Efektet e shembjes së murit të vizave: A do ta përjetojë Kosova edhe një valë të ikjes së të rinjve? - NACIONALE

Efektet e shembjes së murit të vizave: A do ta përjetojë Kosova edhe një valë të ikjes së të rinjve?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vendimi i final i Parlamentit të BE për liberalizim të vizave për Kosovën është mirëpritur në Kosovës. Një veprim i tillë është parë si vendosje në vend e drejtësisë për kosovarët, që për arsyeje politike BE-ja prej vitesh ua mohonte të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën shengen. Hapja e rrugës për të lëvizur lirshëm nga 1 janari i vitit të ardhshëm ka nxitur reagime të ndryshme.

Disa njohës të proceseve integruese kanë bërë me dije se kjo mund të nxit një valë të re të ikjes se të rinjve nga Kosova, kurse disa të tjerë e kanë mohuar një gjë të tillë.

Avokati Arianit Koci nuk beson se procesi i liberalizimit të vizave nuk do të ndikojë në largimin e qytetarëve nga Kosova.

Ai ka bërë me dije se deri me tani kush e ka pas në plan të largohet nga Kosova është larguar.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se liberalizimin e vizave e shoh një proces normal.

“Secili që e ka pasë në mend me e lëshu Kosovën, e ka gjetë mënyrën. Me apo pa viza. Prandaj, liberalizimin e vizave e shoh një proces normal në shoqërinë tanë. Rritja e rrogave, nuk është domosdoshmërisht parakusht që rinia mos me e lëshu Kosovën. Në anën tjetër, kemi nevojë për më shumë interaksion me vlerat përendimore. Me kulturën dhe arsimin e tyre. Kemi qenë në geto për vite të tëra. Për këtë arsye, edhe shkuarjen e rinisë e shoh si fenomen pozitiv”, ka shkruar ai.

Sipas tij, lëvizje të qytetarëve do të ketë çdo herë.

“Dikush shkon, mbetet atje dhe vjen na viziton. Dikush shkon e kthehet. Investon kapital dhe na bjen një frymë ndryshe kulturore dhe sociale. Kulturë të punës. 4. Sidoqoftë, migrimet dhe lëvizjet e popullatës une i shoh si fenomen pozitiv. Mbi të gjitha, ky është proces i pandalshëm. E ne që mbesim, e gjejmë mënyrën si me jetu dhe me mbijetu. Gjithmonë. Me rëndësi është që Kosova me qenë e hapur për të gjithë”, ka shkruar ai.

Kurse politologu Agon Maliqi ka përmendur efektet që do t`i sjell ky proces.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se efekti më rëndësishmi do të jetë shembja e murit të iluzioneve negative dhe pozitive të kosovarëve mbi Kosovë.

“Shembja e murit të vizave ka për të prodhuar shumë efekte, por ndoshta më i rëndësishmi ka me qenë shembja e murit të iluzioneve negative dhe pozitive të kosovarëve mbi Kosovën, që ka me na kthy pak për toke. Për disa të rinj që koten kafeve dhe që diasporën e shohin si një thes me lekë, ka me qenë mundësi me e pa se sa shumë për ato pare punohet dhe sakrifikohet. Për disa që Kosovën e shohin si terr të pashpresë, ka me qenë mundësi me pa se ka fusha ku nuk jemi keq dhe ku në fakt Kosova mund të të jap edhe më shumë mundësi si tokë e pashkelur”, ka shkruar ai.

Ai ka treguar se liberalizimi i vizave do të jetë i rëndësishem për studentët dhe profesionistët.

“Ndërsa për disa që janë të specializuar në fusha të caktuara (studentë, profesionistë) dhe që tash kanë më shumë mundësi të kenë përvoja jashtë, ka me qenë mundësi me e kuptu se çfarë niveli intelektualisht mediokër dhe provincial u është servuar atyre si autoritet i dijes në Kosovë nga shkollat, universitetet, mediat - pra KF 2 Korriku i një fushe të caktuar s’ka me mujt më aq lehtë me u shit si Barcelonë”, ka thënë ai.

Largimi i qytetarëve

Mendimi tjetër ka veprimtari Uk Lushi. Ai ka thënë se ky proces do të sjell largimin e shumë qytetarëve të Kosovës.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk sjell asnjë ndryshim, përpos largimit të më shumë shqiptarëve nga Kosova. Europa do fuqi punëtore të re dhe të lirë në vend se të sjellë investime në Kosovë apo Ballkan. Nëse doni evidencë shihni Shqipërinë para dhe pas liberalizimit. Por kjo qasje shkurtpamëse e Evropës, shqiptarëve dhe Ballkanit, në aspektin afatgjatë, do të ketë pasoja jo të mira për kontinentin dhe gadishullin”, ka shkruar Lushi.

Më 19 prill, në Strasburg, është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas këtij vendimi, kosovarët do të mund të lëvizin në Zonën Schengen më së largu nga 1 janari i vitit 2024.

Një ditë më parë, Parlamenti Evropian kishte miratuar vendimin e Këshillit për liberalizim të vizave. Kjo ka përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë proces.

Lajme të ngjashme