"Seksi, Zoti, familja": Përçahet VV-ja për shtatzëninë e grave pa burra, deputetët e saj hahen mes vete - NACIONALE

"Seksi, Zoti, familja": Përçahet VV-ja për shtatzëninë e grave pa burra, deputetët e saj hahen mes vete

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje është përçarë sërish. Më saktësisht, grupi parlamentar i saj u përça përsëri për një temë që ka të bëjë për lirinë seksuale. Pra VV-ja, grupi më i madh parlamentar në Kosovë, u nda në dyshë rreth çështjes së shtatëzanisë dhe lindjes së grave të fëmijve pa pasur nëvojë për burrë. Kjo është hera e dytë që deputetët e VV-së kanë mendime të ndryshme për një çështje delikate, pas asaj për bashkëjetesat e seksit të njëjtë që i parashihte projekt-kodi civil.

Nëse duhet të theksohet saktësisht se çka e çau VV-në, atëhërë çështja nisi për shkak të një diskutimi mbi projektligjin për projektligjin për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, që është hartuar nga Ministria e Shëndetësisë që udhëhiqet nga VV-ja.

Në fjalën e tij, Eman Rrahmani, deputet konservator i VV-së, e kundërshtoi projektligjin, duke thënë se e cenon familjen.

“Projektligji prej jo vetëm shëndetin, por edhe parime etike e morale të lidhrua me familjen dhe konceptin e saj…Parimisht mendoj që duhet të rishikohet ky projektligj i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak që cenon familjen, të cilën neve, ose të paktën unë, besoj dhe angazhohem për mbrojtjen e vlerave të saj. Në njërën prej neneve ku sqarohet e drejta e fertilizimit u jepet edhe vajzave të pamartuara.” – vlerësoi deputeti Rrahmani, i cili ishte po ashtu njëri nga zërat më të fuqishëm kundër martesave të gjinisë së njëjtë vitin e kaluar.

“Fëmijve nuk duhet t’ia ndalojmë të kenë babë, nuk besoj që duhet të bëjmë këso lloj krahasime ku e stimulojmë një process të kundërtë të natyrës dhe të asaj që e ka krijuar Zoti” – tha deputeti Rrahmani.

Ndaj këtij fjalimi, reagoi zonja Saranda Bogujevci, e cila e denoncoi karakterin seksist të shoqërisë, duke refuzuar determinimin nga burrat të mënyrës se si jetojnë gratë.

“Kur i rregullojnë gjanat në shoqërinë tonë sa e lehtë është që vendimet të merren për ta determinu ne si gra se qysh vendosim ta jetojmë jetën tonë. Diçka që nuk parashihet në pjesën e burrave.” – u shpreh Bogujevci.

Tutje, zonja Bogujevci vlerësoi se ajo ka dashur të bëhet nanë, ndonëse nuk e ka pasur mundësinë të ketë një lidhje.

“Unë po du me kanë e sinqertë edhe publikisht me thanë këtë pjesë që unë përderisa nuk e kam pasë mundësinë të jem në lidhje apo të jem në lidhje martesore apo çfarëdo forme tjetër, kam dashtë me u ba nanë.” – vazhdoi ajo.

Zonja Bogujevci vazhdoi fjalimin e saj duke thënë se nuk lejon që jeta e saj të determinohet nga një burrë.

“Edhe unë duhna me qenë e limitume në bazë të asaj që e the (e ka fjalën për z. Rrahmani) pse një shoqni mendon se një normë duhet me qenë në një formë të caktume. Edhe përderisa unë kom dashtë me u ba nanë, për mu ka qenë me randësi se çfarë ka ofru shkenca për me ma mundësu qat të drejtë. E jo me ma determinu një burrë. Që unë duhna medoemos me pasë një burrë me të cilin martohem për me pasë mundësinë me u ba nanë.” – shtoi deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka folur edhe për rastet kurrë gratë shtyhen të bëhen nëna.

“Ndërsa ki raste të tjera, e kjo as nuk diskutohet në shoqërinë tonë, kur gratë dhunohen me jo dëshirën e tyne e kanë, shtyhen të bahen nanë. Burrat nuk marrin përgjegjësi në këtë drejtim. Ki raste kur gratë shtyhen të kenë fëmijë pa marrë parasysh a kanë probleme shëndetësore apo të tjera, dhe prapë burrat nuk marrin përgjegjësi në këtë drejtim. Dhe unë mendoj që kjo është e padrejtë! Mendoj që jemi në një pikë ku nuk mund të krijojmë ligje dhe të marrim rregulla ku gruaja duhet të kufizohet në çdo aspekt... ndërsa kur vjen puna te përgjegjësia e burrave, ajo është zero. Nuk është as e rregullume në shoqni, as në ligj, po as në vlerat e familjes nuk merret parasysh kjo pjesë. – u shpreh tutje deputetja e partisë në pushtet.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që çështjet e lirisë seksuale kanë përçarë deputetët e VV-së. Gjatë vitit të kaluar, kur po diskutohej çështja e projekt-kodit civil, deputetët e VV-së ishin përplasur në seancë. Madje, projekt-kodi civil, që parashihte bashkësitë civile të seksit të njëjtë, nuk kishte kaluar për shkak edhe të votave kundër të disa prej deputetëve të VV-së.

Lajme të ngjashme