Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve: Policia të merret urgjent me kërcënimin ndaj gazetarit Burim Pacolli
Sekretari i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierres ka reaguar pas kërcënimit ndaj gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli.
Ai ka kërkuar që Policia të reagojë urgjentisht ndaj kërcënimit serioz që iu bë gazetarit Pacolli.
“Federata Evropiane e Gazetarëve i bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prokurorisë që urgjentisht të reagojë ndaj këtij kërcënimi serioz ndaj gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli dhe t’i sjellë përgjegjësit para drejtësisë.” – ka shkruar ai.
Në fund, Gutierres ka thënë: “Ne qëndrojmë në solidaritet me të dhe kërkojmë nga mediumi i tij dhe autoritetet që të ndërmarrin masa për mbrojtjen e tij”.
Ndërkohë, edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar për kërcënimin e gazetarit Pacolli, duke thënë se kërcënimet ndaj tij janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Gazetari i Nacionales, Burim Pacolli është kërcënuar nga një person përmes rrjetit social “Instagram”.
“Personi me nofkën “Edon Edon”, fillimisht e ka kërcënuar në komente gazetarin, e më pastaj në profilin e tij, ka kërkuar t’ia gjejnë adresën e banimit të Pacollit, me arsyetimin se po i duhet.” – thuhet në reagimin e AGK-së.