Serwer: Mbështetja e ‘botës serbe’ të Beogradit është bërë politikë e Uashingtonit për Ballkanin
Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka kritikuar reagimin e ashpër të SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës për veprimet e fundit në veri.
Në një analizë të tij, ai ka vlerësuar se SHBA-ja ka braktisur neutralitetin në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Sipas tij, tani SHBA-ja po ia mban anën Serbisë.
Analisti amerikan ka bërë me dije se mbështetja e ‘botës serbe’ të Beogradit është bërë politikë e Uashingtonit për Ballkanin.
“Nuk ka pasur asnjë dënim të SHBA-së për lëvizjet e Serbisë, por vetëm të Kosovës. Uashingtoni në thelb ka braktisur çdo pretendim të neutralitetit dhe ka miratuar disa nga prioritetet e Beogradit si të tijat. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për vendosjen e kryetarëve të komunave, por edhe për Asociacionin e propozuar të Komunave me Shumicë Serbe brenda Kosovës dhe iniciativën e Ballkanit të Hapur që Serbia po promovon për të zgjeruar kontrollin e saj mbi serbët në vendet fqinje. Mbështetja e synimeve etno-nacionaliste të ‘botës serbe’ të Beogradit është bërë politika e Uashingtonit për Ballkanin”, ka vlerësuar ai.