Serbia kërkon nga Komisioni Evropian heqjen e vizave për serbët e Kosovës
Serbia ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të anulojë vendimin për detyrim për vizë për qytetarët me banim në Kosovë, të cilët janë të pajisur me pasaporta serbe të dorës së dytë, të lëshuara nga Administrata Koordinuese në Beograd.
Kosovo Online raporton se sipas ministrisë së Jashtme serbe, “përfaqësuesit diplomatikë dhe të tjerë të Serbisë janë në kontakt të rregullt me përfaqësuesit e Komisionit Evropian në lidhje me dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Administrata Koordinuese për qytetarët që banojnë në Kosovë”.
Në përgjigjen e ministrisë serbe për Kosovo Online, më tej thuhet se pas vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën, diskutimet në lidhje me heqjen e vizave edhe për serbët që jetojnë në Kosovë, janë intensifikuar.
“Pasi institucionet e BE-së iniciuan dhe më pas morën vendim për liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovë, u intensifikuan diskutimet e palës sonë me Komisionin Evropian lidhur me dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga Administrata Koordinuese. Qëndrimi i Republikës së Serbisë për këtë çështje është mjaft i qartë - qytetarët që janë posedues të dokumenteve të udhëtimit të përmendura nuk mund dhe nuk duhet të diskriminohen, dhe detyrimi për të pasur vizë për të udhëtuar në BE duhet të hiqet.”
Pas liberalizimit të vizave për Kosovën, për serbët nga Kosova që kanë pasaportë serbe ka mbetur një lloj vakumi dhe aktualisht janë grupi i vetëm në Evropë për të cilin ende vlen ndalimi i udhëtimit pa vizë.
