pa nënshkrime lë shumë për negociata të së ardhmes. Kjo ka më shumë tym e pasqyre se sa substancë. Ka më shumë gjasë të gjenerojë konfuzion shtesë se sa paqe,” – përfundon ai.

Lajme të ngjashme