A u liberalizuan vizat kësaj here përnjëmend?
“Qesin kritere apet”, është një prej komenteve në raportimin e Nacionales ku tregon se Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave. Kosovarët që e pritën për më shumë se një dekadë këtë lajm të mirë, iu gëzuan disa herë, ani se u deshën edhe katër vite që prej përmbushjes së kritereve, që të merret vendimi final. A ndodhi përnjëmend?
Parlamenti Evropian sot pa votim e ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave, duke qenë se nuk ka pasur qëndrime kundër.
Ishte ku një prej votimeve të fundit, derisa nesër pritet ceremonia e nënshkrimit, pastaj publikimi në Gazetën Zyrtare të BE-së, hyrja në fuqi 20 ditë pas publikimit, dhe më në fund, më 1 janar 2024 do të ndodhë lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.
Kosova dhe vizat në 12 vjet
Kjo rrugë e ky proces nuk ishin të lehta. Premtime të politikanëve, premtime të BE-së, negociata, kushte shtesë – kosovarët u gëzuan disa herë, e disa të tjera u dëshpëruan.
Në vitin 2012, Kosova nisi negociatat për liberalizimin e vizave. Ishte komisionerja evropiane, Cecilia Malmstrom, e cila në janar të po atij viti, paraqiti planin për liberalizimin e vizave.
Kosova parashihej t’i plotësonte mbi 90 kritere, në mënyrë që të fitojë lëvizjen e lirë te qytetarëve të saj. Dhe, i plotësoi.
Në vitin 2016 Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kosova ka plotësuar kriteret e vendosura për liberalizimin e vizave.
Edhe atëherë, kosovarët festuan. Por pikërisht, në të njejten kohë, u përballëm me dy kritere të reja – demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit.
"Janë dy kushte të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave. Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësojë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime, dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Nëse Kuvendi i Kosovës e voton demarkacionin, ne, Bashkimi Evropian, do të lëvizim shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovës.” – kishte deklaruar Federica Mogherini, gjatë marsit të 2017, atëbotë shefe e diplomacisë evropiane.
Mes një seance me shumë debate, me shumë tensione, me hedhjen e gazit lotësjellës nga Vetëvendosje, atëherë opozitë, Kuvendi i Kosovës në vitin 2018 më 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, kishte ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Sërish festuam, sërish vizat s’u liberalizuan
Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur edhe dy kërkesat e mbetura për liberalizimin e vizave.
Në një komunikatë për media, theksohej qartë se Kosova ka përmbushur detyrimin e saj për demarkacionin e Kufirit, dhe arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit: Komisioni e ka monitoruar këtë standard të mbetur gjatë 2 viteve të fundit dhe ka zhvilluar një mision teknik në Kosovë më 3-4 maj për ta vlerësuar më tej përparimin e arritur. Tashmë, Komisioni mund të konfirmojë se autoritetet kosovare kanë pasur dhe kanë përforcuar arritjet e vazhdueshme të hetimeve dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë në rastet e lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e përmbushur me sukses standardin përfundimtar.
Gjithashtu, raporti i sotëm konfirmon se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha standardet e tjera të përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave në lidhje me ripranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migracionin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.” – thuhej në komunikatën e BE-së.
2022-2023 – Vitet vendimtare
Duket se viti që lamë pas dhe ky që jemi aktualisht, janë vendimtarë për këtë proces. Që nga nëntori e deri më tani, janë marrë një sërë vendimesh, duke përfshirë edhe këtë të sotit, që është final.
Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.
Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.
Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.
Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.
Më 9 mars 2023, Këshilli Evropian me shumicë votash, duke përfshirë edhe nga vendet që s’e njohin Kosovën, votoi pro liberalizimit të vizave, duke lënë edhe shumë pak hapa deri kur vendimi të hyjë në fuqi.
Më 18 prill, Parlamenti Evropian miraton vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.



