"Ndjej keqardhje për Albinin": Çka tha Abdixhiku në emisionin ku e krahasoi Kurtin me Vali Corleonen?
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka dhënë një intervistë në Dukagjini, më saktësisht në emisionin Debat Plus, ku foli për shumë çështje, përfshirë qeverisjen dy vjeçarë të kryeministrit Albin Kurti, ndaj të cilit shefi i LDK-së pati shumë kritika.
Që në hyrje të emisionit, z. Abdixhiku e dha një deklaratë të fuqishme, teksa foli për transformimin politik të Kurtit. Duke e komentuar përplasjen e tyre në Kuvend sot, Abdixhiku deklaroi se Kurti e ka shndërruar në cirk Kuvendin e Kosovës.
“Edhe Kuvendin e ka shndërru në cirk. Kështu bën gjithë, por gjendja është më serioze. Ka pësuar një transformim rrënjësor në qëndrimet e veta politike.” – tha ai.
Abdixhiku tutje vlerësoi se dialogu e ka transformuar Kurtin, duke e komentuar edhe marrëveshjen evropaine.
“Albin Kurti nuk e transformoi dialogun, por dialogu e tjetërsoi Kurtin…Ka më tepër Asociacion, ka autonomi, ka kompetenca vetëmenaxhuese dhe ka status politik për kishën ortodokse serbe.” - vlerësoi ai.
Abdixhiku deklaroi se ndjen keqardhje për Kurtin.
“Ndjej keqardhje, është përfundim i padinjitetshëm. Një karrierë politike, ke kalu 15 vite, kanë humbur jetë njerëzit për këtë çështje, ia ke marrë vendit 10 vite vonesë, e ke ndalë zhvillimin e vendit në çdo aspekt, për me ndryshu këtë çështje kaq thjeshtë. Nuk e di si e bën gjumin ky njeri, është bukur e rëndë si karrierë politike, kështu s’duhet të ketë askush karrierë politike”, deklaroi ai.
Në një moment, z. Abdixhiku e ka krahasuar Kurtin me Vali Carleonen, një personazh i çuditshëm i shou bizzit.
“Dy njerëz në Kosovë, që nuk i ka thënë askush puna e mbarë, Vali Corleone dhe Albin Kurti, kurrë në jetën e vet punë s’kanë bërë, kurrë në jetë të vetë nuk i kanë thënë puna e mbarë. Ky nuk din ta menaxhojë një projekt të vetëm.” - tha z. Abdixhiku.
I pari i LDK-së foli edhe për partinë e tij, duke komentuar deklaratën e Kurtit se LDK-në para dy viteve e mori lumi Vjosa, një referencë për ikjen e Vjosa Osmanit nga partia më e vjetër në Kosovë.
“LDK-ja është lumë i fuqishëm, lumë që rrjedh që nuk ngrihet, e as nuk shkrihet as nuk bëhet borë, e që këtë Kurti dëshiron ta ndalë dhe të bëhet digë e këtij lumi, por fatkeqësisht për LDK-në ai nuk është digë dhe as nuk dinë të ndërtojë diga. Ai në rastin më të mirë din të ndërtojë një urë në Istog një metër e gjysmë. Përndryshe lumi i LDK-së do të rrjedhë shumë gjatë, ka rrjedh edhe 33 vjet e do të vazhdoj gjatë, shumë fuqishëm , pastër më ide të kohës, dhe me njerëz që e duan këtë vend që nuk janë popullsitë që nuk bëjnë cirk”, vlerësoi Abdixhiku, në emisionin Debat Plus.
Shefi i LDK-së, që dikur ishte ministër në Qeverinë Kurti 1, i dërgoi edhe një mesazh Kurtit.
“Kujdesu për partinë tende sepse LDK-ja është e fortë, kujdesu për njerëzit rreth vetit që nuk i ke më, sepse LDK-ja vetëm mundet me të përshëndet me 9 komunat e veta”, ka thënë Abdixhiku duke iu drejtuar Kurtit.
Ndryshe, sot në Kuvend, Abdixhiku e Kurti u përplasën me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe një poezi të Azem Shkrelit, shkrimtarit të njohur kosovar, të quajtur “Njerëzit”.
“Sikur takoheshin me vetveten sy më sy, a kishin me u puth apo kishin me u pshty” e mendoni se çfarë shikimi do të kishte Albin Kurti në pasqyrë.Unë brengë nuk e kam nëse në pasqyrë i del vetja Luan apo Kameleon, por qëndrimin politik të Kosovës dhe mungesën e plotë të kredibilitetit. Kjo mungesë kredibiltieti shpreh mungesë qartësie të institucioneve tona. Sikurse nuk ishte i qartë dhe së këndejmi jemi të vetëdijshëm për nenin 7, ai sot është i paqartë mbi produktin e dakorduar nga vetë ai. Derisa për vite me radhë fliste për mosnënshkrim të Serbisë e dontë të hiqte si ombrellë e sukseseve të tij, tanimë flet se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme.Këto marrëveshje, produkt i Kurtit të ri-dizajnuara nga ai janë bërë kritere evropiane për Koovën dhe Serbinë. Ajo duhet të përshtatet veten me këto kritere, qoftë me Kurtin në qeveri apo me këdo qoftë pas tij. Nuk kufizohet përshtatja vetëm në ligje të brendshme, por edhe në ndryshime kushtetuese, e nëse doni shembuj shikoni fqinjë tanë në rajon.” – theksoi Abdixhiku në Kuvend.


