"Phu t'q**sha tradhtarin..." - Cilat ishin fyerjet personale të Kurtit që çuan në mllefin e Kujtim Shalës? - NACIONALE

"Phu t'q**sha tradhtarin..." - Cilat ishin fyerjet personale të Kurtit që çuan në mllefin e Kujtim Shalës?

1 vit më parë

nga NACIONALE

“Phu t’q**sha tradhtarin e nanës,” – u dëgjua derisa shante me shumë mllef deputeti i LDK-së, Kujtim Shala. Por, çka ndodhi gjatë kësaj fjale?

Sharja në fjalë ndodhi menjëherë pasi e përmbylli një replikë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Pak sekonda para se të merrte fjalën Lumir Abdixhiku, z. Shala e thur sharjen në fjalë – që besohet se i drejtohet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Ofendimet personale të Kurtit

Kurti pati edhe ofendime personale kushtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut. Ai pretendoi se kolegët e tij nga VV (që e njihnin Abdixhikun) po i thonin se ai mund ta puthte veten në pasqyrë. Një sulm i rëndë, i papranueshëm që provoi ta konsideronte si "narcizoid" z. Abdixhiku dhe ndaj të cilit fatkeqësisht nuk reagoi fare kryekuvendari Glauk Konjufca.

Për më keq, z. Kurti e citoi edhe Skënder Hysenin për ta sulmuar shefin e Kujtim Shalës derisa provoi t’i etiketonte si “aktivitë të pakënaqur të VV-së” dy krerët e partive opozitare.

“Deputeti Krasniqi dhe deputeti Abdixhiku po flasin sikur të jenë aktivista të Vetëvendosjes që kanë dhënë dorëheqje,” – u shpreh z. Kurti.

“Po m’doket vetja si në Këshill të Përgjithshëm të Vetëvendosjes,” – vazhdoi kryeministri.

“Nuk e di pse po m’kujtohet tash deklarata e Skënder Hysenit i cili pat thënë që deputeti Abdixhiku është Vetëvendosje n’LDK.” – ofendoi tutje Kurti. As ne nuk e dimë se për çfarë arsyesh e përmendi këtë deklaratë z. Kurti, por Hyseni në të kaluarën ishte pjesë e të ashtuquajturës "gardë e vjetër" e LDK-së - e të cilën e sulmonte ashpër Kurti.

"Koha kur Vetëvendosja ka pasur dorë në LDK, ka vdekë," - i replikoi këtyre akuzave të Kurtit, Abdixhiku.

Nacionale ka provuar që ta kontaktojë z. Shala për ta pyetur nëse kërkonte falje për gjuhën e përdorur por ai nuk e ka hapur telefonin deri në këtë moment.

Shala është një prej deputetëve më me përvojë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që po e kundërshton ashpër e me zell Propozimin Evropian dhe mënyrën e dialogimit nga kryeministri Kurti.

Lajme të ngjashme