Seanca që e trazoi dje Kuvendin, kritikat e opozitës e rrëfimi i Kurtit për takimin e Ohrit
Për gati 12 orë, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, me polemika të shumta mes opozitës e pushtetit, u diskutua për takimin e Ohrit e dialogun me Serbinë. Marrëveshja e arritur në Ogër u kritikua ashpër nga opozita e Kurti foli shumë për vetëmenaxhimin.
Fillimisht, ishte kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i cili gjatë fjalës së tij tha se Kurti pranoi se ka Asociacion dhe se dialogu Kosovë - Serbi tashmë ka degraduar.
“Kryeministri nuk bëri tradhti kombëtare, por bëri tradhti ndaj votuesve të tij. Rrezikon që serbëve në Kosovë t’u japë edhe autonomi. Ky degradim, ardhja në këtë pikë, ka ndodhur me fajin e kryeministrit, Albin Kurti”- tha ai.
Sipas Krasniqit, të thuhet se nuk kemi mundur të marrim tekst më të mirë për Marrëveshjen e arritur në Ohër, është dorëzim.
“Ai ka mundur ta bëjë atë më herët dhe, për këtë, e ka pasur edhe përkrahjen e opozitës, por edhe të faktorit ndërkombëtar”- tha Krasniqi.
Edhe më i ashpër në fjalimin e tij ishte kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai tha se kryeministri Kurti është i paqartë për atë që është dakorduar në marrëveshjen e 27 shkurtit në Bruksel dhe atë të 18 marsit në Ohër.
Abdixhiku ia kujtoi Kurtit vdekjen e Mon Balajt e Arben Xheladinit lidhur me kauzat për vetëvendosje.
“Nëse mendon që më qet prej taktit e më nervozon me ofendime, gabohesh shumë. Ta them kështu: unë, kur e shikoj veten në pasqyrë, nuk e kam barrën që kanë vdekur njerëzit për kuazën time politike, nuk e kam barrën që kam kallë një Kosovë të tanë. Nuk e kam barrën që i kam quajtur njerëzit tradhtarë, nuk e kam barrën që i kam hangër krejt qershitë një nga një. Nuk e kam barrë që e kam rrezikuar të ardhmen e vendit”- deklaroi Abdixhiku, raporton Nacionale.
“Pse ti duhet ta ballafaqosh të kaluarën tënde, unë po e shijoj se si ti e ballafaqon veten me kauzën tënde. Dëgjo mirë, sepse kështu, kur nuk ke dëgjuar, dëgjo mirë, sepse pas 10 viteve thua se marrëveshjet ndërkombëtare janë obligime. Tash e kuptove. Këto janë brengat për vetëmenaxhimin e statusit të kishës, jo ofendimet prej meje”- theksoi kryetari i LDK-së.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, theksoi se të gjitha arritjet e deritashme për 20 vjet janë vënë në rrezik, ndonëse për partinë në pushtet e konsideron të kundërtën.
“Ndaj konsideroj se si Kuvend e si Qeveri ta forcojmë agjendën e ngritjes dhe forcimit të subjektivitetit tonë shtetëror”- deklaroi mes tjerash deputeti Tahiri.
Çka tha Kurti?
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vetëmenaxhimi i komunitetit serb në Kosovë, i paraparë në marrëveshjen Kosovë - Serbi, të arritur së fundmi, nuk e nënkupton vetadministrimin.
Këto deklarata ai i bëri gjatë raportimit të enjten në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen Kosovë - Serbi, për të cilën të dyja vendet arritën pajtim më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Ai iu përgjigj kritikave të opozitës në lidhje me pikën 7 të kësaj marrëveshjeje, e cila e parasheh “sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.
“Vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim”- tha Kurti, duke kërkuar nga deputetët opozitarë që të mos përdorin “nocione të skajshme”.
Kryeministri Kurti tha para deputetëve se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë - Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara.
Në marrëveshjen e arritur më 18 mars në Ohër, specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën.
Kjo e përfshin edhe themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilin u arrit në vitin 2013 dhe u specifikua në vitin 2015.
Kjo marrëveshje, që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti edhe gjatë kohës sa ai ishte në opozitë.
“Aleatët tanë na kujtojnë që marrëveshjet janë arritur mes qeverive të shteteve tona, me detyrime të qëndrueshme, edhe kur qeveritë ndryshojnë. Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si një i tillë, unë nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne i lidhim”- tha ai.
Kurti ritheksoi se do të angazhohet që nuk do të ketë një pushtet ekzekutiv mes nivelit qendror e lokal në Kosovë përmes këtij asociacioni.
“Çdo gjë do ta konsiderojmë nga prizmi i kushtetutës sonë, i ligjshmërisë sonë”- tha ai.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për marrëveshjen drejt normalizimit, e cila njihet ndryshe edhe si Propozimi Evropian. Ndërkaq, më 18 mars, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht se ajo nuk është nënshkruar, është marrëveshje e obligueshme për palët.

