Selmanaj thotë se nuk i beson Kurtit: Zajednica, zajednica, tap kryeministër e lëshoi bajrakun
Në seancën ku është duke u diskutuar plani franko-gjerman, i pranuar nga kryeministri Kurti në takimin në Bruksel me presidentin serb Vuçiq, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se nuk i beson Kurtit.
“Unë personalisht nuk i besoj këtij kryeministri. Pse nuk i besoj këtij kryeministri? Sepse më datën 2 shkurt, ky kryeministër na ka lexuar gjashtë kushte. Kushti i parë ka thënë: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kushti i dytë është se nuk mund të jetë monoetnik dhe duhet ta ndërroj emrin. Nën 3 duhet të ketë reciprocitet të të drejtave, çfarëdo të drejta për serbet në Kosovë duhet t’i kenë edhe shqiptarët në Serbi. Duhet të shuhen strukturat paralele dhe të dorëzohen armët dhe Vuçiq duhet të tërheq letrat mosnjohëse,”- ka kujtuar Selmanaj fjalët e dikurshme të Kurtit, gjatë seancës në Kuvend.
Selmanaj fjalën e tij e ka përfunduar duke i’u drejtuar Kurtit, në mënyrën që Kurti dikur i ishte drejtuar Haradinajt, për Çakorrin.
“Zajednica, zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun,”- ka përfunduar Selmanaj.
